"24 fazat diellore" kineze në OKB

2018-02-08 11:00:48 CRI Komenti juaj Printoni

"24 fazat diellore" janë një sistem meteorologjik në kalendarin hënor kinez për paraqitjen e ndryshimeve stinore. Kinezët e lashtë i përcaktuan 24 fazat sipas ndryshimit të vendndodhjes së Tokës në orbitën e rrotullimit rreth Diellit dhe e përdornin këtë sistem si udhëzues për prodhimin bujqësor. "24 fazat diellore" fillojnë në pranverë dhe përfundojnë në dimër, duke përfshirë 24 periudha të rëndësishme stinore në tërë vitin. "24 fazat diellore" shfaqin plotësisht urtësinë e popullit kinez dhe në qarqet ndërkombëtare meteorologjike ky sistem cilësohet "Shpikja e 5-të e madhe e Kinës". Në maj të vitit 2006, "24 fazat diellore" u shpallën nga qeveria kineze trashëgimi kulturore jomateriale kombëtare dhe në nëntor të vitit 2016, u pranuan në "Listën e trashëgimive kulturore jomateriale të njerëzimit" të UNESCO-s.

Sot "24 fazat diellore" kineze po përhapen në botë dhe shumë të huajve u ka lindur interesi për këtë element të kulturës tradicionale kineze. Më 1 shkurt u zhvillua në selinë e përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork veprimtaria e shkëmbimeve kulturore për "24 fazat diellore" të Kinës. Kjo është hera e parë që organizohet një veprimtari me këtë temë në OKB. Salla eliptike në katin e parë të selisë së OKB-së u mbush plot me atmosferën e kulturës kineze. Shumë vepra artistike lidhur me "24 fazat diellore" tërhoqën mbi 200 zyrtarë të OKB-së, media e persona të qarqeve kulturore.

Një vepër artistike e një nxënëseje nga Pekini tërhoqi shumë shikues. Nxënësja Ge Siyu shfaqi karakteristikat e "24 fazave diellore" me disa piktura të famshme botërore:

"Dua që më shumë njerëz t'i njohin '24 fazat diellore' të Kinës, prandaj përdora piktura të famshme botërore për t'i paraqitur ato. Për shembull, përdora pikturën e piktorit norvegjez Edvard Munch 'Klithma' për të treguar fazën 'Jingzhe' (Zgjimi i insekteve) dhe shfrytëzova 'Lulediellin' e piktorit holandez Vincent van Gogh për të shfaqur fazën 'Liqiu' (Fillimi i vjeshtës)."

Zv.presidenti i kompanisë "Education ArtyBright" të Pekinit, një nga organizatorët e kësaj veprimtarie, Li Congrong, u shpreh se, si elemente të tjera të shkëlqyera të kulturës tradicionale kineze, "24 fazat diellore" janë një çelës për njohjen e qytetërimit kinez dhe njëkohësisht janë pjesë përbërëse e qytetërimeve botërore.

Organizatorët e Javës Ndërkombëtare të Dizajnit të Pekinit janë edhe organizatorët e tjerë të kësaj veprimtarie. Si një platformë e rëndësishme e shkëmbimeve në fushën e dizajnit inovativ në Azi, në vitin 2017, Java e Dizajnit mblodhi nga mbarë globi variantet për siglën e markës së "24 fazave diellore". Përfaqësuesja e Javës së Dizajnit në Nju-Jork Cui Qiao tha se një veprimtari e tillë është një provë e rëndësishme për nxitjen e zhvillimit bashkëkohor të kulturës tradicionale botërore dhe të trashëgimisë kulturore jomateriale, që ka nxitur mbrojtjen e trashëgimive kulturore jomateriale të njerëzimit.

Përkthyesi i gjuhës arabe në OKB Tamanian Kaigham mori pjesë në veprimtarinë e shkëmbimeve kulturore të zhvilluar në selinë e përgjithshme të OKB-së. Sipas tij, "24 fazat diellore" janë rezultati i vëzhgimeve, eksplorimeve e studimeve nga kinezët e lashtë mbi astronominë, meteorologjinë e prodhimin bujqësor dhe janë përfaqësuese të kulturës së lashtë të kombit kinez. Ai e adhuron shumë kulturën kineze:

"Para mijëra vjetëve, Kina krijoi risi mahnitëse në fushën e matematikës, fizikës, astronomisë, mjekësisë etj. Unë e adhuroj shumë kulturën kineze, sepse kjo kulturë ka dhënë një ndihmesë të madhe për qytetërimin njerëzor." (Fani)

Mrekulli