Çaji më i shtrenjtë në botë vjen nga jashtëqitja e pandës

2018-02-01 12:04:30 CRI Komenti juaj Printoni

Çaji për kinezët është si kafeja për italianët, si vera për francezët, si birra për gjermanët dhe purot për kubanët.

Çaji përmban shumë vitamina, antioksidantë të fuqishëm dhe elementë të tjerë. Ai ndikon në përmirësimin e shikimit, të mendjes dhe të zbukuron lëkurën. Nuk besojnë vetëm kinezët në faktin se konsumimi i rregullt i çajit të zgjat jetën dhe përmirëson shëndetin në përgjithësi, por shkenca moderne ka vërtetuar se çaji është një pije natyrale në dobi të organizmit të njeriut.

Kinezët e trajtojnë me seriozitet çajin. Nga taksisti deri tek presidenti i një kompanie pijnë çdo ditë çaj, madje gjatë gjithë ditës. Arti i çajit kinez lidhet me përgatitjen e tij, me pajisjet që përdoren për përgatitjen dhe pirjen e tij. Në një kohë që çaji i përditshëm përgatitet me ujë të ngrohtë dhe gjethet e çajit brenda tij, një ekspert çaji e di mirë se ka detaje shumë të rëndësishme ky ritual. Disa prej tyre janë: koha e zierjes, temperatura e ujit, lloji i brikut apo i filxhanit të çajit nga të cilat varet dhe shija e çajit që pijmë. Të gjitha këto pasojnë kujdesin për rritjen, mbledhjen dhe fermentimin e çajit. Rritja aktuale e kulturës së çajit dhe i shtëpive të çajit mund të interpretohet si rritje e interesit ndaj kësaj pjese të kulturës kineze.

Atdheu i çajit dhe i ariut panda, Kina në kohën moderne ka dhe risi në industrinë e çajit. Tashmë njihet si një ndër çajrat më të kushtueshëm në botë, çaji panda.

Çaji Panda është një lloj çaji që kultivohet në malet e Ya'an, Sichuan dhe i plehëruar nga jashtëqitjet e pandës. Ky njihet si çaji më i shtrenjtë në botë pasi 50 gram çaji shitet me çmimin 3,500 dollarë ose një filxhan çaji kushton 200 dollarë.

An Yanshi, një sipërmarrës vendës i çajit panda, argumenton se çaji është i shëndetshëm, pasi pandat konsumojnë vetëm bambu të egër dhe thithin vetëm rreth 30% të lëndëve ushqyese, duke nxitur kështu "kulturën e riciklimit dhe përdorimit të plehrave organike. Ky tregtar njëherësh kaligraf i njohur i provincës Sichuan të Kinës jugperëndimore e ka rritur çajin panda, duke e plehëruar me 10 ton fekale të pandave. Madje ambicjet e An shkojnë deri aty sa ai ka vendosur çmimin prej 20 mijë yuan ose 3.175 dollarë për 50 gr çaj, me shpresë që do të përfshihet në Librin e Rekordeve Guinness, për çmimin më të lartë të çajit në botë. An ka deklaruar për mediat se çmimi i lartë bazohet në cilësitë rigjallëruese të këtij çaji, që sipas tij burojnë nga plehërimi i bimës së çajit me jashtëqitjet e pandave.

Nga ana tjetër An thotë se studjues të ndryshëm nuk i kanë pranuar hipotezat e tij lidhur me këtë lloj çaji.

Njëri prej tyre është Dr. Shi Jun nga Instituti i Botanikës pranë Akademisë së Shkencave të Kinës, i cili thotë se " ndërsa çaji jeshil mund të parandalojë dhe kurojë tumoret gastrointestinale, nuk ka ende të dhëna se çaji panda mund të ketë të njejtin funksion". Më tej studiuesi thotë se nuk ka të dhëna shkencore që të provojnë se gjethet e bambusë me të cilat ushqehen pandat të kenë veti kuruese të tumoreve. "Edhe sikur gjethet të kenë veti parandaluese të kancerit, thotë Dr. Shi, kjo nuk do të thotë se vetitë mund të transferohen:"

Një tjetër studiues që kundërshton hipotezat e biznesmenit të çajit panda, An është Zhang Hemin, drejtor i Qendrës së Mbrojtjes dhe Kërkimeve të pandave "Wolong". Ai nuk e kundërshton përdorimin e jashtëqitjeve të pandave nga An për plehërimin e çajit, por i kundërvihet aftësive të plehut për të ndikuar në kurimin e kancerit.

Ideja për përdorimin e jashtëqitjes së pandave si pleh organik për çajin i lindi një vendësi, pasi kishte marrë pjesë në një seminar ku mësoi se pandat përdorin vetëm 20% të vlerave ushqimore të gjetheve të bambusë që konsumojnë. Me këtë logjikë ai mendon se pjesa më e madhe e vlerave ushqyese mbeten në jashtëqitjen e pandave.

Një tjetër studjues që shpreh dyshime për ndikimin e plehur organik nga jashtëqitja e pandave është He Yijian nga Universiteti i Karolinës së Veriut.

Disa njerëz e krahasojnë çajin panda me kafenë e rrëqebullit, një lloj kafeje e krijuar nga kokrrat e kafesë që kapërdihen nga një lloj rrëqebulli aziatik dhe kalojnë nga aparati i tyre tretës. Lidhur me këtë studjuesi He thotë se ndërsa tek kafeja ndjehet menjëherë efekti i përftuar nga procesi tretës i kryer nga rrëqebujt, tek çaji panda nuk ndodh një proces i tillë. Krijimi i çajit panda nga sipërmarrësi An nga disa njerëz është quajtur një mënyrë për të shtuar fitimet e tij, kurse të tjerë e konsiderojnë si një përpjekje të tij për mbrojtjen e mjedisit natyror.

Faktet tregojnë se biznesmeni An ka dhuruar të ardhurat nga tregtimi i këtij çaji të rrallë për Aleancën e Vullnetarëve të Mjedisit, që është një organizatë jo-fitimprurëse.

Mrekulli
Lajmet Kryesore