Çaji në dinastitë e Kinës

2018-01-25 15:10:39 CRI Komenti juaj Printoni

"Kur njerëzit pijnë çaj, mendojnë më shpejt, flenë më pak, kanë mendje të kthjellët dhe shikim të qartë."--Shen Nung

Sipas legjendës, pas një ecje të gjatë Shen u ndal pranë një peme për të pushuar dhe vuri një enë me ujë në zjarrin e ndezur prej tij. Ca gjethe çaji, që rriteshin në kopshtin e tij ranë në enën ku vlonte uji dhe Shen ndjeu një aromë të këndëshme. Pasi e piu këtë lëng, ai u ndje i freskët dhe i përtërirë fizikisht.

Një tjetër legjendë thotë se Shen Nung, pasi kishte provuar 72 bimë të ndryshme ishte shtrirë në lëndinë, ndoshta gjysmë i helmuar nga ndonjëra prej bimëve. Nga pema, në hijen e së cilës pushonte, nisën të binin gjethe. Sapo ndjeu aromën e tyre të veçantë, Shen i mësuar me shijimin e bimëve, provoi disa gjethe. Menjëherë atij iu largua ndjesia e helmimit, që i kishte prekur stomakun dhe filloi të ndjehej shumë mirë, fizikisht.

Kjo ndjesi bëri që Shen të niste kërkimet për gjethet e sapozbuluara. Në librin e mjekësisë tradicionale me titull "Shen Nung Herbal", të shkruar nga vetë Shen, nënvizohet se "shija e çajit është paska e hidhur"

Dinastia Zhou (1046-256 p.e.s)

Me ardhjen e dinastisë kineze Zhou (1046-256 p.e.s) pirja e çajit për freskimin e trupit dhe kthjellimin e mendjes nisi të zëvendësohej nga përdorimi i tij për qëllime mjekësore. Njerëzit filluan të thanin gjethet e çajit e t'i gatuanin në formë supe. Për shkak të shijes së hidhët, kjo supë nuk u përhap shumë.

Dinastia Han (206 p.e.s-220 e.s)

Në dinastinë Han (206 p.e.s-220 e.s) vjelja dhe përpunimi i gjetheve të çajit të egër u përmirësuan ndjeshëm. Çaji u bë një pije e preferuar nga familjet fisnike, por nisi të përhapej gjerësisht dhe në popull.

Dinastitë Wei (220-265) dhe Jin (265-420)

Gjatë dinastive Wei (220-265) dhe Jin (265-420), kur metafizika ishte shumë në modë dhe njerëzve u pëlqenin bisedat me karakter filozofik, ato shoqëroheshin me një gotë çaji. Madje çaji u bë pija e banketeve zyrtare.

Perandori i fundit i periudhës së Tri Mbretërive (220-280), Sun Hao u kërkonte ministrave të tij të pinin 6 litra verë, sa herë që shtronte një banket zyrtar. Njeri prej ministrave që nuk ishte pijedashës, veçmas i kërkoi perandorit ta lejonte të pinte çaj. Në atë periudhë, pirja e çajit u përhap nga mbretëria Shu (221-263), tek një shtresë më e ulët e banorëve buzë lumit Yangtze.

Fillimisht çaji përdorej për vetitë e tij shëruese, por pas shekullit të 5-të pirja e tij u shndërrua në modë për klasat e larta të shoqërisë kineze, të cilat pinin çaj në ambjente shoqërore dhe private, si dhe dhuronin paketa çaji.

Dinastia Tang (618-907)

Gjatë dinastisë Tang u zhvillua mjaft ceremonia e çajit dhe pirja e tij u bë popullore. Ishte koha kur çaji u përhap në Japoni me anë të priftërinjve japonezë , që studionin në Kinë.

Dinastia Song (960-1279)

Gjatë dinastisë Song çaji u përhap gjerësisht dhe kjo ishte një periudhë e artë për çajin. Fermat e çajit zinin sipërfaqet e 242 konteve atëkohë. Nga analet e kohës mësohet se çaji më i shtrenjtë, që kultivohej në provincat Zhejiang dhe Fujian eksportohej nga vendet e Azisë Juglindore e deri në vendet arabe.

Çaji nisi të presohet duke formuar kekun e çajit, një formë e veçantë e paraqitjes së tij. Në disa raste këto forma të veçanta paketimi njiheshin dhe me emrat Dragoi kinez dhe Fenghuang, por dhe me emra ekzotikë si "Large Dragon tea cake, Small Dragon tea cake, Surpassing Snow Dragon ball cake, Fine Silver Sprout, Cloud Leaf, Gold Money, Jade Flower, Inch of Gold, Longevity Sprout, Eternal Spring Jade Leaf, Dragon in the Clouds, Longevity Dragon Sprout, Dragon Phoenix and Flower, and Eternal Spring Silver Sprout. Madje gjatë kësaj periudhe janë shkruar veprat për çajin, që mbajnë firmën e kaligrafit Cai Xiang (1012-1067), ndërsa Zhao Ji (1082-1135) shkroi "Vërejtje të përgjithshme për çajin".

Dinastia Ming (1368-1644)

Gjatë dinastisë Ming (1368-1644), kultura e çajit shënoi hapa prapa si pasojë e pushtimit mongol. Por në atë kohë rilindi çaji jeshil dhe çaji Oolong. Zhu Yuanzhang, perandori i parë i dinastisë Ming (1368-1398) dalloi ndryshimin nga çaji i presuar në gjethet e lira të çajit , traditë që ruhet edhe sot.

Në dinastinë Ming nuk mblidheshin më gjethet e çajit të egër, por nisi kultivimi i tij si pemë dhe u përmirësuan ndjeshëm teknikat e përpunimit të çajit. Në këtë mënyrë u arrit në prodhimin e 6 llojeve kryesore të çajit kinez. Kinezët nuk e përdornin më çajin si ushqim apo si ilaç, por kjo pije mori një dimension shpirtëror dhe një kuptim më të thellë kulturor.

Me popullarizimin e çajit, njerëzit në krahina të ndryshme dhe të kombësive të ndryshme zhvilluan traditën e tyre të çajit. Kështu në Guangdong, njerëzit e pijnë çajin në mëngjes, në Fujian preferojnë çaj Kongfu, në Hunan çajin Lei, ndërsa banorët e Sichuanit pëlqejnë "çajin e mbuluar me kapak".

Në Rajonin Autonom të Xizang-ut pihet më shumë çaji me gjalpë dhe kripë, kurse në Rajonin e Mongolisë së Brendshme në çaj shtohet qumësht.

Libri enciklopedik i Wen Zhenheng me titull "Zhang Wu Zhi" me 12 kapituj përmbante çajrat më të famshëm gjatë sundimit të kësaj dinastie dhe karakteristikat e tyre.

Në tekstet e shkruara fjala "çaj" përmendet në Kinën e shekullit të III-të. Promovuesit e parë të çajit në Kinë ishin murgjit budistë, që e përdornin bimën e çajit për pije rituali. Gjatë perandorisë kineze Tang, çaji u përhap në mbarë vendin, falë " Librit të çajit", të shkruar në vitin 760 nga Lu Yu.

Përhapjen më të gjerë tradita e çajit e pati gjatë dinastisë Song. Pikërisht në këtë periudhë kultura e çajit u përhap dhe në Japoni, ku gjatë shekullit XVI, u kodifikua një formë e veçantë e ritualit të çajit, e quajtur "ceremonia e çajit". Në Kinë,gjatë dinastisë Ming nisi konsumimi i çajit me fletë dhe prodhimi i çajit të verdhë të oksiduar , apo pjesërisht të oksiduar.

Mrekulli