Pan Lihui, pronari i librarisë që përhap kulturën kineze në Francë

2018-01-11 15:51:18 CRI Komenti juaj Printoni

 

Franca është vendi i parë perëndimor që vendosi marrëdhëniet diplomatike me Republikën Popullore të Kinës. Marrëdhëniet dypalëshe në të gjitha fushat kanë pasur një zhvillim pozitiv dhe shumë kinezë jetojnë në këtë vend romantik, duke luajtur rolin e tyre për shkëmbimet kulturore e njerëzore midis dy vendeve. Sot do t'ju flasim për një pronar kinez librarie në Paris.

Lagjja Latine në bregun e majtë të lumit Senë në Paris ka një atmosferë të pasur kulturore. Këtu ndodhet Universiteti i famshëm i Sorbonës e Panteoni, si edhe ka shumë librari, një ndër të cilat është edhe libraria kineze "You Feng".

Në librarinë "You Feng" shiten libra në gjuhën franceze lidhur me Kinën, si edhe shumë libra në gjuhën kineze. Kjo librari me sipërfaqe jo shumë të madhe, u hap para mbi 40 vjetëve nga kinezi Pan Lihui. Zoti Pan, me origjinë nga Chaozhou i provincës Guangdong të Kinës, ka lindur në Kamboxhia, dhe ishte djali më i madh i familjes. Për shkak se ka jetuar jashtë Kinës, Pan Lihui nuk flet shumë mirë kinezisht.

Në vitin 1973, Pan Lihui filloi studimet në Universitetin e Sorbonës dhe, pas mbarimit të studimeve, qëndroi në Paris. Kur ishte në universitet, një herë, një bashkëstudent francez bisedoi me të për poetët e dinastisë Tang të Kinës. Pan Lihui u turpërua pak, sepse, si një kinez, ai nuk e njihte shumë mirë poezinë klasike kineze e kulturën kineze në përgjithësi. Që nga ajo kohë, Pan Lihui filloi të blejë libra të ndryshëm lidhur me Kinën dhe u "hipnotizua" nga magjia e kulturës kineze. Me shtimin e pandërprerë të interesit për kulturën kineze, Pan zbuloi se libraritë e Parisit nuk mund t'i plotësonin kërkesat e tij dhe kështu i lindi ideja për të hapur një librari vetë.

Dhe kështu në vitin 1976 Pan Lihui hapi në Paris "You Feng"-un. Gradualisht, "You Feng" u bë libraria e parapëlqyer për kërkimin e librave lidhur me Kinën nga sinologët francezë dhe studiuesit e studentët kinezë në Paris. Për shumë klientë, Pan Lihui është një pronar "magjistar", pasi vetëm me një përshkrim të thjeshtë të klientëve, ai arrin të gjejë menjëherë në raftet e mbushur plot, librat që ata kërkojnë.

Për Pan Lihui-n, hapja e librarisë ishte vetëm objektivi i tij i parë. Tani ai kalon më shumë kohë me përkthimin dhe botimin e librave lidhur me Kinën. Një dhomë e vogël me një sipërfaqe prej 3 metrash katrorë prapa librarisë është shtëpia botuese "You Feng" e krijuar nga zoti Pan. Gjatë dhjetëra vjetëve, Pan Lihui ka organizuar përkthimin dhe ka botuar shumë libra, duke përfshirë vepra të lashta klasike kineze, si "Shiji" e "Shan Hai Jing", fjalorë, tekste etj., që shfaqin të gjitha aspektet e kulturës kineze.

Libri më i pëlqyer nga francezët në librarinë "You Feng" është "Jiaozi-të e Kinës". Në këtë libër shfaqen mënyrat e gatimit të jiaozi-ve (që njihen ndryshe edhe si raviolit kineze) me mbi 100 shije të ndryshme, duke tërhequr vëmendjen e francezëve, që janë të apasionuar pas ngrënies së ushqimeve të shijshme.

Kontributi i zotit Pan për nxitjen e shkëmbimeve kulturore midis Kinës e Francës është vlerësuar lart nga qeveritë e të dy vendeve. Në vitin 1997, Ministria e Kulturës e Francës i dha Pan Lihui-t "Kalorës i Urdhrit të Arteve dhe të Letërsisë", kurse në vitin 2005, ai fitoi çmimin e kontributit të posaçëm për librat kinezë të dhënë nga Drejtoria e Përgjithshme e Shtypit dhe e Botimeve e Kinës.

Sot, Pan Lihui ka hapur edhe një librari tjetër "You Feng" në Paris. Kjo librari e re në rajonin e 13-të ka një sipërfaqe më të madhe dhe më shumë punonjës. Megjithatë, Pan Lihui qëndron çdo ditë në librarinë e vjetër në Lagjen Latine. Ai gëzon lumturinë e leximit si në fillim, duke vijuar ndarjen e kulturës kineze me miqtë francezë. "Në fakt, në Francë, në qoftë se hap një restorant mund të fitosh më shumë para sesa nga një librari. Në fillim e hapa këtë librari për të pasur një hapësirë të qetë për lexim. Më vonë pashë se libraria tërhoqi shumë francezë që duan ta njohin kulturën kineze. Kjo është shumë domethënëse," thotë njeriu që përhap kulturën kineze në Francë. (Fani/Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore