Arkitektura tradicionale e shtëpive kineze

2018-01-04 09:19:03 CRI Komenti juaj Printoni

Kina është një vend me sipërfaqje të madhe dhe ka shumë pakica kombëtare. Klima në zona të ndryshme të Kinës, si dhe doket e zakonet e pakicave kombëtare kanë shtuar karakteristikat tradicionale që janë të dukshme në stile tradicionale në rajone të ndryshme të vendit. Projektimi i banesave tradicionale të Kinës i ka rrënjët tek nevoja e pasjes së një vendi ku familjet kineze të kenë mundësi të jetojnë në një mënyrë tradicionale, me shumë gjenerata që jetojnë nën një çati. Shtëpitë tradicionale kineze ndërtohen nën parimin e fortësisë, por edhe sipas doktrinës Yin-Yang dhe të pesë elementeve. Të gjitha këto kanë pasur një ndikim shumë të madh në projektimin dhe stilin arkitekturor tradicional.

Kinezët i kanë respektuar dhe i respektojnë shumë paraardhësit e tyre. Në këtë kuadër edhe tempujt e lashtë të paraardhësve janë vlerësuar si ndërtesat më të rëndësishme në një familje. Një tempull ndodhet në qendër të ndërtesave që e rrethojnë.

Koncepti i "ritit" në sistemin e lashtë patriarkal të Kinës dhe kodet etike kanë në qendër marrëdhënien midis babait dhe djalit, respekti ndaj të moshuarve dhe dallimet shoqërore mes burrit dhe gruas. Këto kanë pasur një ndikim shumë të madh në strukturën e banesës dhe mënyrën e jetesës. Psh, dhoma që u përkiste prindërve – e njohur si dhoma kryesore- ndodhej në qendër të banesës. Dhomat e vendosura në lindje e perëndim ishin të fëmijëve dhe të nipërve e mbesave. Hierarkitë në familje dalloheshin gjithashtu tek madhësia e dhomave, dizajnimi i brendshëm, cilësia e orendive etj. Psh në atë kohë grave u ishte ndaluar hapësira e madhe dhe ato ishin më të kontrolluara dhe kufizuara. Kjo pasqyrohej në oborret e banesës. Burra kishin oborre me të mëdha që ndodheshin në pjesën e jashtme, ndërsa oborret e grave ishin më të vegjël dhe ndodheshin në pjesën e brendshme.

Feng Shui është shkolla e gjeomancisë që bazohet në doktrinën e lashtë kineze Yin-Yang dhe të 5 elementeve.Ajo është përdorur për të gjetur vendndodhjen më të përshtatshme për ndërtimin e një shtëpie dhe të varreve. Kinezët e lashtë besonin se ndërtesat sipas feng shui mund të kenë një ndikim tepër të lartë tek begatia dhe zhvillimi i një familjeje, prandaj ishte shumë i rëndësishëm dhe konsiderohej i pari në ndërtimin e një banese.

Shtëpitë pekinase (Siheyuan)

Në Kinën Veriore, një nga karakteristikat kryesore të banesave tradicionale janë shtëpitë e ulëta me oborr, pak a shumë si shtëpitë e vjetra tiranase. Banesat që ndodheshin në të dy anët e hutong-ëve ishin siheyuan-ë ose komplekse të ngritura nga katër ndërtesa të cilat formonin një oborr. Siheyuan-ët e mëdhenj të zyrtarëve të rangut të lartë dhe të tregtarëve të kamur shpesh kishin çati me trarë e kulmarë të gdhendur e të pikturuar bukur dhe kopshte të zbukuruar me kujdes. Siheyuan-ët e njerëzve të zakonshëm ishin shumë më të vogla dhe më të thjeshta në arkitekturë e në zbukurime. Në të vërtetë, hutong-ët janë udhëkalime të krijuara nga një numër i madh siheyuan-ësh të përmasave të ndryshme, të ndërtuar të gjithë pranë njëri-tjetrit. Pranë të gjithë siheyuan-ëve kishte shumë ndërtesa dhe porta kryesore që binin nga jugu për të pasur ndriçim më të mirë, kështu që pjesa më e madhe e hutong-ëve janë të drejtuara nga lindja në perëndim. Ndërmjet hutong-ëve kryesorë, shumë rrugina të ngushta kanë drejtimin nga veriu në jug për të bërë të mundur një kalim sa më të përshtatshëm. Porta e oborrit Siheyuan hapet zakonisht në pjesën juglindore ose në pjesën veriperëndimore. Dhoma drejt jugut është dhoma zyrtare. Dhoma zyrtare është ndërtuar mbi themel prej guri dhe është më e madhe se ndërtesat e tjera. Kjo dhomë është vendi ku banon i zoti i oborrit. Në të dy anët e oborrit janë dhoma drejt lindjes dhe dhoma drejt perëndimit, ku banojnë pasardhësit e të zotit të oborrit. Mes dhomës zyrtare dhe dhomave anësore është ndërtuar një korridor, ku njerëzit mund të ecin ose të bëjnë pushim. Muret e oborrit Siheyuan nuk kanë zakonisht dritare dhe kështu që, brenda oborrit, mjedisi është i mbyllur dhe i qetë. Struktura e oborrit Siheyuan është e veçantë. Oborri është i gjerë dhe i hapur. Banesat në të katër anët janë të pavarura nga njëra-tjetra, por janë të lidhura me korridorin. Brenda oborrit mund të mbillen dhe pemë e lule, e madje mund të rriten edhe zogj, peshq etj. Oborri Siheyuan është një lloj banese, por ka përmbajtje të theksuar kulturore dhe është simbol i kulturës tradicionale të Kinës. Ndërtimi dhe zbukurimi i oborrit Siheyuan mishëron doket, zakonet e kulturën tradicionale dhe tregon kërkesën e njerëzve për lumturi, bukuri, pasuri dhe fat.

Banesat në Huizhou

Huizhou njihet për fshatrat e bukur që ndodhen në afërsi të maleve dhe lumenjve. Në dinastitë Ming dhe Qing feng shui në Huizhou ishte shumë i rëndësishëm. Banorët mendonin se për të pasur begati dhe fat të mira banesat duhet të ndërtohen në afërsi të ujit dhe marrja e ujit me kova ishte njësoj si marrja e pasurisë. Fshati Hong në Anhui është quajtur dhe si "Fshati në pikturat kineze". Stili i rugëve të tij, ndërtesat e lashta, dekorimet dhe banesat e banorëve dhe sistemet ujore atje i japin këtij fshati një rëndësi të madhe unike. Huizhou është një nga zonat e Kinës ku banorët me të njëjtin mbiemër jetojnë së bashku. Zakonisht banesat në këtë qytezë janë me oborr dhe banesat e këtij stili i gjejnë edhe në rajonet e tjera të Kinës si Jiangsu, Zhejiang, Anhui dhe Jiangxi. Kur hapet dera e një banese në këtë zonë ka një sheshpushim të vogël në qendër dhe dhomat janë të vendosura përreth. Më pas ndodhen shkallët dhe kuzhina. Banesa rrethohet nga mure të lartë të bardhë dhe nga tjegulla të zeza me lartësi të ndryshme. Huizhoi ka qenë historikisht i populluar me tregtarë të pasur. Banesat në Huizhou njihen për cilësinë e drurit, tullave dhe skalitjet ne gur. Për të parandaluar përhapjen e zjarreve, banorët në të vend ndërtuan banesa me mure të lartë.

Shtëpite në Fujian

Ndërtesat tulou në Fujian ndodhen kryesisht në distriktet Yongding, Nanjing dhe Huaan, që shtrihen në malet e larta të provincës Fujian. Ndërtesat tulou në Fujian janë banesa të mëdha e të vetme në botë në zonat malore dhe janë të njohura për stilin e tyre të veçantë të ndërtimit, historinë dhe kulturën e tyre të gjatë. Më 6 korrik 2008 ndërtesat tulou të Fujian-it u përfshinë në "Listën e trashëgimive botërore" në Konferencën e 32-të Botërore të Trashëgimive, të mbajtur në Kanada.

Tulou-t në Fujian filluan të ndërtoheshin në periudhën e dinastive Song dhe Yuan. Këto tulou të ndërtuara sipas relievit të maleve, të planifikuara në mënyrë racionale dhe të mbështetura mbi konceptin e gjeomancisë të arkitekturës tradicionale kineze, janë të përshtatshme për banimin e përqendruar të një farefisi dhe në përputhje me kërkesat e mbrojtjes. Në ndërtimin e këtyre tulou-ve janë përdorur në mënyrë të mrekullueshme copat e vogla të tokave të sheshta në mes të maleve dhe materiale ndërtimi të marra në vend, si drurë, gurë etj. Këto banesa ishin të forta, të bukura dhe të afta për mbrojtje. Tulou-t me muret e trasha në pjesën e poshtme janë shumë të fortë dhe u qëndrojnë mirë erës, ujit dhe tërmetit, e disa prej tyre janë të qëndrueshme edhe ndaj zjarrit. Të gjithë tulou-t u kanë rezistuar provave të tërmeteve të ndryshme dhe qëndrojnë ende më këmbë.

Veçoria tjetër e këtyre banesave është struktura shumë e rregullt, të gjitha dhomat janë të një madhësie. Pjesa më e madhe e tyre kanë vetëm një portë dhe nga një oborr të brendshëm secili, në to mund të rezervohen drithëra për gjysmë viti dhe ato mund të shërbejnë si kështjellë për t'u mbrojtur nga vjedhësit e banditët. Këto ndërtesa janë të freskëta në verë e të ngrohta në dimër dhe janë shumë të pastra, sepse oxhakët i kanë të futur brenda në mur.

Jurta mongole

Tendat mongole në formë konike në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme quhen jurta. Ato janë të vendosura në kullotat e gjera në këtë zonë, ku jetojnë nomadët. Kjo jurtë ka një diametër 4-6 metra. Në majë ka një çati si çadër që hapet e mbyllet lirisht për të lejuar diellin të hyjë brenda. Në mes të jurtave banorët vendosin një zjarr për t'u ngrohur ose për të gatuar. Dyshemeja dhe muret janë të zbukuruara me tapetë të dekoruar me motive tradicionale, duke krijuar një ambjent të brendshëm të ngrohtë. Banorët e rajonitë të Mongolisë së Brendshme janë nomadë dhe ata shpërngulen dy herë në vit, zakonisht në maj dhe tetor.

Shtëpite e bambusë në Yunnan

Pakica kombëtare e Kinës Dai është një minoritet i lashtë që jeton kryesisht në Xishuangbanna në Yunnan. Në këtë zonë bie shumë shi. Atje banesat janë të ndërtuara me bambu. Shtëpitë kanë formë katërkëndëshe dhe janë të ngritura disa centrimetra nga toka. Ky boshllëk poshtë shtëpisë përdoret për magazinim si dhe per ajrosje dhe parandalimin e përmbytjeve. (Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore