Tan Yuanyuan, "Zhizela" e baletit kinez

2017-12-27 21:58:53 CRI Komenti juaj Printoni

Tan Yuanyuan-i është një nga balerinat kineze më të talentuara. Mjeshtëria e saj e jashtëzakonshme ka mahnitur qarqet ndërkombëtare të baletit, duke i sjellë asaj famë botërore. Ajo është e vetmja balerinë kryesore kineze në Trupën e Baletit të San-Franciskos, një nga tre trupat kryesore të baletit në ShBA. Mund të thuhet se Tan Yuanyuan është një balerinë e lindur, me një fytyrë të hollë dhe trup elegant. Ajo është 1.66 metra e gjatë dhe peshon vetëm 47 kilogramë. Pjesa e poshtme e trupit të saj është 13 cm më e gjatë sesa pjesa e sipërme.

Tan Yuanyuan-i ka lindur në vitin 1977 në Shangai. Kur ishte në moshën 5-vjeçare, ajo pa për herë të parë në televizor një pjesë baleti, pikërisht "Liqenin e mjellmave", por sigurisht në atë kohë vajza e vogël nuk mund ta dinte se ç'ndikim do të kishte baleti në jetën e saj. Nëna e Tan Yuanyuan-it zbuloi se e bija kishte talent të lindur për balet, kurse i ati ishte kundër që ajo të kërcente balet, duke shpresuar që vajza e tij të bëhej mjeke. Por, me këmbënguljen e së ëmës, kur ishte 11 vjeçe, Tan Yuanyuan-i u pranua në Shkollën e Baletit të Shangait. Për shkak se e filloi shkollën me vonesë, në fillim Tan Yuanyuan-i mbeti prapa me mësime. "Në atë kohë shoqet e mia të klasës mund të kërcenin mirë, por unë nuk kisha qëndrueshmëri," tregon Tan.

Mësuesit e Tan Yuanyuan-it, Lin Meifang e Chen Jianian, nuk hoqën dorë nga kjo nxënëse me cilësi të spikatura fizike. Ata harxhuan shumë kohë në përgatitjen e saj dhe falë rigorozitetit të tyre, niveli i Tan-it u ngrit shpejt.

Tan Yuanyuan-i e mban mend ende ngjitjen e parë të saj në skenë në moshën 14-vjeçare. Ajo do të merrte pjesë në një konkurs baleti në Shangai, por nga emocionet e mëdha u fsheh në prapaskenë dhe nuk kishte guxim të dilte në skenë. Tan Yuanyuan-i shprehet duke qeshur se kur më në fund doli në skenë, trupi i saj dridhej pa pushim, madje edhe kur muzika pushoi, ajo mund t'i ndalte dot të dridhurat. Ajo e quan këtë të vetmen përvojë dështimi në shfaqje.

Falë ngulmimit, mjeshtëria e Tan Yuanyuan-it u rrit me shpejtësi. Pas një viti, kur ishte 15-vjeçare, Tan fitoi çmimin e parë me një epërsi absolute në Konkursin e 5-t Ndërkombëtar të Baletit në Francë. Interpretimi i saj u lë anëtarëve të jurisë përshtypje shumë të thella dhe kryetarja e jurisë, balerina e famshme Galina Ulanova, i dha pikët e plota. Në banketin e shtruar pas konkursit, Tan Yuanyuan-i u takua me Galina Ulanovan, që ishte edhe idhulli i saj i fëmijërisë. Legjenda e baletit rus i tha vajzës së re: "Je shumë e shkëlqyer dhe mund të kërcesh në tre stile të ndryshme. Por të këshilloj të kërcesh me zemër, sepse baleti nuk është vetëm punë mjeshtërie. Duke kërcyer me zemër, ti do të bëhesh artiste."

Këtë konkurs e kishte ndjekur edhe drejtori i përgjithshëm artistik i Trupës së Baletit të San-Franciskos Helgi Tomasson, duke parë interpretimin e të gjithë pjesëmarrësve për të gjetur anëtarë të rinj për trupën. Ai u mrekullua nga mjeshtëria e kërcimit të Tan Yuanyuan-it.

Në vitin 1995, 18-vjeçarja e atëhershme Tan Yuanyuan po studionte në Shkollën e Baletit të Shtutgartit në Gjermani, dhe planifikonte ta niste karrierën profesioniste në Trupën e Baletit të Shtutgartit pas mbarimit të studimeve. Pikërisht në Shtutgart, Helgi Tomasson, që e kishte kërkuar gjithmonë këtë vajzë kineze, u takua përsëri me Tan Yuanyuan-in dhe e ftoi të bëhej anëtare e Trupës së Baletit të San-Franciskos.

Tan Yuanyuan-i e pranoi ftesën e Tomasson-it dhe u bë solistja më e re në historinë e Trupës së Baletit të San-Franciskos. Me përpjekjet e saj të palodhshme, Tan fitoi mirëpritjen e të gjithë anëtarëve të trupës. Një herë, një nga balerinat kryesore në "Koncertin për violinë të Stravinskit" të koreografit të njohur George Balanchine theu gishtin dhe si pasojë ajo nuk mund të merrte pjesë në shfaqjen e së nesërmes. Drejtori i trupës i dha Tan Yuanyuan-it një videokasetë të "Koncertit për violinë të Stravinskit" dhe e pyeti nëse mund ta mësonte rolin brenda një nate. Tan Yuanyuan-i e pranoi pa ngurrim këtë sfidë. Dhe për fat të mirë, ajo ia doli me sukses dhe pas kësaj, interpretoi në shumë raste rolin kryesor në shfaqje. Në moshën 20-vjeçare, Tan Yuanyuan u bë kryebalerinë e Trupës së Baletit të San-Franciskos. Si e tillë, ajo ka interpretuar në mbi 100 shfaqje në vit dhe ka luajtur rolin kryesor pothuajse në të gjitha baletet klasike, si "Liqeni i mjellmave", "Bukuroshja e fjetur", "Zhizelë", "Arrëthyesi" etj.

Tan Yuanyuan-i i shfaq botës forcën e baletit aziatik. Në vitin 2004, ajo ishte në kopertinën e revistës së njohur amerikane "Time". Revista profesioniste japoneze "Dance" e ka përzgjedhur Tan Yuanyuanin si "Zhizela më e mirë". Balerina e njohur kineze ka interpretuar dhe është duartrokitur nga shikuesit në skenat e mbarë botës.

Vitet e fundit, Tan Yuanyuan-i e kalon më shumë kohën në mësimdhënien e baletit. Para dy vjetësh ajo hapi në Institutin e Teatrit të Shangait studion e vet të baletit. Ajo shpreson se do të përgatitë më shumë balerinë e balerina kineze që do të bëhen të njohur në skenën ndërkombëtare. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore