Studentët shqiptarë zgjedhin Pekinin për studimet master dhe PhD

2017-12-07 19:20:04 CRI Komenti juaj Printoni

Pekini është shquar ndër vite për universitetet e tij, por dhe për institutet dhe akademitë shkencore dhe studimore, të cilat përveç rritjes së numrit të studentëve vendës janë bërë vatra dije dhe për të rinj nga e mbarë bota. Kohët e fundit është parë një rritje e numrit të shqiptarëve, të cilët vijnë në Pekin për studime. Në emisionin e sotëm kemi përzgjedhur tre shqiptarë të cilët zgjodhën të studiojnë në Pekin.

1. Ravik Mima, student doktorature në Universitetin e Pekinit

Universiteti i Pekinit është një ndër universitetet më të mirë të botës. Kampusi i tij ndodhet pranë Pallatit të Verës. Ai u ndërtua si Universiteti Perandorak i Pekinit në vitin 1889, ndërsa emrin aktual e ruan që nga viti 1912. Kampusi universitar është i një sipërfaqeje të paimagjinueshme. Që nga koha e themelimit të tij Universiteti i Pekinit ka qenë një nga shkollat e larta më të rëndësishme në nivel kombëtar, por edhe ndërkombëtar. Universiteti i Pekinit është një qendër akademike dhe kërkimore shkencore si dhe një urë e rëndësishme bashkëpunimi me universitetet ndërkombëtare.

Ravik Mima është një student shqiptar, i cili po ndjek studimet PhD pranë këtij universiteti. Ai përfundoi studimet në Bocconi në Milano në fushën e e ekonomisë, ka marrë pjesë në kurse profesionale të Universitetit të Harvardit dhe tani zgjodhi Pekinin për të kryer doktoraturën po në fushën e ekonomisë. Po përse kjo zgjedhje?

Le ta mësojmë këtë nga vetë Raviku, të cilin patëm rastin ta intervistonim në një event në Pekin.

"Universiteti i Pekinit është një ndër universitetet më të mira jo vetëm në Kinë dhe Azi, por edhe në të gjithë botën. Pra, flasim për një universitet të një kalibri ndërkombëtar, i cili është gjithashtu edhe universiteti më i vjetër në Kinë. Një tjetër arsye është se Kina si një nga vendet me një zhvillim të paprecedentë ekonomik e me një histori suksesi shumë interesante për t'u studiuar në vetvete, mendoj që do ishte e udhës për të marrë disa leksione nga eksperienca e tyre", thotë ai, duke shtuar edhe vështirësitë e veta të këtij rrugëtimi.

"Kursi dhe rrugëtimi akademik që po ndjek është tepër kërkues, kërkon kohë dhe impenjim, por nga ana tjetër ky nivel intensiteti akademik po ashtu përkthehet në një eksperiencë akademike shumë interesante. Kam shansin që të kem disa nga profesorët më të njohur jo vetëm në rang kombëtar por edhe në rang ndërkombëtar, si rasti i profesorit Justin Lin që ka qenë shef ekonomik i Bankës Botërore dhe pa dyshim një nga ekonomistët më të njohur në Kinë, por edhe profesorë të tjerë që kanë mbaruar studimet në disa nga universitetet më të njohura të botës kryesisht nga Harvard. Nga ana tjetër, kuptohet që Kina është ndryshe nga çfarëdo lloj eksperience tjetër që kam pasur më përpara, pavarësisht se ka disa struktura si ajo sociale që për disa gjëra është e ngjashme me ne e për disa të tjera është goxha e ndryshme. Të jetosh në një komunitet ndërkombëtar me studentë nga e gjithë bota brenda një komuniteti kinez që është me të vërtetë shumë mikpritës".

Haris Vongli, studime master në Universitetin Tsinghua

I themeluar në vitin 1911 fillimisht ky universitet njihet me emërtesën "Tsinghua Xuetang", ndërsa emrin aktual e mori që në vitin 1928.Ky universitet është shumëdisiplinor, fokusohet kryesisht në specialitetet inxhinierike, formimin e personelit teknik dhe njihet si një vatër e rëndësishme e shkencave inxhinierike jo vetëm brenda Kinës, por dhe jashtë saj. Pas hapjes së Kinës në vitin 1978 Universiteti Tsinghua hyri në rrugën e zhvillimit të pandërprerë.

Si një nga universitetet e mirënjohura të Kinës, Tsingua është shndërruar në një institucion i rëndësishëm për thithjen e talenteve në fushën e arsimimit dhe të mësimdhënies por dhe të mbledhjes së talenteve në fushën kërkimore dhe shkencore.

Haris Vongli ka kryer studimet universitare në Londër në degën Drejtësi dhe Politikë, me fokus të drejtat e njeriut. Pas këtyre eksperiencave akademike ajo vendosi të jetojë dhe studiojë në Pekin duke zgjeruar fushën e saj të kërkimore në zhvillim ndërkombëtar. Fokusi kryesor ishte pikërisht administrimi publik dhe marrëdhëniet politike dhe ekonomike të Kinës me botën.

"Mora një bursë nga Ministria e Tregtisë së Kinës për të studiuar në Universitetit Tsingua të Pekinit, që është një ndër universitetet më të mira në Kinë, Azi dhe në Botë. Unë duke qenë një arsimdashëse e madhe nuk i them asnjëherë jo eksperiencës së edukimit. KIsha shume ëndje për të njohur kulturën dhe gjithashtu për t'u përpjekur për të mësuar gjuhën dhe e dija gjithashtu që kishim një numër shumë të madh pedagogësh të shkëlqyer nga universitetet më të mira botërore. Gjithashtu doja që të specializohesha më shumë në administrim publik, qeverisje dhe zhvillim ndërkombëtar."

"Në Pekin është krejt një jetë tjetër, totalisht një eksperiencë e re. Në fillim pëson një shok kulturor, pasi çdo gjë është ndryshe, përfshi ushqimin, gjuhën kulturën etj. Këtu është një ambjent shumë I dashur dhe njerëzit janë shumë të ngrohtë. Kina është një vend shumë i madh, një vend ku është shpërngulur e gjithë vëmendja botërore, sidomos ekonomikisht. Zhvillimi ekonomik i Kinës ka bërë që të lëvizë e gjithë ekonomia botërore dhe bashkë me të shkëmbimet njerëzore, arti, kultura etj."

Megi Dumi, studente PhD në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë

Megi Dumi ndjek studimet për doktoraturë në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë në Pekin. Ajo është në vitin e dytë në degën Menaxhim Korporatash. Ky është viti i saj i katërt në Pekin. Ajo përveç studimeve për doktoraturë ka përfunduar edhe studimet master në Pekin për Tregti Ndërkombëtare. Jeta e saj studentore është shumë aktive.

Le të dëgjojmë vetë Megin në një invtervistë për CRI SHQIP.

"Aplikova dhe fatmirësisht u pranova që të vija këtu të ndiqja studimet e masterit. Si degë zgjodha tregti ndërkombëtare. Arsyeja pse unë zgjodha Kinën është e ngjashme edhe me arsyet që mund të dëgjohen nga studentë të tjerë si zhvillimi i shpejtë, mundësitë e tregtisë, Kina një nga superfuqitë botërore, ekonomia e së cilës është duke u rritur gjithnjë e më shumë dhe këto janë vërtetë arsye që qëndrojnë. Megjithatë unë kisha studiuar financë më parë, por doja diçka që edhe të kishte lidhje me profesionin tim, por edhe të më jepte diçka shtesë. Studimet e masterit dhe të doktoraturës i ndjek në gjuhën angleze. Profesorët janë të gjithë profesorë kinezë, të cilët kanë studiuar ose janë specializuar jashtë, kryesisht në SHBA dhe vende të tjera anglishtfolëse. Profesorë me një karrierë akademike të gjatë, praktikisht personat e duhur për të dhënë mësim në një gjuhë që për Kinën është e huaj. Kam ndjekur dhe leksionet e profesorëve të huaj të ftuar në Kinë. Kryesisht univeristetet këtu e ndjekin shumë këtë praktikë në kuadër të shkëmbimeve kulturore dhe akademike."

Por si i nisi ajo studimet për doktoraturë...

"Pak para se të diplomohesha, shkolla më ofroi që të aplikoja për të ndjekur studimet e doktoraturës. Doktoratura ishte në planet e mia arsimore dhe akademike, prandaj falë mundësisë që u krijua e pranova. Viti i parë ishte plotësimi i krediteve, bëmë lëndë të rëndësishme që na ndihmojnë në kërkimin në temën që kemi zgjedhur. Një gjë pozitive ishte se për mua ishte i njëjti universitet si ai që ndoqa studimet master. Pedagogët janë shumë të komunikueshëm, përpiqen që t'i bëjnë të huajt të ndihen mirë, dhe jo të përjashtuar, megjithatë në përgjithësi kinezët janë shumë të sjellshëm dhe shumë mikpritës dhe shumë të gatshëm të ndihmojnë. Deri tani kam punuar për një artikull e kam përfunduar dhe është në procesin e rishikimit nga supervizori im. Programi i doktoraturës në Kinë është katër vjet dhe numri i artikujve që duhen shkruar është pak më i lartë se në vendet e tjera ku doktoratura është 3 vjet. Doktoratura nuk është një proces i lehtë, megjithatë mua gjithnjë më ka pëlqyer ana kërkimore dhe ana akademike. Mundësitë që të ofron Kina janë të shumta megjithatë ende nuk kam një plan për të ardhmen. Për momentin jam e kënaqur këtu, jam përshtatur me ritmin e jetës dhe ndihem e dobishme dhe ndihem sikur po bëj diçka me vlerë. Paralelisht po studioj edhe gjuhën kineze dhe po marr pjesë në organizimin e eventeve të ndryshme në shkollë si monitore e studentëve të PhD.

Mrekulli
Lajmet Kryesore