Bi Feiyu, një zë i veçantë i letërsisë kineze

2017-11-16 10:20:56 CRI Komenti juaj Printoni

Të paktë e dine se subjekti i filmit të njohur "Triada e Shangait" është marrë nga libri me të njejtin titull i shkrimtarit bashkëkohor kinez Bi Feiyu.

Me një thjeshtësi të rrallë shkrimtari nuk ka folur shpesh për bashkëpunimin me regjizorin e famshëm kinez Zhang Yimou.

Bi Feiyu është fitues i çmimeve të rëndësishme letrare jo vetëm në Kinë, por dhe jashtë saj ndër të cilët, Çmimi kinez për Letërsinë Maodun, Çmimi Lu Xun për romanet e tij, Çmimi i madh Shqiponja e Kuqe, por dhe Man Asian Literary Prize e shumë të tjerë.

Karriera letrare

Bi Feiyu nisi udhën e tij si romancier në gjysmën e viteve 80-të të shekullit të kaluar. Ai shquhet për modesti, por njëherësh është një rebel që ka guxim të kritikojë veset e shoqërisë së sotme.

Stili i tij është kaq elegant sa jo rastësisht kritika e ka cilësuar si "shkrimtari më i mirë mashkull që flet për ndjenjat femërore ".

Bi është autor i romaneve të cilësisë së lartë artistike ndër të cilët "The Moon Opera", "Three Sisters", "The Plain"si dhe "Mjeshtrat e Tuinës".

Bi Feiyu tregon në veprat e tij një simpati të veçantë për njerëzit me aftësi të kufizuara fizike. Duke u njohur me përvojën e një shkolle për të verbërit, Bi shkroi romanin e tij "Mjeshtrat e Tuinës", i cili është nderuar me Çmimin e lartë letrar të Kinës Maodun.

"Mjeshtrat e Tuinës"

Romani ka në qendër masazhatorë të verbër. Në Kinë numërohen rreth 40 milion të verbër, një pjesë e të cilëve i janë përkushtuar profesionit të masazhatorit tuina. Është një grup kaq i madh sa popullsia e një shteti europian . Sipas autorit Bi kjo shtresë e popullsisë me aftësi të kufizuara të shikimit nuk është shumë e njohur nga shoqëria kineze. Një nga motivimet e shkrimtarit për romanin "Mjeshtrit e tuinës" është dhe ndërgjegjësimi i shoqërisë për ta. Ai thotë se ata kanë një dinjitet të spikatur, që duhet të merret shembull nga pjesa tjetër e shoqërisë. Romani sjell për lexuesit jetën e masazhatorëve të verbër, dhimbjen apo gëzimet e tyre në atë botë të errët, që e sfidojnë me punë dhe shumë dinjitet.

Bi, shkrimtar i dhimbjes njerëzore

Në shumicën e veprave të këtij autori ka dhimbje njerëzore. Vetë shkrimtari i pyetur për këtë ka thënë se nuk është qëllimi i tij të fokusohet te dhimbja. Por nga ana tjetër ai pranon se ndonëse në romanet e tij ka një mori personazhesh me karaktere të veçanta, ata i bashkon dhimbja njerëzore. Ai është i mendimit se në zemrat e kinezëve mbetet një përqindje dhimbjeje, pavarësisht se ata si çdo njeri në botë ëndërrojnë lumturinë.

Fshati një temë e preferuar e shkrimtarit

Veçanërisht në romanet e tij "The Plain"dh e "Three Sisters". Bi Feiyu fokusohet te tema e fshatit. Për këtë në një intervistë për median e huaj vetë autori përgjigjet se ka jetuar në fshat dhe ka përjetuar emocione të forta, ndaj do të ishte e pamundur të mos i shkruante ato në veprat e tij. Madje ai shton se për të rinjtë e sotëm është disi e vështirë dhe e largët kjo temë pasi ata janë tepër të lidhur me dinamikën urbane.

Kritika letrare brenda dhe jashtë Kinës e cilëson unik stilin e shkrimtarit Bi Feiyu.(Eda Merepeza)

Mrekulli