Artisti Zhani Ciko "takon" profesorin kinez Chen Bigang

2017-10-25 15:59:20 CRI Komenti juaj Printoni

Pianisti Chen Bigang dha mësime pianoje në Institutin e Lartë të Arteve të Shqipërisë në vitet 1963-1966. Falë kontributit të tij u krijua brezi i parë i pianistëve profesionistë shqiptarë, Anita Tartari, Margarita Kristidhi, Robert Radoja, Zhani Ciko e shumë të tjerë.

Në një intervistë për Radion e Jashtme të Kinës, zoti Chen Bigang tha se "kinezët janë të zellshëm, por shqiptarët janë të talentuar. Ata kanë karakter më të hapur, kurse ne kinezët jemi më të përmbajtur, më pragmatikë. Në fushën e artit këto ndryshime i ndjen fort. Pikërisht ky karakter i hapur i shqiptarëve i bëri ekspertët kinezë që punuan në Shqipëri në periudha të ndryshme kohore të mos ndjenin shumë mungesën e familjes dhe vetminë", tha profesori Chen.

Brezi i ish studentëve shqiptarë të Institutit të Lartë të Arteve nuk e harroi profesorin kinez Chen Bigang, me të cilin ishte lidhur jo vetëm në marrëdhëniet, student-pedagog, por dhe si miq.

Në një intervistë në Radio Tirana, muzikanti i njohur Zhani Ciko duke folur për marrëdhëniet shqiptaro-kineze tregon lidhjen e tij me profesorin kinez të pianos, Chen Bigang.

"Mua më ka interesuar marrëdhënia me kulturën kineze, me artistët, të cilët pak nga pak filluam ti njohim dhe të dimë vlerat e tyre. Një ndikim të madh në formimin tonë si muzikantë pati pianisti Chen Bigang. Ai u bë shumë i afërt për ne që ditën e parë, pasi ai ishte një person jo vetëm shumë i kultivuar, përsa i perket pianos, por dhe si njeri tepër i veçantë. Ai pati një ndikim tepër të madh në brezin e pianistëve të asaj periudhe, që më vonë u bënë pedagogët e parë të klasës shqiptare të pianos, koncertistët, një pjesë e të cilëve janë aktivë edhe sot. Mund të përmend këtu Margarita Kristidhin, Anita Tartarin apo Robert Radojën , që kanë qenë studentë të profesorit Chen Bigang. Edhe ne studentët e tjerë e ndjenim të afërt këtë profesor kinez, për shkak të vlerave që na tregonin studentët e tij."

Zhani Ciko kujton se profesori Chen Bigang gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri në vitet 60-të luajti dhe në disa koncerte, si një pianist profesionist.

Ndër kujtimet e tij më të bukura të kohës studentore është ai me profesorin kinez të pianos Chen. Zhani Ciko kujton se ndërsa studjonte në një nga korridoret e Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë, rondonë kapriçioze një vepër tepër e vështirë nga ana interpetative, kalon pranë tij profesori Chen. Studenti Ciko i thotë se e ka të vështirë ta interpretojë si duhet këtë pjesë dhe madje e ka provuar 20 herë atë. Zhani Ciko kujton se profesori Chen vuri buzën në gaz dhe i tha:"Ah ka një ilaë!. Nuk duhet ta praktikosh 20 herë, por 200 herë", kujton ai.

Në intervistën e tij artisti shqiptar Zhani Ciko tregon se bashkë me ish studentët e profesorit kinez Chen Bigang, kur ushtronte detyrën e Drejtorit të Teatrit të Operas dhe Baletit të Tiranën mundësoi një vizitë të profesorit të dashur në Tiranë, pas afro 40 vjetësh nga largimi i tij nga Shqipëria. Emocionet e këtij takimi kanë qenë vërtet të mëdha për të dy palët, por ajo që mbetet është miqësia e tyre pa kushte dhe kaq jetëgjatë.

Kush është Zhani Ciko

Zhani Ciko lindi në Tiranë më 8 dhjetor 1945, bir I solistit të Operas dhe mjeshtrit të korit Mihal Ciko. Mësimet e para për violinë i mori që në moshën pesë vjeçare nga daja i tij kompozitori i njohur shqiptar Nikolla Zoraqi. Pas përfundimit të Liceut Artistik ai vazhdon studimet në Konservatorin Shtetëror të Tiranës për violinë. Pas diplomimit fillon punë si violinist solist dhe Koncert-Maestër në Orkestrën e Teatrit të Operas dhe Baletit dhe në Filarmoninë Shqiptare. Në të njëjtën kohë punonte edhe si pedagog i violinës në Institutin e Lartë të Arteve. Në vitin 1970 në moshën 25 vjeçare Ciko emërohet Drejtor Atrtistik i Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë , ndërsa që nga viti 1979 rikthehet pedagog i violinës e më pas Drejtor i Liceut Artistik Jordan Misja në Tiranë. Më 1989 u emërua Drejtor Artistik i Orkestrës Sinfonike të Radio Televizionit Shqiptar. Zhani Ciko ka drejtuar edhe master class në Itali, Francë, Hungari, dhe është anëtar i përhershëm i disa jurive ndërkombëtare në Shqipëri dhe jashtë vendit. Nën drejtimin e tij orkestra ka fituar çmimet më të larta të vendit në Koncertet e Majit, në Konkurset e Shkollave të Muzikës, që në turnetë e para më 1989 në Austri, Italidhe Greqi, arriti sukses edhe jashtë Shqipërisë.(Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore