3 vepra të reja të Nobelistit kinez Mo Yan

2017-10-02 13:44:33 CRI Komenti juaj Printoni

Vepra më e re e Nobelistit kinez Mo Yan, "Jin Yi" ku përfshihen tregime të shkurtëra, të cilat do të botohen nga revista "Letërsia e popullit". Lajmin për krijimet e reja e bëri të ditur vetë shkrimtari i cili tha se gjatë qëndrimit në vendlindjen e tij Gaomi, të provincës Shandong ai i kishte shkruar ato. Ai foli për tregimet e tij të reja, ndër të cilat më i gjati përmban 10 mijë fjalë gjatë takimit të tij në Panairin e 24-të Ndërkombëtar të Librit të Pekinit, që u zhvillua në fund të gushtit. Mo Yan tha se tregimet e tij mund të lexohen në revistat letrare "Letërsia e Popullit" dhe "Harvest".

Mo tha se kjo është hera e parë që ai ka botuar tregimet e tij njërin pas tjetrit pas një pauze 5 vjeçare të tij. "Ndjeva ide të reja, kur rinisa të shkruaj. Gjithçka ndryshon dhe gjithkush po ndryshon, ndaj ato karaktere që kam krijuar në të kaluarën kanë dalë nga skena. Tani është koha për fytyra të reja".

Lexuesit dhe dashamirësit e shkrimtarit të mirënjohur Mo kanë pritur me mjaft entuziasëm lajmin e tij për tregimet e reja, që pas marrjes së Çmimit Nobel në letërsi të këtij autori.

Në një bashkëbisedim gjatë Panairit të Librit ku kishte një pjesëmarrje të gjerë të përkthyesve të veprave të Mo Yan-it nga e mbarë bota, vetë autori tha se pas Nobelit, kishte ndjerë një presion të madh mbi punën e tij. Madje ai shtoi se kur një autor nis të shkruajë është më mirë të mos mendojë për atë qe pret lexuesi prej tij, pasi standardi i veprave cilësore nuk është i njejtë për çdo lexues. "Nëse një shkrimtar mendon shumë se çfarë do ti pëlqente më shumë lexuesve të tij dhe a do të ishin krijimet e tij të mirëpritura nga lexuesi, ai nuk do të dijë si të shkruajë", u tha Mo Yan të pranishmëve në takimin e organizuar për nder të tij në Panairin e 24-të Ndërkombëtar të Librit në Pekin.

" Jin Yi", vepra e re e shkrimtarit Mo, ndërthur subjekte të shumta kulturore të operas së Shandongut, por nuk është e kufizuar në shprehjen locale të kohës dhe hapësirës.

Në tregimet e Mo këtë here lexuesi do të gjejë ndërthurje të imagjinatës, folklorit, historisë. Tregimet e tij janë të frymëzuara nga kultura rajonale, por ato me siguri do të rrëmbejnë zemrën e lexuesve jo vetëm kinezë, por dhe të huaj.

3 tregimet e shkurtëra të shkrimtarit Mo Yan u botuan dhe nga revista letrare "Harvest" në mes të shtatorit të këtij viti.

Lidhja e Nobelistit Mo Yan me kulturën tradicionale

Nga 3 krijimet e reja të shkrimtarit kinez Mo Yan sërish vërehet rikthimi i tij te kultura tradicionale, te folklori i pasur i vendit. Ashtu siç tha vetë ai në Panairin e Librit, gjatë qëndrimit në vendlindjen e tij në province Shandong ai u frymëzua nga folklori i pasur, traditat e shumta.

E pra shkrimtari, me emrin e artit "Mo Yan" që nga kinezishtja përkthehet "Mos fol!"kësaj here ka vendosur të flasë shumë për kulturën tradicionale kineze, perms tre tregimeve të shkurtëra.

Lidhja e shkrimtarit Nobelist me folklorin sa vjen e rritet. Mjafton të kujtojmë se ai mbajti një fjalë gjatë pjesmarrjes në Konferencën Konsultative Politike të Populli Kinez, ku i kushtoi vëmendje të veçantë edukimit të fëmijëve që në moshën parashkollore me traditën e pasur kulturore kineze.

Për këtë Mo u tregoi të pranishmëve se si ai ishte rritur duke pare e dëgjuar në vendlindje operan folklorike të quajtur "maoqiang". Shpesh here në veprat e Mo Yanit vërehet ndikimi i folklorit të pasur të vendlindjes së tij Gaomi, në provincën Shandong. Madje lexuesi mund të dallojë menjëherë këtë ndikim në stilin që përshkon romanin e Mosë "Vdekja e drurit të Sandalit", të shkruar në vitin 2001.

"Kujtoj se në vitet 50-të 60-të të shekullit të kaluar, një trupë artistike erdhi në fshatin tim. Të gjithë lane punën dhe nxituan të gjenin një vend për të pare shfaqjen.."

Kështu e kujton shkrimtari Nobelist suksesin e operas tradicionale "Maoqiang", nga fëmijëria e tij. Por kjo opera tradicionale e provinces Shandong para disa vitesh u listua në Trashëgiminë Kombëtare Kulturore ndërsa qeverisja vendore akordoi një fond të veçantë për ruajtjen dhe kultivimin e mëtejshëm të saj. Me keqardhje Mo vëren se publiku i pjesëve folklorike në ditët tona po bëhet gjithnjë e më i vogël, ndaj duhet punuar shumë e nga të gjithë për promovimin dhe ruajtjen e kësaj vlere të çmuar të kineze, shtoi ai.

"Maoqiang" është një nga qindra stilet e operas folklorike kineze që rrezikon të humbasë publikun e saj. Sipas të dhënave të Ministrisë së Kulturisë së Kinës, deri në fund të shekullit të kaluar ekzistonin 394 lloje operash, por në vitin 2004 numri i tyre ra në 260. Në fund të 2014,iu dha statusi i trashëgimisë kulturore 162 operave të tilla folklorike, por vetëm pak prej tyre shfaqen rregullisht në publik. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore