Panairi i Librit i Pekinit dhe risitë e tij

2017-09-01 19:36:31 CRI Komenti juaj Printoni

Pjesëmarrja e më shumë se 2.500 botuesve nga 89 vende dhe rajone të botës gjatë pesë ditëve të Panairit të 24-të Ndërkombëtar të librit në Pekin (BIBF) është bërë një nga temat më të diskutuara të Kinës rreth platformave të mediave sociale.

Një nga ngjarjet më të mëdha të industrisë botuese të Kinës, Panairi Ndërkombëtar i Librit përfundoi pas një veprimtarie njëjavore, të pasur me sallone të shumta të librit, forume të botuesve dhe ceremonive të nënshkrimit midis botuesve kinezë dhe atyre nga bota.

Botimet "Një Brez, një Rrugë"

Nisma "Një brez, një rrugë" ishte fokusi i botuesve kinezë pjesëmarrës në Panairin e Librit të Pekinit.

Nga veprat akademike, kushtuar kulturës dhe historisë së Rrugës së Mëndafshit, por dhe veprimtari të tjera, si librat në seri me temë "Një brez, një rrugë" të shpallur nga Universiteti i Zhejiang-ut ishin një shembull domethënës i kësaj. Në Panairin e sivjetëm Ndërkombëtar të Librit u ekspozuan 15 botime gjuhësore, vepra kulturore, ekonomike dhe ligjore të vendeve pjesëmarrëse të nismës "Një brez, një rrugë".

Presidenti i këtij Universiteti, Lu Dongming tha për median kineze "Global Times" se botimi i këtyre serive të librave ishte një rezultat i natyrshëm i nismës.

"Nisma "Një brez, një rrugë" ka sjellë shumë sfida. Studimet i janë kushtuar pikërisht këtyre sfidave. Ndaj ne kemi nisur tani botimet në këtë fushë" tha Lu.

Sipas tij botimet kushtuar nismës "Një brez, një rrugë" shërbejnë si një urë lidhëse mes teorisë dhe praktikës.

Ky Universitet gjatë ditëve të Panairit nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Shtëpinë Botuese të Indisë "Sampark" për botimin në gjuhët indiane dhe bengale të botimeve në anglisht të librit "Toka e çajit", pjesë e serisë së botimeve "Një brez, një rrugë". Libri përmbledh ese për kulturën e çajit nga shkrimtari kinez Wang Xufeng, fitues i disa çmimeve letrare. Shtëpia Botuese indiane "Sampark" për here të pare ka ndërmarrë një bashkëpunim të tillë me një shtëpi botuese kineze.

Presidenti i kësaj shtëpie botuese Sunandan Chowdhury tha pas nënshkrimit të marrëveshjes se kultura e çajit është një element që bashkon Kinën me Indinë.

"Kina ka zhvilluar një lloj të veçantë të kulturës së çajit, ndërsa India ka një histori të gjatë të rritjes së çajit", tha ai.

Chowdhury vuri në dukje se dekadat e fundit ka patur një bashkëpunim të kufizuar mes botuesve indianë dhe kinezë kryesisht për shkak të mungesës së përkthyesve. "Kjo është diçka për të cilën duhet të punojmë," tha ai. Ndër të tjera ai u shpreh optimist për bashkëpunimin indiano-kinez në fushën e botimeve.

Letërsia e minoriteteve etnike

Një tjetër fokus i Panairit Ndërkombëtar të Librit të Pekinit ishte dhe letërsia e minoriteteve etnike.

Gjatë Panairit u mbajt një forum, ku u përfshinë Qendra e Përkthimit dhe Botimit të Kinës (CTPH) dhe Rrjeti i Përkthimit dhe Studimit të Kulturës Kineze (CCTSS) për eksportin e veprave të letërsisë shkruar nga shkrimtarët e minoriteteve etnike kineze.

Në Programin Ndërkombëtar të Promovimit të Shkrimtarëve Etnikë Kinezë dhe Forumit Ndërkombëtar mbi Përkthimin dhe Botimin e Letërsisë Etnike Kineze, CTPH shpalosi një projekt për botimet jashtë vendit të shumë veprave nga shkrimtarët e njohur bashkëkohorë të minoriteteve etnike kineze si autorët tibetianë A Lai dhe Tenzin , Yi Jidi Majia, i cili kohët e fundit u nderua me çmimin "Shelgu I Argjendtë" për arritje në karrierën poetike nga Universiteti I Kembrixhit.

Sipas CTPH, projekti, i iniciuar nga Administrata Shtetërore e Shtypit, Botimeve, Radios, Filmit dhe Televizionit dhe Shoqata e Shkrimtarëve të Kinës, do të publikojë pesë libra çdo vit duke filluar nga 2013. Deri më tani, më shumë se 70 libra janë përzgjedhur për botim jashtë shtetit .

I lumtur duke parë librat e tij të përkthyera në gjuhë të tjera, përveç anglishtes, sin ë spanjisht dhe frengjisht, autori tibetian A Lai tha se kjo lëvizje nënkupton një treg më të gjerë botëror për veprat e letërsisë kineze.

Ndërsa Dinesh Kulatunga, kreu i botuesve nga Sri Lanka, që ka botuar dhe vepra të tibetianit A Lai, tha në forum se veprat e letërsisë kineze të pakicave etnike tregojnë shije unike në sajë të përpjekjeve të autorëve për të treguar kulturën e grupeve të tyre etnike.

Botuesit dhe studjuesit e huaj të pranishëm në Panair thanë se lexuesit e vendeve të tyre janë të interesuar për të njohur letërsinë e minoriteteve etnike të Kinës. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore