Telenovelat kineze në botë

2017-08-17 15:49:08 CRI Komenti juaj Printoni

Filmat serialë televizivë janë një dukuri e mbarë botës. Me një publik më së shumti të përbërë nga femrat, kryesisht shtëpiake, por jo vetëm telenovelat kanë arritur të zenë një pjesë të mirë të kohës së lirë të tyre. Mjaft të preferuara janë edhe në Shqipëri telenovelat turke, braziliane, italiane madje dhe indiane. Pasi të mësoni për suksesin e telenovelave kineze në botë, me siguri do të keni interes dhe për to.

17 vjet më pare, seriali televiziv jugkorean "Vjeshtë në zemrën time" pati një sukses të madh në Kinë, duke shënuar dhe fillimin e një të ashtuquajturës "hallyu", ose kultura K-pop.

Kultura koreanojugore në përgjithësi, por kryesisht filmat televizivë, moda, apo muzika gëzojnë një popullaritet të madh në Kinë dhe në mbarë Azinë.

Por qëkur filmat televizivë kinezë po shfaqen me ide të reja, duke mos imituar subjektet e filmave të huaj, një valë e re e kulturës kineze po tërheq gjithnjë e më shumë fansa në botë.

Filmat thriller kinezë tërheqin publikun e huaj

" Më pëlqejnë telenovelat kineze thriller, pasi aktorët janë shumë të talentuar dhe subjektet mjaft tërheqës", shprehet kanadezja Sara Rojas. Për këtë vlerësim ajo i referohet filmit televiziv kinez "Agjentët e princeshës", e transmetuar në kanalin televiziv të Hunanit këtë vit. Kjo telenovelë shfaqet në dy episode në ditë nga e hëna të premten dhe shikuesit e huaj mund ta shohin atë me subtitrim në anglisht në You Tube, 6 orë pas transmetimit të saj në Kinë. Në komentet e tyre po në You tube shumë nga ndjekësit e telenovelët shprehen se mezi presin orën e transmetimit të saj dhe disa të tjerë komplimentojnë aktoren Zhao Liying . Për tërheqjen e publikut të huaj, producentët e kësaj telenovele kanë hapur një llogari të tyren në Youtube, ku rreth 15 milion shikues dhe 125 mijë ndjekës janë regjistruar që nga 12 korriku. Mësohet se çdo episod i telenovelës kineze ndiqet mesatarisht nga 60 mijë shikues.

Si bëhet e famshme një telenoivelë?

Për përhapjen ndërkombëtare të një prodhimi filmik, përkthimi në anglisht është me rëndësi të madhe.

Lidhur me këtë Zhang Jingdong profesor i Universitetit të Komunikimit të Kinës thotë se " një nga sfidat më të mëdha te serialeve televizive kineze është pengesa e gjuhës. Duke ekzistuar dallime të mëdha midis qytetërimit lindor dhe atij perëndimor, publiku i huaj e ka të domosdoshëm përkthimin e një vepre të tillë".

Një tjetër karakteristikë është subjekti I telenovelës por dhe efektet vizive të saj.

Por ekspertët e filmit thonë se edhe loja e aktorëve apo paraqitja e tyre fizike luajnë një rol të madh në suksesin e një telenovele. Aktorja protagonist e kësaj telenovele Zhao Liying, është e njohur për të huajt dhe publikun aziatik, në veçanti. Ajo ka interpretuar dhe në telenovelën tjetër të njohur "Legjenda e Lu Zhen" në vitin 2013, që u mirëprit nga publiku japonez dhe koreanojugor. Duhet përmendur se dy vjet më pare telenovela me temë historike "Nirvana në zjarr" krijoi shumë fansa në Korenë e Jugut. Madje sipas kompanisë koreanojugore CJ Entertainment and Media,telenovela kineze "Nirvana në zjarr" arriti një rekord teleshikuesish në këtë vend fqinj të Kinës.

Të huajve nuk u intereson vetëm subjekti

Në gjysmën e pare të këtij viti, një telenovelë me temën e luftës kundër korrupsionit, me titull " Në emër të popullit", ngjalli interesin e teleshikuesve vendës dhe të huaj. Telenovela pati dhe kritika në Kinë por ajo tërhoqi vëmendjen e medias së huaj dhe madje disa analistë të huaj e cilësuan si një version kinez të "House of Cards".

Një tjetër telenovelë kineze, ajo me titull "Ode e gëzimit" është pritur me shumë interes nga publiku vietnamez, pasi trajton jetën e përditëshme të njerëzve, jetën në familje dhe atë intime të 5 vajzave të reja".

Sipas ekspertit kinez të Shoqatës së Artistëve të Kinës, Zhang Guofen në të kaluarën pjesa më e madhe e telenovelave kineze kopjonin programet e huaja. Ndërsa tani ai thotë se idetë e reja të subjekteve, pasqyrimi I historisë, kultures dhe përditshmërisë së kinezëve priten me interes të veçantë nga publiku I huaj.

Telenovela të reja kineze të sezonit veror

Me nisjen e sezonit veror kinemaja "Made in China" ka 8 prodhime filmike të gjinive të ndryshme. Pas premierave të kësaj vere këto filma me siguri do të marrin dhe vlerësimin e publikut.

-"Wu Kong" titullohet filmi i përshtatur nga romani "Biografia e Wu Kongut" e shkrimtarit Zeng Yu, i shfaqur premierë më 13 korrik.

-"Një herë e një kohë" është telenovela, premiera e së cilës u shfaq në janar të këtij viti në Kinë.

-"Luftëtarët ujq II" është telenovela me regji të Wu Jing premiera e së cilës u shfaq më 28 korrik. Në vitin 2015 u shfaq pjesa e parë e kësaj telenovele që i kushtohet forcave speciale kineze.

-"Vëllazëria e gjakut II" e shfaqur më 19 korrik në premierë është pjesa e dytë e telenovelës me të njëjtin titull e shfaqur në vitin 2014.

Por filma të rinj televizivë janë dhe ata të animuar si "Dahufa", "100 mijë shaka II", "Këlyshët e çajit", etj.

(Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore