52 Trashëgimitë Botërore në Kinë

2017-08-12 22:20:33 CRI Komenti juaj Printoni

 

Kina është vendi i dytë në botë përsa i përket objekteve të përfshira në Listën e Trashëgimive Botërore të UNESCO-s, pas Italisë.

Italia ka 53 sajte të përfshirë në Listën e Trashëgimeve Botërore, ndërsa Kina ka 52 të tilla.

Edhe pse e dyta në renditje, Kina ka burime të rralla që priten në të ardhmen e afërt ta bëjnë udhëheqëse botërore të listës së UNESCO-s.

Në Europë renditen Spanja, Franca dhe Gjermania, respektivisht me 46, 43 dhe 41 sajte.

India ka 36 sajte, pastaj Meksika me 34, Rusia me 27, Shtetet e Bashkuara me 23, Japonia dhe Brazili me nga 20 dhe Greqia me 18.

Ndërsa në Shqipëri, UNESCO-ja mori në mbrojtje edhe dy zona të tjera.

Zona e Lumit të Gashit në Tropojë dhe Zona e Rrajcës në Përrenjas janë përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s këtë muaj.

Pyjet e ahut në Rrajcë janë pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë

Aktualisht ne Listën e Pasurive Botërore të UNESCO-s janë përfshirë nga Shqipëria Butrinti, Gjirokastra, Berati dhe Isopolifonia shqiptare.

 

Aktualisht, në Listën e Trashëgimive Botërore të UNESCO-s përfshihet një total prej 1,072 sajtesh nga 167 vende të botës. Këto sajte janë ndarë në kulturore (831), natyrore (206), të përziera (35), ndërkufitare (37) dhe të rrezikuara (55).

Kina ka ratifikuar Konventën për Mbrojtjen dhe Restaurimin e Trashëgimive Kulturore dhe Natyrore Botërore në 12 dhjetor të vitit 1985.

Një e veçantë e objekteve kineze të Trashëgimisë Botërore është se 33 prej tyre ndodhen përgjatë Rrugës së Lashtë të Mëndafshit, ku 22 objekte ndodhen në provincat Shaanxi, Henan dhe Gansu si dhe në Rajonit Autonom të Xinjiang Ujgurit.

Me përfshirjen e ishullit Gulangyu, i njohur për ndërtesat e lashta historike dhe të Hol Xil, të famshme për bukurinë natyrore dhe biodiversitetin, Kina tashmë ka 52 sajte të përfshira në Listën e UNESCO-s.

1. Kompleksi i ndërtesave antike në Malin Wudang

Kompleksi ndodhet në malet Wudang në provincën kineze Hubei dhe u ndërtua gjatë dinastisë Ming. Struktura përbëhet nga pallate, tempuj dhe ndërtesa taoiste që datojnë në shekullin e 7-të.

Kompleksi u përfshi në Listën e Trashëgimive Botërore më 15 dhjetor, 1994.

2. Qyteti i lashtë Ping Yao

Pingyao është qytet i lashtë me histori mbi 2700-vjeçare, që ndodhet në provincën Shanxi të Kinës veriore.

Edhe sot e kësaj dite, Pingyao ruan muret e qytetit, oborret, lagjet dhe ndërtesat me vjetërsi 600 vjeçare. Banorët e këtij qyteti, banojnë ende në këto ndërtesa me vlerë kulturore.

Në vitin 1997, qyteti i lashtë Pingyao është përfshirë në Listën e trashëgimive kulturore botërore nga UNESCO.

3. Fshatrat e lashtë Xidi dhe Hongcun

Dy fshatrat e lashtë Xidi dhe Hongcun bëjnë pjesë në kategorinë e komplekseve arkitekturore me vlera të larta historike dhe artistike.

Në këto fshatra rrugicat janë të veshura me kalldrëm dhe muret janë të mbuluara me bimët kacavjerrëse. Gratë e fshatit ende lajnë veshjet anës lumit dhe të gjitha këto krijojnë një atmosferë të qetë e shplodhëse.

Fshatrat përfaqësojnë elementet arkitekturore të stilit Huizhou gjatë periudhës së dinastive Ming dhe Qing.

Xidi dhe Hongcun u futën në Listën e UNESCO-s më 30 nëntor të vitit 2000.

4. Varret e Mbretërisë së Lashtë Koguryo

Ato ndodhen në provincat Jinlin dhe Liaoning dhe janë formuar nga tri qytetet – Wunu, Guonei dhe Wandu së bashku me 40 varre, 14 prej të cilave janë varre perandorake. Këto varre u listuan në UNESCO më 1 korrik të vitit 2004.

5. Kopshtet klasike të Suzhou

Suzhou, një qytet në provincën Jiangsu, është i njohur kopshtet e tij mahnitës. Ndërtuar mes Dinastisë Song të Veriut dhe Dinastisë Qing (shekulli 11-19), kopshtet klasike të Suzhou janë një ndërthurje e shkëmbinjve të vegjël, liqeneve etj. Ata u futën në Listën e UNESCO-s në 4 dhjetor të vitit 1997.

6. Orizoret Honghe Hani

Orizoret Honghe Hani në provincën jugperëndimore kineze Yunnan janë përfshirë në listën e UNESCO-s më 22 qershor 2013 si Trashëgimi Kulturore. Ato janë zona e 45-të e trashëgimisë kulturore në Kinë dhe e para që ka lidhje me pakicën kombëtare Hani.

Orizoret janë shembulli më i mirë i procesit unik të prodhimit bujqësor dhe trashëgimisë, traditave e besimeve të minoritetit Hani.

7. Skalitjet shkëmbore Dazu

Skalitjet Dazu datojnë në shekullin e 9-të. Ato përfaqësojnë sintezën harmonike të Budizmit, Taoizmit dhe Konfucianizmit.

Skalitjet shkëmbore Dazu i referohen të gjitha statujave në Dazu të Chongqing-ut. Brenda kësaj zone skenike gjenden mbi 50 mijë statuja dhe mbi 100 mijë karaktere kineze të skalitura në të paktën 100 vende të ndara.

Këto skalitjen kanë hyrë në "Listën e trashëgimive botërore" më 1 dhjetor 1999.

8. Fujian Tulou

Ndërtesat tulou në Fujian ndodhen kryesisht në distriktet Yongding, Nanjing dhe Huaan, që shtrihen në malet e larta të provincës Fujian. Këto ndërtesat në Fujian janë banesa të mëdha e të vetme në botë në zonat malore dhe janë të njohura për stilin e tyre të veçantë të ndërtimit, historinë dhe kulturën e tyre të gjatë. Më 6 korrik 2008 ndërtesat tulou të Fujian-it u përfshinë në "Listën e trashëgimive botërore" në Konferencën e 32-të Botërore të Trashëgimive, të mbajtur në Kanada.

9. Qendra Historike e Makaos

Rajoni i Makaos luan një rol të rëndësishëm në tregtinë ndërkombëtare. Ai u përzgjodh nga agjencia prestigjioze e vlerësimeve turistike "Lonely Planet" si një nga 10 destinacionet turistike botërore që duhen vizituar në 2015. Në guidën e kësaj agjencie theksohet se turizmi në Makao sjell për vizitorët tempuj budistë kinezë, trashëgimi të kulturës kineze, portugeze, kuzhinë kineze, portugeze por të ndërthurur me gatimet europiane, afrikane apo indiane. Numri i turistëve që kanë vizituar Makaon në vitin 2013 nga pjesa kontinentale e Kinës arrin në 18 milion, krahasuar me 1.6 milion që ishte në vitin 1999, duke përbërë 60% të numrit të përgjithshëm të turistëve në këtë vend.

Më 15 korrik të vitit 2005 qendra historike e Makaos u përfshi në Listën e Trashëgimisë Botërore Kulturore të UNESCO-s. Makao është një qendër e rëndësishme botërore e turizmit.

10. Pallati Potala

Ndodhet në veriperëndim të Lasës dhe përbëhet nga Pallati Potala, Tempulli Jokhang dhe Norbulingka. Arkitektura e tri sajteve është mahnitëse dhe ende origjinale, shumë e pasur me ornamente e murale. Në këtë vend ka një shkrirje harmonike të natyrës me reliktet historike dhe fetare. Pallati Potala, Tampulli Jokhang dhe Norbulingka u futën në Listën e UNESCO-s respektivisht në vitet 1994, 2000 dhe 2001.

11 Monumentet historike të Dengfeng

Këto monumente ndodhen në Dengfeng të provincës Henan dhe pasqyrojnë mënyra të ndryshme të perceptimit të Qendrës së Tokës dhe Qiellit. Këto monumente iu shtuan Listës së Uneskos në 1 gusht 2010.

12. Pallatet Perandorake të dinastive Ming dhe Qing në Pekin dhe Shenyang

Ndërtuar në nga vitet 1406 në 1420, Qyteti i Ndaluar në qendër të Pekinit ka shërbyer si pallat perandorak i dinastive Ming dhe Qing. Pallati Perandorak i Dinastisë Qing në Shenyang përbëhet nga 114 ndërtesa ndërtuar nga vitet 1625–1626 në vitin 1783. Ndërtesat janë një dëshmi historike e Dinastisë Qing dhe e traditave kulturore të Manchu-be dhe fiseve të tjera në Kinën Veriore

Pallatet Perandorake të dinastive Ming dhe Qing në Pekin dhe Shenyang hynë në Listën e Trashëgimive Botërore përkatësisht në vitin 1987 dhe 2004.

13. Varret Perandorake të dinastive Ming and Qing

Ndërtuar në shekullin e 17-të, Varret Perandorake të dinastive Ming and Qing përfshijnë tri varre perandorake – varrin e Yongling, Fuling dhe Zhaoling. Ato janë sajte natyrore të modifikuara nga influenca e njeriut, dhe u zgjodhën me kujdes në përputhje me parimet e gjeomancisë (feng shui). Tre varret u përfshinë respektivisht në Listën e UNESCO-s në vitet 2000, 2003 dhe 2004.

14. Fshatet dhe Kaiping Diaolou

Ndodhet në qytetin Kaiping të provincës Guangdong dhe është një ndërtesë shumë e veçantë në Kinëme stil kulle shumëkatëshe që ndërthur artin kinez me arkitekturën perëndimore. Kaiping Diaolou u përfshi në Listën e UNESCO-s në 27 qershor, 2007.

15. Ishulli Gulangyu

Ishulli Gulangyu u pranua në 8 korrik të vitit 2017 në Listën e Trashëgimive Botërore të UNESC0-s. Ai ka 20 mijë banorë, mbi 2 mijë ndërtesa historike dhe vizitohet çdo vit nga rreth 10 milionë turistë.

Nëse shëtisni në këtë "panair të ndërtesave botërore", mund të dëgjoni shpesh melodi të interpretuara me piano që rrjedhin nga dritaret e godinave në dy anët e rrugës. Për arsye historike, banorët e tanishëm të ishullit e pëlqejnë shumë muzikën perëndimore dhe thuhet se çdo famlije e Gulangyu-s ka të paktën një piano. Ndoshta pas disa vjetësh emri i këtij ishulli do të ndryshojë në "ishulli i pianos".

16. Shpellat Longmen

Shpellat Longmen të provincës Henan ndodhen në qytetin Loyang. Brenda shpellës ka skulptura të budave të ndryshme si dhe shumë afreske shumëngjyrëshe. Këto shpella u përfshinë në Listën e UNESCO-s në 30 nëntor të vitit 2000.

17 Lushan National Park

Mali Lushan, në provincën Jiangxi është një nga qendrat shpirtërore ttë civilizimit kinez. Tempujt budist dhe taoist janë veshur nga një peizazh mahnitës. Parku Kombëtar Lushan u përfshi në Listën e UNESCO-s në dhjetor 1996.

18. Varreza e perandorit të parë të Dinastisë Chin

Ushtria prej terrakote, që ndodhet në Xian është madhështore dhe duket si e gjallë. Perandorët kinezë janë varrosur së bashku me thesarin të cilin mund ta përdornin në jetën e përtejme pas vdekjes së tyre, ndërsa perandori i parë kinez do të mbahet mend gjithmonë për thesarin e tij: ushtrinë masive – Ushtrinë prej Terrakote.

Varreza e perandorit të parë të Dinastisë Qin dhe ushtria prej terrakote janë quajtur si "Mrekullia e 8-të e botës" dhe muret e lashtë të qytetit janë muret që mbrohen deri sot më mirë në botë.

Ato u përfshinë në Listën e UNESCO-s në dhjetor të vitit 1987.

19 Guvat Mogao

Guvat Mogao, të njohura gjithashtu si Shpellat e njëmijë budave, ndodhen rreth 25 km në juglindje të qytetit Dunhuang dhe janë një nga sajtet më të mëdha dhe të ruajtura më mirë në botë. Ato ndodhen në një pikë strategjike përgjatë Rrugës së Mëndafshit dhe kanë impakt të madh në fe dhe kulturë. Shpellat Mogao u përfshinë në Listën e UNESCO-s në dhjetor të vitit 1987.

20. Mali Qingcheng

Qyteti Dujiangyan në Chengdu u ndërtua në shekullin e 3-të para Krishtit. Në të ndodhet Mali Qingcheng, i cili ka rrënjë të thella për taoizmin në Kinë. Iu shtua Listës së UNESCO-s në nëntor të vitit 2000.

21 Mali Wutai

Mali Wutai ndodhet në pjesën verilindore të provincës Shanxi, 230km larg nga Taiyuan. Mali Wutai është një prej 'katër maleve budiste' në Kinë. Me 2000 vjet histori të shkuar, është vendndodhja e tempujve më të hershëm në Kinë. Momentalisht aty kanë mbetur 47 tempuj. Mali Wutai është klasifikuar si 'Pasuri e Trashëgimisë Botërore' në vitin 2009

22 Tempujt në Chengde

Grupi i tempujve në Chengde u krijua nga viti 1703 në 1792 dhe përfaqëson një ndërthurje të kulturës Hane me Konfucianizmin, Budizmin dhe Taoizmin – dhe stilin arkitekturor mes veriut dhe jugut të Kinës. Ky grup ndërtesash hyri në Listën e UNESCO-s në 15 dhjetor të vitit 1994.

23 Qyteza e lashtë Lijiang

Lijiang për mijëra vite ka qenë një nga qytetet më të njohura në Kinë.

Ai është i qetë dhe ngjan si i pikturuar me dorë. Ndodhet në provincën Yunnan dhe është 2400 metra i lartë mbi nivelin e detit. Ai është një qytet historiko-kulturor me shumë vlera dhe pasqyron më së miri doket e zakonet kombëtare. Qyteti Lijiang, u përfshi në "Listën e Trashëgimive Botërore" në dhjetor të vitit 1997.

24.Gërmadhat Zhoukoudian të "Njeriut të Pekinit"

Zhokuodian-i, monument kryesor i mbrojtur kombëtar, ndodhet në veri të malit Longgu të qytezës Zhoukoudian në zonën Fangshan në jugperëndim të Pekinit dhe është gërmadha e njeriut të hershëm të periudhës paleolitike, ku gjenden materialet më të pasura, më sistematike e me vlerë më të madhe në botë. U përfshi në Listën e UNESCO-s në dhjetorin e 1987-s.

25. Rruga e Mëndafshit

Rruga e Mëndafshit është një nga shembujt më të mëdha për shkëmbimin e vlerave njerëzore mes Lindjes dhe Perëndimit. Rruga e Mëndafshit është rruga tregtare më e vjetër në botë që përbëhet nga 33 vendbanime historike, 22 prej të cilave në Kinë, 8 në Kazakistan dhe 3 në Kirgizistan.

Rruga e Mëndafshit u përfshi në Listën e UNESCO-s 22 qershor të vitit 2014.

26. Sajti i Xanadu

Sajti i Xanadu-së ishte kryeqendra e Dinastisë Yuan të Kublai Khan në Kinë dhe ndodhet në veri të Murit të Madh. Në të përfshihen tempuj, pallate, varre, kanali Tiefangang etj. Ky sajt u përfshi në Listën e UNESCO-s më 29 qershor 2012.

27. Pallati i Verës në Pekin

Pallati i Verës në Pekin, i quajtur Qingyi Yuan u ndërtua në vitin 1750 nga Perandori Qianlong për të festuar ditëlindjen e nënës së tij. Gjatë shekujve të kaluar, perandorët dhe perandoreshat e kalonin këtu kohën e lirë. Pallati i Verës u përfshi në Listën e UNESCO-s në nëntor 1998.

28. Tempulli dhe Varri i Konfucit

Konfuci ishte filozof, politikan dhe arsimtar i madh në Kinë. Tempulli, varrezat dhe banesa e tij ndodhen në Qufu të provincës Shandong. Tempulli i Konfucit u ndërtua në vitin 478 para erës sonë për të nderuar kujtimin e tij. Ky tempull i madh ka 9 oborre dhe struktura e tij arkitekturore është simetrike. Brenda tempullit janë ruajtur shumë skulptura, piktura dhe gdhëndje në gur, të dinastive të ndryshme, që shërbejnë si materiale të çmuara historike për studimin e politikës, ekonomisë, kulturës dhe të arteve të shoqërisë feudale të Kinës.

Ajo hyri në Listën e UNESCO-s në dhjetor, 1994.

29 Tempulli i Qiellit-altari perandorak në Pekin

Tempulli i Qiellit ndodhet në pjesën jugore të Pekinit dhe u ndërtua në vitin 1420 gjatë pushteti të Perandorit Yongle të Dinastisë Ming (1368-1644), dhe shërbeu si një altar perandorak. Tempulli i Qiellit u fut në Listën e UNESCO-s në nëntor, 1998.

30. Kanali i Madh i Kinës

Kanali i Madh i Kinës, më i gjati i bërë ndonjëherë nga dora e njeriut, është shtuar në listën e trashëgimive botërore të UNESCO-s në qershor të vitit 2014. Kanali Pekin-Hangzhou, 1782 kilometra i gjatë është 21 herë më i gjatë se Kanali i Panamasë dhe 10 herë më i gjatë se Kanali i Suezit në Egjipt, por është ndërtuar mbi 2000 vjet më parë sesa dy kanalet e sipërpërmendura.

31. Muri i Madh

Muri i madh është padyshim monumenti më i njohur i Kinës dhe një simboli kryesor kombëtar. Ai konsiderohet si një nga 7 mrekullitë e botës. Në vitin 1987, Muri i Madh u përfshi në radhët e trashëgimeve botërore si "simbol i kombit kinez. Thuhet se ai është e vetmja gjurmë konstruksioni e planetit që mund të shquhet nga astronautët në largësi të mëdha nga toka. Ata e kanë konfirmuar këtë edhe me fotot e bëra. Një shprehje e vjetër thotë se: "Nuk jeni burrë i vërtetë nëse nuk ngjiteni në Murin e Madh.

32. Vendbanimi Tusi

Vendbanimi Tusi, ku gjenden rrënojatë zotërimeve fisnore në jugperëndim të Kinës, trashëgimtarët e së cilës ishin cilësuar nga qeverisja e lashtë kineze si "Tusi", u bë trashëgimia e 48-të botërore më 4 korrik të vitit 2015.

33 Liqeni Perëndimor në Hangzhou

Ky liqen ka frymëzuar shumë poetë dhe piktorë përgjatë historisë së Kinë për bukuritë natyrore dhe reliktet historike. Po ashtu është vendi më frymëzues në Kinë për projektuesit e kopshteve. Ai u përfshi në Listën e UNESCO-s në qershor, 2011.

34. Yinxu

Yinxu, kryeqyteti i vjetër i Dinastinës Shan të Kinës së lashtë, mbi 3300 vjet më parë, ndodhet në provincën Henan të Kinës qendrore.

Këtu u zbulua hieroglifi më i vjetër kinez dhe vegla prej bronzi më e madhe në botë. Në Yinxu, dokumentet historike dhe zbulimet arkeologjike, vërtetuan ekzistencën e kryeqytetit kinez.

Në mars të vitit 2001, Yinxu u vlerësua si i pari ndër 100 zbulimet arkeologjike të shekullit të XX-të në Kinë. Në korrik të vitit 2006, ai u përfshi në Listën e Trashëgimeve Botërore.

35. Shpellat Yungang

Si pjesë e Trashëgimisë Botërore e listuar nga UNESCO në dhjetor të vitit 2001, dhe një nga 3 shpellat më të famshme budiste, Yungang është një nga vendet më të njohura në Datong, e cila tërheq vëmendjen e shumë turistëve vendës dhe të huaj.

Ky vend është i mbushur me shpella dhe statuja gjigande të Budës ose statuja në forma normale. Më impresionueset janë shpella e 7 dhe ajo e 8, pasi hyrjet e tyre janë me structure druri të veshur në ar. Në brendësi të shpellave ndodhen statuja gjigande të Budës, si dhe murale të pikturuara, sipas subjekteve të legjendave budiste. Në brendësinë e disa prej shpellave nuk lejohet fotografimi. Po këtu ndodhet një muze i vogël, disa tempuj dhe faltore, si dhe një tempull i rinovuar i cili ndodhet në anë të një liqeni të vogël.

36. Afresket në Shkëmbim Zuojiang Huashan

Shkëmbi ndodhet në bregun perndimor të Lumit Ming dhe përmban afreske të realizuara qindra vite me parë. U fut në Listën e UNESCO-s më 15 korrik, 2016.

37. Grupi i fosileve Chengjiang

Grupi i fosileve Chengjiang është rrënoja e kryeqytetit kinez të dinastisë Yuan. Ndodhet në provincën Yunnan dhe u fut në Listën e UNESCO-s në vitin 2012.

38. Malet ylber Danxia

Këto male janë gati jo-reale. Të shoqëruara me shumë ngjyra dhe vija të ndritshme, ato janë malet më unike në botë. Ato u përfshinë në Listën e UNESCO-s në gusht të vitit 2010.

39. Huanglong

Për të parë liqenet e Huanglong-ut duhet të qëndrosh lart në male duke drejtuar sytë nga lugina. Në mes të luginës ka një rrip të verdhë 4 kilometra të gjatë, që duket si një dragua i artë i shtrirë në mes të pyllit të virgjër dhe majave të maleve me dëborë. Huanglong u përfshi në Listën e UNESCO-s në vitin 1992.

40. Hubei Shennongjia

Në takimin e 40-të për hartimin e Listës së Trashëgimive Natyrore Botërore të zhvilluar të dielën në Stamboll pyjet "Shennongjia" të provincës Hubei të Kinës Qendrore u përfshinë në këtë listë, si trashëgimia e 50-të e Kinës. Sipas Komisionit të Trashëgimeve Natyrore Botërore, pyjet "Shennongjia" janë unike përsa i përket shumëllojshmërisë së bimëve dhe karakteristikave ekologjike. Kjo zonë ka rripin më të plotë vertikal natyror në botë. Zonat e veçanta gjeologjike kalimtare ndikojnë në krijimin e një bimësie të pasur dhe të shumëllojshme, të një sistemi të veçantë ekologjik, si një proces unik në evolucionin e florës.

41. Lugina Jiuzhaigou

Jiuzhaigou, që ndodhet provincën Sichuan, është një luginë me gjatësi prej mbi 40 kilometrash. Në gjuhën kineze "jiuzhaigou" do të thotë "përroska e nëntë fshatrave" dhe është quajtur kështu ngaqë brenda saj ka 9 fshatra. Sipërfaqja e përgjithshme e saj është afro 620 kilometra katrore dhe 52 % të kësaj sipërfaqeje e zënë pyjet e virgjër. Pamjet natyrore përfshijnë bukurinë e liqeneve, të ujëvarave, të maleve me dëborë dhe të pyjeve

Kjo luginë u përfshi në Listën e UNESCO-s në vitin 1992.

42. Mount Sanqingshan National Park

Mali Sanqingshan, i quajtur si "vendi më fatmirë në botë" dhe "maja numër një në jugun e lumit Jance", ndodhet në Shangrao të pjesës verilindore të provincës Jiangxi. Më 7 korrik të vitit 2008, mali Sanqingshan u përfshi nga UNESKO-ja në "Listën e trashëgimive natyrore".

43. Qinghai Hoh Xil

Hoh Xil, që në dialektin mongolian përkthehet "vajzë e bukur" ndodhet në Rrafshnaltën Qinghai-Xizang. Është zona më e madhe e pabanuar në Kinë dhe e treta në botë. Në të jetojnë mbi 230 specie kafshësh të egra dhe përfshi dhe një lloj të rralë antilope.

Në korrikun e këtij viti, Qinghai Hoh Xil u përfshi në Listën e UNESCO-s.

44. Qendra e rritjes së Pandave- malet Wolong, Siguniang dhe Jiajin

Vendi ku rriten 30 për qind e numrit të pandave gjigante në botë, qendra e Sichuan-it hyri në listën e UNESCO-s në vitin 2006.

Panda është kafsha simbol e provincës Sichuan të Kinës dhe zona e mbrojtur natyrore Wolong dhe 100 kilometra larg kryeqendrës së Sichuanit, Chengdu, është vendlindja e pandës.

45. Pylli prej guri në Yunnan

Relievi karstik në jug të Kinës zë një sipërfaqe prej 50 mijë kilometrash katrorë dhe shtrihet kryesisht në provincat Junnan, Guizhou e në rajonin Autonom Guangxi-Zhuang, nga zona tropikale me lagështirë të madhe deri në zonën subtropikale. Ky formacion karstik përbëhet nga 3 pjesë: Shilini i Yunnanit, Libo-ja e Guizhout dhe Wulong-u i Chongqingut, që kanë forma të shumëllojshme morfologjike e karstike. Pylli i gurtë është një dukuri e madhe natyrore dhe një shenjë e tokës në mbarë botën. Peizazhi i çuditshëm i relievit karstik në jug të Kinës u vlerësua dhe u miratua si trashëgimi natyrore botërore në Konferencën e 31-të Botërore të Trashëgimive, të zhvilluar më 27 qershor 2007.

46. Tri lumenjtë në Yunnan

Lumenjtë e mëdhenj Jinshajing, Lanchangjiang dhe Nujiang rrjedhin paralelisht nga veriu në jug në provincën Yunnan të Kinës Perëndimore për mbi 170 kilometra, duke përshkuar vargmalet Dandanglika, Gaoligong, Nushan dhe Yunling e duke formuar një peizazh të mahnitshëm gjeografik natyror dhe të rrallë në botë. Sipërfaqja e zonës së rrjedhës së 3 lumenjve arrin 4.1 kilometra katrorë, ku shtrihen male të larta, lugina të mëdha, maja malesh me borë, akullnaja, ligatina të rrafshnaltës, livadhe pyjore, liqene me ujë të ëmbël, kafshë të rralla, bimë të çmuara etj. Në korrik të vitit 2003 panoramat natyrore të "rrjedhës së 3 lumenjve" u përfshinë në "Listën e trashëgimive botërore".

47. Zona Wulingyuan

Në dhjetor të vitit 1992 zona piktoreske Wulingyuan hyri në "Listën e trashëgimive botërore". Wulingyuan-i që ndodhet në pjesën veriperëndimore të provincës Hunan, përbëhet nga 3 pjesë, Zhangjiajie, Suoxiyu dhe Tianzishan, sipërfaqja e tij e përgjithshme është 369 kilometra katrorë. Në këtë zonë piktoreske ka 14 linja turistike me një gjatësi prej 70 kilometrash dhe 560 pika turistike.

Zona Wulingyuan karakterizohet nga kepa shkëmborë të rrallë botëroreqë quhen edhe "Labirinti i natyrës",por disa këto male i quajnë malet Avatar, pasi regjizori i filmit është frymëzuar pikërisht nga këto malepër të krijuar pamjet madhështore.

48. Xinjiang Tianshan

UNESCO-ja në vitin 2013 i vendosi këto male në rajonin autonom veriperëndimor të Kinës, Xinjiang Uygur, në listën e trashëgimive botërore, përsa i përket zonave natyrore.

Ka nga ata që thonë se prej kohësh duan të udhëtojnë atje, për të parë Liqenin e Parajsës, majat e mbuluara me borë, pyjet me bimësi të shumëllojshme e kanionet me shtrat në ngjyrë të kuqe.

Malet prej kohësh kanë qenë në vëmendjen e udhëtarëve. Zona ofron misterin dhe përfaqëson një bukuri natyrore.

Të ndodhura në mes të Xingjiangut, malet Tianshan shtrihen në një hapësirë prej 606,833 hektarësh. Pjesa prej 1760 kilometrash është një zonë që rrethohet nga shkretëtirat e Azisë Qendrore.

Liqeni i Parajsës, ku personazhi mitik e hyjnor i Nënës Mbretëreshë lahet, ka ujë transparent dhe duket si një pasqyrë gjigante e lëngshme. Rreth 90 metra i thellë, në lartësinë 1981 metra, uji grumbullohet nga shkrirja e borës dhe akullit. Majat e mbuluara nga dëbora reflektohen në ujin e liqenit, duke të ofruar një panoramë magjike e duke e bërë liqenin një nga pikat turistike më të famshme në rajonin Xinjiang.

49. Mali Emei dhe Buda Gjigante në Leshan

Mali Emei ndodhet në provincën Sichuan dhe është një ndër 4 malet e shenjtë budist të Kinës. Gjatë shekujve, thesaret kulturore Zonën e Malit Emei janë shtuar. Buda Gjigante e Leshanit është buda më e madhe prej guri në botë.

Ky mal u fut në Listën e UNESCO-s në vitin 1996.

50. Mali Huangshan

Mali Huangshan, njihet si "mali më i dashur në Kinë". Ai ndodhet në jug të provincës Anhui në lindje të Kinës. Është i famshëm për pamjet e tij përrallore përbërë nga majat e thepisura, perëndimi i diellit, dëbora në dimër dhe spektakli i reve. Pëveç peizazhit mahnitës, mali Huanshan ka edhe historinë e lashtë kulturore. Shumë poetë, piktorë dhe artistë kinezë pasi kanë vizituar këtë mal krijuan shumë vepra artistike.

Fotografët e kohës së sotme e konsiderojnë malin Huanshan si burim të pashtershëm krijimtarie. Sipas gojëdhënave, babai i kombit kinez, perandori Xuan Yuan u bë murg në malin Huanshan dhe më pas shkoi në parajsë. Mali Huanshan zë një pozitë të rëndësishme në historinë e taoizmit.

Ky mal hyri në Listën e UNESCO-s në vitin 1990.

51. Mali Taishan, mali i perëndive

Mali Taishan ka një domethënie të madhe natyrore, kulturore dhe historike në Kinë. Ai është një ndër pesë malet e rëndësishëm në Kinëdhe ndodhet në qytetin Tai'an, të provincës Shandong. Maja më e lartë quhet Maja e Perandorit aftro 1,545 metra. Në të kaluarën, mali Taishan shërbente si një nga vendet mët ë rëndësishme ceremoniale në Kinë.

Mali Taishan hyri në Listën e UNESCO-s në dhjetorin e vitit 1987.

52. Mali Wuyi

Mali Wuyi, ndodhet në pjesën veriore të provincës Fujian. Malet e uji janë më të njohur për 9 zigzaget e përroit Jiuqu, 36 majat e ndryshme dhe 99 shkëmbinjtë në forma kafshësh, njerëzish etj. Turistët preferojnë më shumë të lundrojnë me një barkë në lumin që shkon mes këtyre pikave interesante, duke shijuar kryeveprat natyrore. Me një histori të gjatë kulturore, mali Wuyi ka shumë tempuj dhe manastire.

Në vitin 1999, Mali Wuyi hyri në Listën e UNESCO-s si Trashëgimi Kulturore Botërore dhe Natyrore.

Mrekulli
Lajmet Kryesore