Aktorët kinezë sjellin Rikardin e III në Butrint

2017-07-27 15:06:25 CRI Komenti juaj Printoni

Në mes të korrikut Amfiteatri antik i Butrintit mikpriti edicionin e 15-të të Festivalit të Teatrit "Butrint 2000". Nga 13-20 korrik në skenën e lashtë të këtij Amfiteatri në periferi të perlës së rivierës shqiptare interpretuan aktorë shqiptarë dhe të huaj.

Veprat e Shekspirit ishin të pranishme në këtë Festival dhe ato u sollën nga 3 trupa pjesmarrëse dhe për këtë Drejtori i Festivalit, Alfred Bualoti thotë se interpretimi i tyre ishte me një origjinalitet befasues.

"Teatri shqiptar e tha fjalën e vetë në këtë edicion dhe e tha bukur. Për mua e gjithë paketa e edicionit të 15 ishte me interes shumë të mirë", tha Bualoti.

E veçanta e këtij edicioni jubilar ishte se për herë të parë Butrinti priti aktorë kinezë të Teatrit Kombëtar të Kinës .

Si rrallë ndonjëherë "Rikardi i III-të" i Shekspirit iu paraqit publikut shqiptar në kinezisht, por dhe në një shfaqje me skenografi dhe kostumografi kineze.

Rikardi i III flet kinezisht në Butrint

23 aktorë të Teatrit Kombëtar të Kinës udhëtuan rreth 15 orë me avion për të mbërritur më 17 korrik në Aeroportin e Rinasit, ku u pritën dhe nga ambasadorja e Kinës në Tiranë, zonja Jiang Yu. Me këtë rast ajo tha se "Vizita e trupës së Teatrit Kombëtar të Kinës në Shqipëri është shprehje e shkëmbimeve kulturore në rritje mes dy vendeve dhe kjo i shërben forcimit të miqësisë tradicionale midis Kinës dhe Shqipërisë".

Grupi i aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kinës vizitoi dhe kryeqytetin shqiptar Tiranë, para nisjes së tyre për në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit "Butrinti 2000" në Butrint të Sarandes. Atyre u bëri përshtypje të veçantë ngrohtësia e shqiptarëve me të cilët takoheshin gjatë shëtitjeve të tyre në këto qytete.

Nisma kineze "Një brez, një rrugë" në aspektin e saj kulturor është një nxitje për shkëmbimet mes vendeve pjesë e saj. Edhe pjesëmarrja e artistëve kinezë të teatrit në Festivalin e Butrintit i shërben pikërisht objektivave të kësaj nisme.

Kultura është një nga rrugët më të mira dhe më të shpejta për njohjen mes popujve dhe mirëkuptimin e ndërsjellë.

Shfaqja e dramës së njohur shekspiriane "Rikardi i III të " në Festivalin e Teatrit "Butrint 2000" nga aktorët e Teatrit Kombëtar të Kinës solli një atmosferë të veçantë për publikun prej rreth 800 vetësh, që e ndoqi atë në Amfiteatrin e lashtë të Butrintit.

Ndër personalitetet që ndoqën pjesën ishte dhe ambasadorja e Kinës në Shqipëri zonja Jiang Yu, ministrja e ekonomisë, tregtisë dhe turizmit Milva Ekonomi, kryetarja e Bashkisë së Sarandës dhe të ftuar të tjerë.

Rikardi i III me elemente artistike kineze

Vënia në skenë e pjesës shekspiriane "Rikardi i III të" nga një trupë kineze teatri e ka bërë atë mjaft të veçantë edhe për vetë elementet tradicionale kineze, si skenografia, kostumet. Në interpretimin e aktorëve u ndërthurën me mjeshtëri elemente të operas tradicionale kineze, por dhe asaj tibetiane si dhe të muzikës. Performimi me mjeshtëri i aktorëve u ndoq me interes nga publiku i Butrintit, që i duartrokiti gjatë dhe qëndroi në amfiteatër 20 minuta pas shfaqjes. Ovacionet e spektatorëve u pasuan me foto të shumta të bëra me trupën e aktorëve kinezë, duke i dhuruar Amfiteatrit të lashtë dimensione të reja njohjeje, siç ishte interpretimi kinez i Shekspirit.

Ndoshta spektatorët kanë pritur që trupa kineze të vinte në skenë një pjesë kineze, por aktori protagonist që interpretoi Rikardin e III-të, Zhang Dongyu e ka shpjeguar këtë në një prononcim për Top Channel .

"Shekspiri nuk i takon vetëm Anglisë, por gjithë botës. Edhe për vetë publikun anglez ishte një surprizë sepse në shfaqjen tonë ndërthuren shumë elementë të kulturës kineze me atë britanike. Arti nuk ka kufij, ata janë të përbotshëm dhe prezantimi ynë këtu e tregoi më se miri këtë veçori", u shpreh aktori Zhang Dongyu, që luajti rolin e Rikardit. Pas shfaqjes regjizorit të trupës së Teatrit Kombëtar të Kinës Wang Xiaoying iu dorëzua një nga kupat e festivalit.Regjizori Wang është dhe nëndrejtor i këtij teatri, por i njohur për vënien në skenë të një repertori të pasur pjesësh teatrore në vende të ndryshme të botës. I rritur në një familje artistësh nga provinca Anhui, ku i ati ishte aktor i operas tradicionale kineze dhe e ema punonte në një kompani teatrore, Wang është ndikuar ndjeshëm nga tradita artistike dhe kulturore e vendit në realizimin e shumë prej shfaqjeve që ka vënë në skenë.

Festivali dhe turizmi

Promovimi turistik lidhet ngushtë me të veçantat e një zone. Kjo ndodh dhe me Sarandën, një nga stacionet më të rëndësishme dhe më të frekuentuara të turizmit shqiptar. Në promovimin e saj përmendet dhe Festivali i Teatrit "Butrinti 2000", i cili nuk është thjesht një veprimtari artistike, por një vlerë e shtuar në listen turistike të Sarandës. Ky festival njëjavor përveç vendësve tërheq edhe turistët e shumtë nga vendi dhe bota që e frekuentojnë Sarandën gjatë verës. Flet për këtë ndikim ministrja Milva Ekonomi.

"Gjatë kësaj periudhe numri i vizitorëve që vijnë në park rritet dhe llogariten deri në 2.200 vizitorë në ditë. Kjo i shërben edhe turizmit sepse mund të tregojmë se ne jemi një vend që kemi me cfarë të krenohemi", tha Ekonomi.

Shkëmbimet kulturore midis Shqipërisë dhe Kinës vitet e fundit po njohin një zhvillim pozitiv dhe pas pjesmarrjes së trupës së Teatrit Kombëtar të Kinës në Festivalin e Butrintit, simotra e tij shqiptare, Teatri Kombëtar do të marrë pjesë në shtator në një festival ndërkombëtar teatri në Xian të Kinës me komedinë "Zbutja e kryeneçes". Arti dhe kultura janë ambasadorë që përgjatë historisë kanë lidhur ura miqësie mes popujve dhe vendeve, pavarësisht distancës së tyre gjeografike. Ndaj dhe drama e njohur shekspiriane, e përcjellë kinezisht në Amfiteatrin e Butrintit përveçse mirëpritjes së publikut do të kujtohet gjatë për origjinalitetin regjizorial dhe interpretimin e vlerësuar të aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kinës. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore