Dhuratat tradicionale të dasmave kineze

2017-07-20 16:38:18 CRI Komenti juaj Printoni

Kur ftohesh në një dasëm një nga preokupimet tona është dhurata për çiftin. Çdo vend i botës ka traditat e veta përsa i përket dhuratave në dasma. Me zhvillimin shoqëror edhe dhuratat kanë ndryshuar. Por më e veçanta është se çdo vend ruan traditën e tij kulturore dhe për pasojë edhe kinezët i kanë shumë të veçanta dhuratat për të sapomartuarit.

Në mijëvjeçarë kinezët i kanë kushtuar një vëmendje të madhe ceremonisë së dasmës, ku bëjnë pjesë dhe dhuratat. Dasmat kineze në lashtësi kanë patur rituale të veçanta, të bukura dhe plot finesë e ngjyra. Çdo etni ka traditën e vet, por dhuratat e dasmës kanë gjithmonë një domethënie të veçantë, që është tani pjesë e simbolikës së trashëgimisë kulturore të Kinës.

Në ditët e sotme dasmat kineze, ashtu si kudo në botë janë modernizuar dhe simbolika e lashtë ja ka lënë vendin një tradite të re. Me një ngjashmëri me dasmat shqiptare edhe ato kineze përgjithësisht e "dorovitin" çiftin me zarfe me lekë. Madje kinezët përdorin zarfe të kuq të posaçme për këto raste edhe për faktin se ngjyra e kuqe në dasmat kineze është shumë fatsjellëse.

Dasmat e lashta përmes riteve të tyre ku përfshihen dhe dhuratat dëshmojnë rëndësinë e kësaj ceremonie që e çon çiftin e sapomartuar drejt një jete të re familjare.

Dhuratat e dasmave tradicionale kineze

Krehëri

Në kulturën e lashtë kineze krehëri simbolizon bashkimin. Çifti i sapomartuar do të qëndrojë i bashkuar gjatë jetës së re ashtu si flokët e mbledhur të kinezëve në lashtësi, por lidhet dhe me zbardhjen e flokëve deri në pleqërinë e thellë. Kjo dhuratë e lashtë në kinezisht shkruhet: 白頭偕老 (bái tóu xié lǎo), e cila mund të përkthehet në shqip me mesazhin e urimit: " Të jetoni së bashku deri në flokë të bardhë". Aq e rëndësishme ka qenë kjo dhuratë në Kinën e lashtë sa në ditët para dasmës zhvillohej një ceremoni e posaçme për dhurimin e krehërit çiftit.

Vizorja

Simbolizon masën e lumturisë së çiftit të sapomartuar. Duke dhuruar një vizore prej metali, druri apo plastike i uron çiftit lumturi të pamatë, shumë fëmijë dhe jetë bashkëshortore të bekuar, por dhe sukses në karrierën profesionale.

Këpucët e qendisura

Në hieroglifet kineze fjala "këpucë" dhe ajo " së bashku" shqiptohen në të njejtën mënyrë "xié." Në kinezishte ka shumë raste kur për shkak të përkimit të shqiptimit të një fjale me një tjetër, janë krijuar simbolet e kultures së lashtë. Ndaj edhe në ceremoninë e dasmës nëse i dhuroje çiftit këpucë prej cope të qëndisura, u uroje të gëzonin një jetë të lumtur së bashku, me dashuri dhe respekt për njeri-tjetrin.

Talismani Ruyi

Ruyi është një talisman ceremonial tradicional me kuptim fetar. Ai ka formën e një skeptri dhe ditën e dasmës dhëndrri me një ruyi ngre vellon e nuses. Ky objekt ka një domethënie shpirtërore të madhe, pasi dhëndërri e garanton gruan e tij të ardhëshme për një jetë të lumtur dhe dëshira të plotësuara bashkë me të.

Interesante është se në ditët e sotme në dasmat kineze ndonëse dhëndërri nuk e ngre më vellon e nuses me një ruyi ky talisman i jepet nga prindërite vajzës, nëpërmjet të cilit ata i urojnë çiftit jetë të lumtur, plot begati dhe fat.

Pasqyra

Pasqyra simbolizon përsosmërinë dhe plotësimin e dëshirave, por ve në pah dhe bukurinë e nuses. Në traditën e lashtë të dasmave kineze pasqyra simbolizon urimin që martesa e vajzës dhe pamja e saj të mbeten përjetësisht të reja dhe të bukura. Për këtë arsye shumë nga të ftuarit dhuronin pasqyra në dasmat tradicionale kineze.

Buqeta prej gruri

Buqeta prej gruri në një ceremoni dasme ishte mjaft e përshtatshme dhe e përzgjedhur. Kjo për shkak se gruri simbolizon pasurinë dhe forcën e dhëndërrit, por dhe aftësinë e tij që të ndërtojë një familje të shëndetëshme, plot lumturi dhe begati.

Gërshërët

Duket pak e çuditëshme për të huajt porn ë dasmën tradicionale kineze gërshëra ka një rëndësi të veçantë, sepse simbolizon nevojën e qepjes së rrobave, veçanërisht të veshjeve të gjata që përdoreshin në Kinën e lashtë. Ndaj veshja e dhëndërrit prej mëndafshi të butë simbolizonte një jetë martesore të qetë e të shndritshme, si mëndafshi.

Abakusi

Tradicionalisht kinezët në lashtësi përdorinin abakusin për të llogaritur të ardhurat e përditëshme. Ndërsa në ceremoninë e dasmës një abakus prej floriri 24 karatësh i dhurohej çiftit të sapomartuar me urimin për një jetë të begatë. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore