Kinezi Qiu Yang, fitues i "Palmës së Artë" në Kanë

2017-07-13 11:02:40 CRI Komenti juaj Printoni

Qiu Yang është i pari regjizor kinez fitues i çmimit prestigjioz "Palma e Artë" për filmin e tij me metrazh të shkurtër "Një natë e këndëshme", gjatë Festivalit të 70-të të Filmit në Kanë. Në qendër të subjektit që zhvillohet për 15 minuta një nënë e dëshpëruar kërkon vajzën e saj të humbur në një qytet provincial të Kinës.

Filmi me regji të kinezit Qiu Yang u përzgjodh nga juria e festivalit mes 9 filmave të tjerë me metrazh të shkurtër. Përveç çmimit "Palma e Artë" filmi mori dhe një vlerësim nga juria.

"Një natë e këndëshme" është një bashkëprodhim kinematografik pasi drejtore e fotografisë është gjermania Constanzes Schmitt, operatore e zërit australiania Livia Ruzic që ka bashkëpunuar me Mikko Quizondhe Mei Zhu.

Ekipi realizues i filmit mund të quhet pa frikë ndërkombëtar, pasi në të bëjnë pjesë producenti kinez Li Yi, montazhieri Carlo Francisco Manatad dhe producenti i dizajnit Shan Yinghao.

Në rolin kryesor në film, atë të nënës interpreton kinezja Li Shuxian.

Kush është Qiu Yang

Regjizori 28 vjeçar, Qiu Yang u lind në qytetin Changzhou të provinces kineze Jiangsu, në veri të Shangait. Familja e tij ka traditë arti, pasi gjyshi i tij ishte piktor dhe i ati arkitekt. Vetë Qiu Yang kreu studimet për regji filmike në një periudhë 5 vjeçare në Australi. Pas përfundimit të studimeve në Brisbane, ai u diplomua për Master në film dhe Televizion në Kolegjin Viktorian të Arteve në Melburn.

I pyetur nga media kineze për këtë sukses Qiu thotë se me rëndësi në jetën e një artisti janë kontaktet me jetën dhe njerëzit. Por ai vlerëson mbi të gjitha njohjen e kulturave të ndryshme, të cilat i hapin sytë kujtdo. Ndonëse i ri në moshë, regjizori kinez ka fituar dhe një tjetër çmim për filmin e tij me metrazh të shkurtër të diplomës "Nën diell", gjatë një konkursi studentor për filmin. Ky film prej 19 minutash u realizua në vendlindjen e regjizorit në Changzhou dhe aktorët Qiu i përzgjodhi amatorë, pasi besoi se do të jenë më të natyrshëm në interpretim. Tema e filmit është korrupsioni në shoqëri.

Juria e këtij edicioni e Festivalit prestigjoz të filmit drejtohej nga regjizori i njohur rumun Cristian Mungiu, aktorja franceze Clotilde Hesme, kineasti amerikan Barry Jenkins, regjizori singaporas Eric Khoo dhe skenaristja greke Athina Rachel Tsangari.

Në konferencën për shtyp pas marrjes së filmit regjizori Qiu Yang e shprehu hapur entuziasmin e tij, madje ai ndau me të pranishmit dhe emocionet e realizimit të këtij filmi me metrazh të shkurtër. Ai u tregoi të pranishmëve se realizimi i filmit nuk kishte qenë shumë i lehtë, madje ai e kishte pare atë pasi e kishte përfunduar, 2 ditë para mbërritjes në Francë për festivalin e Kanës. Qiu Yang shtoi se ai bashkë me ekipin realizues të filmit as që e kishin menduar se do të pranoheshin për konkurim në këtë garë ndërkombëtare të filmit, e jo më të rrëmbenin dhe një nga trofetë e tij.

Para realizimit të filmit me metrazh të shkurtër, që u nderua me Palmën e Artë kineasti i ri kinez ka xhiruar dhe tre filma të tjerë me metrazh të shkurtër gjatë viteve të jetesës së tij në komunitetin kinez të Australisë.

28 vjeçari Qiu Yang një i ri kinez që ka jetuar dhe studjuar për 5 vjetë në Melburn të Australisë tregon se në Kinë nuk kishte prekur kurrë një kamera me dorë. Magjia e filmit nisi bashkë me studimet e tij në Universitetin Griffith në Brisbane të Australisë. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore