Pallati Huaqing dhe "Kënga e dhimbjes së përjetëshme"

2017-07-06 14:22:55 CRI Komenti juaj Printoni

 

Kur viziton Xi an-in surprizat nuk kanë të sosur. Vizitori mezi pret të shohë nga afër Ushtrinë prej Terrakote, por edhe zhvillimin e teknologjisë së lartë në këtë metropol kinez. Ajo që e bën atë edhe më të veçantë është trashëgimia kulturore, që të shoqëron gjatë jo vetëm falë monumenteve të panumërta mijëravjeçare, por dhe pasurisë shpirterore të kësaj treve.

25 km në lindje të Xianit ndodhet një kompleks i burimeve termale ujore i njohur si Huaqing, i cili shtrihet në një zonë me pamje piktoreske në këmbët veriore të malit Li, një nga tre majat kryesore të maleve Qin.

Llixhat u ndërtuan në vitin 723 nga Perandori Xuanzong i dinastisë Tang, si pjesë e Pallatit perandorak Huaqing. Pikërisht në këtë vend mësohet se lindi dashuria mes perandorit Xuanzong dhe konkubinës së tij Yang Yuhuan.

Në ditët e sotme Kompleksi i burimeve termale Huaqing është një stacion i rëndësishëm turistik dhe kurativ i nivelit A, përcaktuar nga Administrata Kombëtare e Turizmit e Kinës.

Sipas të dhënave llixhat kanë një jetëgjatësi afro 6 mijë vjeçare, ndërsa pallati perandorak i ndërtuar pranë tyre është 3 mijë vjeçar.

Pallati u rindërtua duke marrë emrin Huaqing nga perandorët e dinastisë Tang, Taizong dhe Xuanzong.

Në ditët tona Pallati qëndron në tërë madhështinë e tij, i rindërtuar ku një pjesë e tij shërben si hotel i kategorisë së parë. Vizitori kur mbërrin këtu rrethohet nga antikiteti dhe gjelbërimi. Mbetesh i mahnitur nga bukuria e këtij vendi, ku ndërthuren parqet plot pemë e lule, me urëzat ku mund të shëtitësh, mjediset relaksuese.

Pallati Huaqing ndodhet në distriktin Lintong, të qytetit Xi an në provincën Shaanxi. Pas një vizite në këtë oaz qytetërimi të lashtë dhe gjelbërimi, ku ka më bukur ta mbyllësh ditën si spektator i koreodramës së njohur "Kënga e dhimbjes së përjetëshme".

Koreodrama "Kënga e dhimbjes së përjetëshme"

Një surprizë i pret vizitorët e këtij resorti, kur muzgu bie mbi pallatin perandorak. Buzë liqenit, në mes të gjelbërimit dhe dritave ftohet publiku për të parë një shfaqje jo të zakonëshme. Teksa ulesh dhe hedh sytë përreth, kudo sheh ndërtesa perandorake, pjesë e Pallatit Huaqing dhe pret me habi se ku mund të ndodhet skena e shfaqjes.

Në fakt skena është sipërfaqja e liqenit dhe dekori i lëvizshëm i teknologjisë së lartë,apo vetë ndërtesat përreth hera herës shndërrohen në dekor të koreodramës.

"Kënga e dhimbjes së përjetëshme" është koreodrama që publiku e pret të shfaqet live , duke i sjellë publikut për afro një orë historinë e dashurisë mes perandorit të dinastisë Tang, Xuanzong dhe konkubinës Yang. Spektatorët kinezë, mes të cilëve dhe shumë të huaj ndjekin performancën e 300 artistëve profesionistë, mes efekteve të lëvizjes së skenës në ujë dhe në ajër e bashkë me të të balerinëve.

Kjo histori dashurie ka një moshë njëmijë vjeçare dhe vazhdon të frymëzojë artistët që kanë vënë në skenë koreodramën e famshme. Me një kombinim të përkryer të natyrës me artin, kostumeve tradicionale, lëvizjeve, muzikës, ndriçimit dhe efekteve koreodrama " Kënga e dhimbjes së përjetëshme" "mbërthen" çdo spektator në kopështin perandorak.

Origjina e "Këngës së dhimbjes së përjetëshme"

Poema me të njëjtin titull u shkrua nga Bai Juyi (772 - 846), një ndër poetët më të njohur gjatë dinastisë Tang. Në ditët e sotme ajo është përshtatur si një dramë historike me një prelude dhe 10 akte, të cilat rrëfejnë historinë e dashurisë në 4 pjesë të veprës koreo-dramatike: Rënia në dashuri, Çifti i pandarë, Lamtumirë i dashuri im dhe Ribashkimi në Tokën e Përrallës. (Eda Merepeza)

Mrekulli