Një film dokumentar për të ashtuquajturat "femrat e komfortit"

2017-06-29 16:34:40 CRI Komenti juaj Printoni

Pas dekadash të një të vërtete të fshehur, apo të mbajtur me turp në shpirt, të ashtuquajturat "femrat e komfortit" do të dëshmojnë historinë e tyre të trishtë nëpërmjet një filmi dokumentar. Përvojat e tyre të tmerrshme të skllavërisë së detyruar seksuale nga ana e pushtuesve japonezë gjatë Luftës së Dytë Botërore do të shpalosin para publikut të gjerë këtë kapitull të historisë së disa prej vendeve aziatike.

Në filmin dokumentar me titull "Falja" tregojnë historinë e tyre të trishtë tre gjyshe, ish "femra komforti" përkatësisht gjyshja Gil nga Korea e Jugut, gjyshja Cao nga Kina dhe gjyshja Adela nga Filipinet.

Skenaristja dhe regjizorja e filmit dokumentar "Falja" është kanadezja me origjinë kineze Tiffany Hsiung, sipas së cilës " Dokumentari synon tu japë një fytyrë femrave, që kanë vuajtur këtë lloj skllavërie gjatë Luftës së Dytë Botërore, si pasojë e terrorit të ushtruar nga pushtuesit japonezë". Për median kineze China Daily, Hsiung shprehet se "këto histori të dhimbshme, që pasqyrohen përmes dëshmive të këtyre zonjave, të mbijetuara nga skllavëria seksuale duhet të shërbejnë si një dëshmi për brezat e rinj dhe për historinë".

Historia e "femrave të komfortit"

Gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939-1945), qindar dhe mijëra gra dhe vajza u detyruan të ktheheshin në skllave seksi në enklavat e Forcave të Armatosura Perandorake të Japonisë në vendet e Azi-Paqësorit, ku përfshiheshin Kina, Korea, por dhe Filipinet. Këto vajza të skllavëruara seksualisht, u quajtën nga pushtuesit japonezë "femrat e komfortit". Ky krim lufte ishte fshehur disi, për shkak se të mbijetuarat kishin pësuar kriza të rënda psikologjike dhe për pasojë nuk dëshironin të flisnin për të kaluarën e tyre.

3 gjyshet dhe e kaluara si "femra komforti"

Filmi dokumentar "Falja" duke I fokusuar 3 gjyshet nga Kina, Korea e Jugut dhe Filipinet në moshën e tyre të thyer duke jetuar pranë të afërmve, arrin të përcjellë te publiku forcën e tyre për të përballuar një të kaluar traumatike, me dinjitet.

Shumë prej këtyre grave, tashmë të moshuara, dikur ish "femra komforti" kanë kërkuar ndër vite të drejtat e tyre nëpërmjet protestave ndaj autoriteteve japoneze, për të pranuar këtë krim të rëndë kundër njerëzimit. Njera prej tyre, gjyshja Gil, ndonëse e moshuar dhe e sëmura ka marrë pjesë çdo javë në protestat në Seul përballë ambasadës së Japonis, duke kërkuar të drejtat e tyre. Gjyshja Gil njihet nga opinion I gjerë si një zëdhënëse e lëvizjes së të ashtuquajturave "femra të komfortit" dhe familjarëve të tyre, që I bëjnë thirrje shtetit japonez të kërkojë falje zyrtare për këtë krim të rëndë kundër njerëzimit.

Dëshmitarja kineze e historisë së dhimbshme të grave dhe vajzave të ashtuquajtura "femra komforti" është gjyshja Cao, e cila jeton vitet e pleqërisë në një fshat malor. Pikërisht këtu në vendlindjen e saj Cao atëkohë një vajzë e re bashkë me qindar vajza të tjera u rrëmbyen nga pushtuesit japonezë për tu shndërruar në "femra komforti", gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shumë prej të mbijetuarave e kanë mbajtur secret këtë pjesë të së kaluarës së tyre, madje ka patur prej tyre që janë vetëvrarë nga pasha e rëndë e përjetuar në skllavëri. Por një pjesë e tyre, kryesisht ato që e kishin origjinën nga fshatrat nuk kanë dashur të gjykohen nga mentaliteti dhe nuk e kanë treguar këtë fakt të rëndë, madje as te familjarët e tyre.

Vetëm kur një historian kërkoi dëshminë e gjyshes Cao lidhur me "femrat e komfortit" gjatë periudhës së Luftës, ajo theu heshtjen dhe foli për të kaluarën e saj të dhimbshme.

Filipinasja Adela, tashmë një nga rrëfimtaret e filmit dokumentar "Falja" nuk i kishte treguar të shoqit për këtë të kaluar traumatike të saj. Tashmë e ve, ajo e ka ndarë këtë secret me fëmijët e saj, por gjithësesi është zemërthyer që nuk mundi ta ndante me të shoqin këtë dhimbje të shpirtit të saj të vrarë, pa të drejtë.

"Koha kalon, ndaj ne duhet të mbledhim rrëfimet e tyre. Nëse nuk do të dëgjojmë zërin e këtyre dëshmitareve tani, që janë në moshë të thyer, do të jetë shumë vonë që të rinjtë të njohin këtë histori të trishtë" u shpreh për China Daily skenaristja dhe regjizorja e dokumentarit Hsiung.

Regjizorja me prejardhje kineze nisi të mblidhte dëshmitë për këtë film që në vitin 2009. Filmi "Falja" i shfaqur këtë vit për publikun është nderuar me shumë çmime dhe tituj, përfshirë dhe Çmimin e Audiencës gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Busan të Koresë së Jugut, në vitin 2016, si dhe titullin "Filmi i Vitit" në Festivalin Cork , apo në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar të Kinës, të mbajtur në Liqenin Perëndimor.

Filmi dokumentar "Falja" u shfaq nga 8-11 qershor në San Francisco dhe New York të SHBA-së.

Sipas regjizores Hsiung publiku amerikan nuk e njeh këtë histori, por pas shfaqjes së tij interesimi i tyre për këtë pjesë të dhimbshme të Luftës së Dytë Botërore, ishte vërtet impresionues.

"Filmi dokumentar "Falja" i drejtoher publikut ndërkombëtar. Nuk duhet të jesh aziatik për të ndjerë keqardhje për këto viktima të Luftës së Dytë Botërore", u shpreh regjizorja Hsiung. Mesazhi i madh i këtij filmi, në qendër të të cilit qëndron historia e grave dhe vajzave aziatike dhe dhuna e ushtruar ndaj tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore është ndërgjegjësimi I opinionit publik për këtë krim dhe njëherësh thirrje qeverisë japoneze të kërkojë falje për të. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore