Gra të suksesshme në shoqërinë moderne kineze

2017-05-25 16:00:43 CRI Komenti juaj Printoni

Çdo shoqëri përfaqësohet nga individët e spikatur në fusha të ndryshme të jetës. Kina me zhvillimin dinamik, ka evidentuar shumë gra, personalitete në fusha të ndryshme. Të spikatura janë femrat kineze edhe në ekonomi, politikë, krijimtarinë artistike, që falë talentit dhe punës së tyre të palodhur i ka ngjitur në majë të niveleve botërore. Gratë kineze përgjithësisht kanë një natyrë këmbëngulëse dhe entuziaste, ndaj dhe rezultatet e punës së tyre i kanë kaluar kufijtë e këtij vendi të madh. Jo më kot në Kinë ekziston shprehja e bukur "Gratë janë gjysma e qiellit"

Njihemi me disa nga personalitetet gra të Kinës së sotme.

Modelja Liu Wen

Është ndër të parat modele kineze të "Victoria s Secret" dhe e para modele aziatike,e cilësuar nga revista e njohur "Forbes" si ndër më të paguarat në vitin 2016. Bashkë me tre modele të tjera nga Kina të kësaj kompanie Liu i ka sjellë botës së modës finesën kineze dhe është ndër më të kërkuarat në veprimtaritë e saj.

Këngëtarja Jolin Tsai

E cilësuar si Mbretëresha e muzikës C-pop, Jolin Tsai njihet edhe si Madona e Azisë. Ajo ka arritur një popullaritet të madh në vendet aziatike, ku ka publikuar një sërë albumesh të suksesëshme muzikore. Vitin e kaluar Jolin përveç fitimit të një medalje ari u ftua të merrte pjesë në show-t e modës në Paris, Nju Jork, Londër dhe Milano, ku mediat ndërkombëtare e fokusuan në kopertinat e tyre.

Jolin thotë se publiku duhet të pranojë të gjitha rrymat muzikore sepse vetëm kështu ai mund të kultivojë shijet e tij. Ajo shton se shumë këngë të Madonës në fillim nuk janë pëlqyer, por tashmë ato renditen ndër krijimet më të mira të muzikës pop.

Aktorja Zhou Dongyu  

Ajo njihet si një ndër 4 aktoret më të shquara kineze të pas viteve 90-të. Zhou fitoi simpatinë e publikut me filmin "Shpirti binjak", për të cilin u nderua me çmimin si "Aktorja më e mirë" në edicionin e 53-të të Çmimeve "Kali i artë". Publiku i ekranit të madh e ka pëlqyer aktoren Zhou dhe në interpretimin në filmin "Pallati".

Biznesmenia Dong Mingzhu  

Falë punës dhe përkushtimit të zonjës Dong Mingzhu, marka Gree nga një markë pak e njohur brenda vendit u shndërrua në një nga emrat konkurues të prodhimit të kondicionerëve të ajrit. Afaristja Dong u nderua me titullin " Një ndër 10 gratë më të suksesshme në ekonominë kineze". "New York Times" ka shkruar se " Dong Mingzhu është një ndër figurat më të spikatura të biznesit në Kinë".

Prezantuesja televizive Dong Qing  

Një nga prezantueset e programit televiziv "Poezia kineze dhe Lexuesit" Dong Qing gëzon simpatinë e teleshikuesve, që ndjekin këtë program mbi kulturën tradicionale të Kinës. Dong është dhe një producente e njohur televizive.

Shkrimtarja Hao Jingfang  

U bë e njohur kryesisht për çmimin Hugo, që iu dha për mjeshtërinë e të shkruarit të novelave të shkurtra fantastiko-shkencore. Një ndër veprat më të njohura të kësaj shkrimtareje është "Folding Beijing". Kur e kanë pyetur për këtë përzgjedhje krijimtarie, Hao është përgjigjur se jetojmë në universe paralele.

Modelja Du Juan  

Mjafton të shohësh fotot e saj dhe menjëherë dallohet finesa disi ekzotike. Shumica e fotove të saj si modele që përcjell stilin kinez, mbajnë firmën e fotografit të njohur kinez Sun Jun. Du ka lindur në Jiaxong të provincës lindore Zhejiang dhe i pëlqen shumë letërsia klasike. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore