Mjeshtri i punimit të bambusë dhe mbijetesa e zejes

2017-05-17 16:24:21 CRI Komenti juaj Printoni

 

Qian Huaili është një artisan dhe promovues i punimeve artistike prej bambuje, që është lidhur me to në rininë e hershme. Ai ka ndjekur studimet për dizenjim industrial në Universitetin e Shkencës dhe të Teknologjisë së Zhejiangut.

Tradita e punimit të bambusë

Vendlindja e tij fshati Chenzhuang, në periferi të qytetit Wuzhen shquhet ndër shekuj për rritjen e bambusë. Kjo zone është e njohur për kultivimin e bambusë por dhe për prodhimet artistike prej saj.

Në vitin 2008 në qytetin Wuzhen zhvillimi i turizmit shënoi një hop cilësor. I ati i Qianit, një mjeshtër i endjes së bambusë hapi një dyqan për shitjen e prodhimeve të tij artistike në qytetin turistik Xizha. Prindërit e Qianit për rreth një muaj endën me bamboo një pllakë artistike ku spikatin hieroglifet që shkruajnë "Wuzhen", në një stik mjaft elegant.

Ndërkohë i riu Qian udhëtonte në vende si Wenling, Dongyang dhe Anji, për të kontaktuar me mjeshtrat e moshuar të punimit të bambusë. Qëllimi i Qianit ishte të mësonte prej tyre të gjitha sekretet e punimit të bambusë, ndërsa vetë ata ndjeheshin të lumtur që I jepnin dijet një të riu kaq të motivuar për çuarjen përpara të mjeshtërisë.

Mbijetesa e prodhimeve artizanale në kohët moderne

Në vitet 1980- 1990, kur Kina nisi rritjen e shpejtë kërkesa për prodhime bambuje ra. Hyrja në treg e prodhimeve plastike me çmim të lire dëmtoi shitjen e prodhimeve prej bambuje.. Disa konsumatorë preferonin pajisjet e kuzhinës plastike si shporta frutash, enë se sa ato prej bambuje.

Vetë Qian tregon se konsumizmi e ka dëmtuar rëndë industrinë e prodhimeve artistike., në këtë rast dhe të atyre prej bambuje.

Qian tregon një album me foto të prodhimeve të prindërve të tij dhe thotë se një shportë elegante prej bambuje shitej 600 deri në 700 yuan, që është një çmim fare i ulët i cili nuk justifikon koston. Për një artisan kjo shportë prej bambuje e punuar e tëra me dorë është një vepër e mirëfilltë arti. Pasi zgjidhen pjesët e bambusë për thurjen e shportës ato transportohen në ofiçinë ku zihen në një kontenier të madh, për tu hequr substancat e dëmshme. Pas këtij procesi mjeshtrat e punimit të bambusë e presin atë në masat që u duhen. Qian thotë se artikujt prej bambuje zakonisht përdoren nga njerëz të thjeshtë, kryesisht nga bujqit. Ato shiten me çmime të ulta ndaj mund të blihen nga kushdo. Madje ai tregon se në fshatin e tij të lindjes nuk ka shtëpi pa artikuj prej bambuje, ndonëse ato konsiderohen si jo moderne. Një tjetër përpjekje e artizanit Qian është promovimi i" stilit të jetës me bambu", apo përdorimi i gjerë i artikujve prej bambuje në jetën e përditëshme të kinezëve.

Kështu Qian hapi një linjë të re të prodhimit të artikujve prej bambuje të cilat ngjallin interesin e konsumatorëve. Ai krijoi disa kapëse flokësh prej bambuje, vathë, byzylykë, madje nisi bashkëpunimin me marka të njohura të bizhuterive për të promovuar njëherësh prodhimet e tij.

Artizani Qian krijoi 24 modele prej bambuje, i frymëzuar dhe nga pikturat e Van Goghut, por dhe disa artikuj gjysmë të gatshëm prej bambuje si shporta frutash apo shporta të vogla të cilat konsumatorët mund ti përshtasin sipas shijes së tyre dhe me material të tjera. Ashtu si pjesa më e madhe e sipërmarrësve kinezë edhe Qian ka një dyqan në rrjetin e shitjeve online të Kinës Taobao, ku veç shitjeve nëpërmjet një videoje vetë artizani Qian shpjegon se si mund të krijojnë artikuj të thjeshtë prej bambuje.

Kurset e punimeve prej bambuje janë shfaqur edhe në Universitetin e Pekinit dhe atë të Shandongut, ku studentët e arteve mund të praktikojnë këtë traditë të lashtë kineze dhe ta ruajnë atë. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore