Një botë, një chat

2017-05-17 16:47:01 CRI Komenti juaj Printoni

 

WeChat, i njohur si Weixin në kinezisht, është një nga aplikacionet më popullore për mesazhet e rrjetin e tij social. Ai është krijuar nga Tencent, firma më e madhe kineze e internetit. WeChat mund të krahasohet me aplikacionet e ngjashme si ai amerikan WhatsApp dhe ai japonez Line.

Por WeChat është më shumë se një aplikacion për mesazhe dhe ofron edhe shumë shërbime të tjera, si përshembull nisjen dhe dëgjimin e mesazheve instante zanore, duke e kthyer telefonin tuaj në një walky-talky. Gjithashtu shërben edhe si një platforme rrjeti social ku një përdorues mund të postojë foto e të komentojë, pothuajse si në Facebook. Kompanitë dhe personat publikë në Kinë mund të hapin profilin e tyre për të komunikuar me konsumatorët e fansat, e për t'i mbajtur ata të përditësuar me aktivitetin e tyre. Edhe ylli i NBA-t, basketbollisti LeBron James ka një profil në WeChat.

E themeluar në vitin 1998 në qytetin jugor Shenzhen, në provincën Guangdog, kompania Tencent gjatë dekadës së fundit ka treguar se është e vetmja në Kinë që konkurron denjësisht në fushën e komunikimeve online, me shërbimin QQ, i cili ka mbi 800 milionë përdorues në vend.

Me rritjen e popullaritetit të internetit nëpërmjet telefononit dhe të tableteve, Tencent vendosi të ofrojë aplikacionin WeChat në vitin 2011.

Ashtu si Skype pati ndikim në telefoninë fikse, përdorimi i gjerë i WeChat në Kinë tashmë paraqet një sfidë serioze për kompanitë e telefonisë, të ardhurat e të cilave për dërgimin e mesazheve, që konsiderohet si më fitimprurësja për to, ranë në mënyrë drastike. Ndaj nisën edhe debatet nëse aplikacionet si WeChat duhet të aplikonin një pagesë për përdoruesit. Por përpjekjet e kompanive telefonike u kritikuan nga përdoruesit kinezë të internetit dhe të tjerët të cilët i telefonuan këtyre kompanive që të mos shtonin presionet ndaj WeChat dhe në fakt të bënin produktet e tyre më konkurruese.

Aktualisht Tencet nuk ka në plan të vendosë pagesa për përdoruesit por ka thënë se do të bashkëpunojë me kompanitë e telefonisë në mënyra të tjera.

WeChat konsiderohet si një sukses domethënës në tregun kinez, pasi përdoret nga të gjithë, duke nisur nga adoleshentët, prindërit e gjyshërit e tyre. Por Tencent nuk është i kënaqur vetëm me suksesin në Kinë dhe po synon që të shtrihet globalisht.

Pagesat me Wechat, platforma për pagesat përmes celularit krijuar nga gjiganti i internetit "Tencent", do të bashkohet me kompaninë "Citcon" për të nisur shërbimin në SHBA.

Përmes llogarive të Wechat, përdoruesit do të kenë mundësi të paguajnë në monedhë kineze.

Aplikacioni "Wechat Pay" për pagesat nëpërmjet telefonit funksionon në 15 vende e rajone, duke lejuar pagesa në 12 monedha të huaja.

Një botë, një chat

Me sytë drejt tregut ndërkombëtar, WeChat tashmë ofrohet në 18 gjuhë të botës, përfshirë anglishten, gjuhën indoneziane, spanjishten, portugalishten, atë tajlandeze, vietnameze dhe ruse. Aplikacioni mund të përdoret në pothuajse të gjitha sistemet kryesore te celularëve, falë punës së ekipeve të Tencent.

WeChat po bëhet popullor në tregjet e huaja. Tencent njoftoi në korrik se aplikacionin e përdorin mbi 70 milionë persona jashtë Kinës, një rritje e shpejtë nga 40 milionë që ishte në prill.

Presidenti i Tencent, Martin Lau tha gjatë një konference për krijuesit e aplikacioneve në Pekin se WeChat ka qënë i suksesshëm veçanërisht në Indonezi, Indi, Malajzi, Meksikë, Singapor dhe Filipine.

Për të shtuar përdoruesit, Tencent nisi një fushatë publicitare, në të cilën u përfshinë emrat më të njohur të futbollit botëror si Lionel Messi. Fushata shtrihet në 15 vende, përfshirë Argjentinën, Brazilin, Indinë, Italinë, Meksikën, Afrikën e Jugut, Spanjën dhe Turqinë.

WeChat gjithashtu ofron një strategji lokale kur vendos të zgjerohet, duke përdorur personalitete të njohura gjatë fushatës së marketingut.

Një nga opsionet më të veçanta të këtij aplikacioni janë figurat e animuara që përdoruesit i nisin njëri-tjetrit, të cilat quhet emoji. Me tregun ndërkombëtar si synim, WeChat ka dizajnuar figura që përfaqësojnë emrat më të njohur në një vend. Për shembull, në Indi, Tencent ofron figura të aktorëve të njohur të Bollivudit, Parineeti Chopra dhe Varun Dhawan. Ato u mirëpritën nga publiku. WeChat gjithashtu po përpiqet të bashkëpunojë me kompanitë jashtë vendit. Aktualisht ka një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë e pijeve freskuese Chang, shumë e njohur në Tajlandë.

Opsionet e këndshme të WeChat së bashku me fushatën intensive të marketingut të Tencent e kanë bërë aplikacionin popullor në shumë tregje dhe ndihmuan në rritjen e përdoruesve. Shtimi i numrit të personave që e përdorin atë e ka shtyrë kompaninë që të jetë edhe më konkurrese.

Bashkëthemeluesi i kompanisë Tencent, Ma Huateng duke folur për shtrirjen globale thotë se pavarësisht nëse është i suksesshëm ose jo, aplikacioni është një mundësi që të vjen vetëm një herë në jetë.

Nuk është e thjeshtë

Teksa popullariteti rritet te përdoruesit jashtë Kinës, WeChat përballet me konkurrencën e ashpër në tregun e aplikacioneve të mesazheve në celularë, siç janë WhatsApp nga SHBA-ja, Line nga Japonia apo Kakao nga Koreja e Jugut.

WeChat ka qënë i suksesshëm në vendet në zhvillim, sidomos në ato të Azisë Juglindore dhe i duhet ende shumë punë për të depërtuar në tregjet e vendeve të zhvilluara si në SHBA, i cili konsiderohet si një nga tregjet më mirë të mbuluara në këtë drejtim. Deri në fund të shtatorit 2012 kishte 100 mijë përdorues të regjistruar të WeChat në SHBA, që është shumë pak po të kesh parasysh planet ambicioze të kompanislë për t'u zgjeruar në mbarë botën. Ndaj i duhet më shumë punë për të depërtuar përtej komunitetin kinezo-amerikan apo studentëve kinezë atje. Tencent hapi në shkurt një zyrë për të studiuar tregun amerikan dhe mënyrat se si të vendosë bashkëpunimin me kompanitë në SHBA për të rritur popullaritetin e aplikacionit.

Në krahasim me suksesin në Azinë Juglindore, WeChat është në fazat fillestare të zhvillimit në SHBA. WeChat përballet me një konkurrencë të ashpër nga Line, kompania japoneze e cila i ka përgatitur shërbimet e saja për tregun amerikan. Për momentin është e paqartë se si ekzaktësiht WeChat do të reagojë ndaj rivalëve në betejën për të dominuar tregun në SHBA.

Në një deklaratë të publikuar nga Tencent në shkurt thuhet se tregu amerikan është i vështirë, por i rëndësishëm për çdo kompani të internetit. Shumë produkte të cilësisë së lartë online dhe kompani në këtë fushë u krijuan pikërisht në SHBA. Tregu amerikan synohet nga shumë kompani të huaja dhe në këtë drejtim WeChat nuk mbetet prapa.

Bashkëthemeluesi i Tencent, Ma Huateng thotë se tregu amerikan është më i vështiri për të depërtuar gjatë fushatës globale të marketingut. Sipas tij, kompanitë kineze të internetit janë shumë prapa rivaleve të tyre dhe deri më tani nuk kanë patur ndonjë sukses ndërkombëtar.

Mrekulli
Lajmet Kryesore