Mjeshtrja e qendistarisë Yao Jianping

2017-05-11 09:50:31 CRI Komenti juaj Printoni

 

46 vjeçarja Yao, u lind në qytezën Zhenh, që konsiderohet si një nga shtyllat e artit të qendisjes sipas stilit Su. Ajo ka studjuar në Shkollën Artistike të Dizenjimit në Suzhou në vitin 1987. Në periudhën 1991-94, qendistarja Yao u drejtua nga mjeshtri i qendisjeve Su Xu Zhihui, pranë Institutit të Kërkimeve të Qendistarisë në qytetin Suzhou, ku ajo mësoi të fshehtat e këtij arti të lashtë dhe të ruajtur deri në ditët tona me passion të madh. Si qendistare Yao praktikon më shpesh portretet dhe thotë se "të realizosh portrete në qendisje duhet të kesh njohuri të mira në dizenjim, fotografi por dhe në pikturë.". Ajo tregon se fillimisht i duhej të mësonte shumë ndaj mësoi të gjitha këto arte.

Yao qendistarja e portreteve të liderëve

Yao tregon se për realizimin e një portreti me qendisje është e vështirë të harmonizosh paraqitjen e jashtme të fytyrës së personit me temperamentin e tij. Kjo sepse duhet ti qëndrosh besnike origjinalit, në një foto por duhet dhe të realizosh një vepër arti, që të pëlqehet.

Një nga qendisjet më të njohura të Yaos është ajo me titull "Soditje" që paraqet portretin e ish kryeministrit të Kinës Zhou Enlai. Në këtë vepër arti në qendisje Zhou pasqyrohet i veshur me një kostum gri të stilit kinez dhe me një pamje të qetë. Pikërisht kjo vepër i dhuroi qendistares Yao çmimin e parë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Arteve Folklorike të Kinës, në vitin 1998. Po këtë vit ajo nisi punën për krijimin e Institutit të Qendistarisë Zhenhu, ndërsa në vitin 2002 u themelua Muzeu i Qendisjeve Yao Jianping. Punimet e saj kanë fituar çmime prestigjioze, ndër to dhe ai me titull "Unë e dua Kinën". Shumë prej qendisjeve të mjeshtres Yao janë koleksione të departamenteve të qeverisë kineze, muzeve por dhe koleksionistëve private. Shumica e qendisjeve të Yaos përbëhen nga portrete të liderëve kinezë si Deng Xiaoping dhe Jiang Zemin, por dhe atyre ndërkombëtarë si ish sekretari i përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan, apo ish presidenti amerikan George W. Bush.

Në shtator të vitit 2011 Yao realizoi nje qendisje bazuar në pikturën e famshme të Huang Gongwang "Banesa në Malet Fuchun" si dhe atë me titull "Pëllumbat". Të dyja këto qendisje u listuan në Ankandin e Veprave të Artit në Tianjin si prodhime të trashëgimisë kulturore. Ato u shitën në vlerën 68 milion yuan (11 milion dollarë amerikanë)

Yao thotë se adhurimi për qendisjen, si një formë e artit e ka nxitur t'i përkushtohet gjatë gjithë jetës së saj, duke rritur aftësitë por dhe rezultatet e saj profesionale. Ajo flet me pasion për qendisjen dhe thotë se më shumë se sa një zeje është art, për të cilin duhet të mësohen praktikat e thjeshta në një periudhë 3-5 vjeçare, por talenti i vërtetë zhvillohet gjatë gjithë punës. Yao shpjegon se nëse artisti ka frymëzim të vazhdueshëm edhe veprat e tij do të jenë të arrira.

Mbretëresha Elisabeth II, portret i qendisur nga Yao

Yao është nderuar me një sërë çmimesh. Kështu në qershor të vitit 2012; qendisja e saj nga të dy anët me portretin e Mbretëreshës Elizabeth II të Britanisë së Madhe u bë e para vepër e një artisti kinez e përfshirë në koleksionin e Buckingham Palace. I biri i dytë i imbretëreshës, Princi Andrew tha se qendisja e Yaos është një ndër portretet më të realizuara të Mbretëreshës. "Kjo vepër pasqyron në mënyrë të detakuar shprehjen e saj të fytyrës dhe veçanërisht sytë. As unë nuk kam arritur të dalloj këto detaje të fizionomisë së nënës sime. " tha Princi Andrew, duke komentuar qendisjen e mjeshtres kineze Yao.

Yao ka marrë pjesë dhe në Sallonin e Vjeshtës, një ekspozitë ndërkombëtare prestigjoze arti në Paris. Për here të pare Yao u prezantoi të pranishmëve punimet në qendisje sipas stilit kinez Su. Yao me emocion thotë se u ndje shumë e nderuar kur në ceremoninë e hapjes së Ekspozitës mundi të fliste për këtë art të lashtë të Kinës.

Yao kujton se një artiste spanjolle e pranishme në Ekspozitë pasi e përqafoi i tha se duart e saj janë të bekuara, që mund të prodhojne kryevepra të tilla arti.

Kjo mjeshtre e madhe nuk ndalet këtu pasi dëshira e saj është të tregojë para botës qendisjet e stilit Su, t'i promovojë ato si një visar i çmuar i kulturës tradicionale kineze. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore