Sa te varur janë kinezët nga celulari?

2017-05-11 09:28:00 CRI Komenti juaj Printoni

 

Zhang Yanqiu, 45 vjeç është e shqetësuar për të bijën e saj, e cila sapo ka përfunduar shkollën e lartë. Ajo thotë se gjatë gjithë kohës sytë e vajzës qëndrojnë të ngulitur në telefonin smartfon në çdo kohë. Madje edhe kur është në shtrat, është me telefonin e saj në errësirë për më shumë se një orë derisa lodhet. Vajza, sipas Zhang, nuk do të flasë me askënd në shtëpi, kur në duart e saj ka telefonin.

Fiksimi me telefonët smartfonë nuk është vetëm te brezi i ri. Li Fengying, 73 vjeç thotë se fëmijët e saj në moshë të mesme, janë tërë kohës me celularë në duar. Ajo tregon se kur djemtë, bashkëshortet e tyre dhe nipërit e mbesat shkojnë ta takojnë gjatë fundjavës, secili ka në duar telefon. Li kujton se në të shkuarën, në takime të tilla, të gjithë pinin çaj ose shihnin televizor së bashku. Por tani, kjo traditë është prishur, si pasojë e telefonëve celularë.

Skena të tilla tashmë janë të shpeshta. Së fundi, një faqe kineze rekrutimi interneti, zhaopin.com publikoi rezultatet e një sondazhi për përdorimin e telefonëve celularë me 10 mijë të anketuar nga 28 qytete të Kinës. Rreth 80% e të intervistuarve pranuan se ishin të fiksuar keq me telefonët e tyre, 79.4% e mbajnë celularin ndezur gjatë natës, 78.86% preferojnë të kalojnë kohën e lirë me të, 60.39% pranuan se kanë reduktuar takimet e drejtpërdrejta me miqtë, 68.56% thanë se gjëja e parë që bëjnë kur zgjohen nga gjumi është të shohin telefonin dhe 63.59% merren me celularin përpara se të shkojnë të flenë. Të anketuarit e përdorin telefonin mesatarisht 3.93 orë në ditë, por ata që punojnë në Pekin e thyejnë rekordin, me 6.72 orë në ditë.

Sun Xinghe, mjek në spitalin Anzhen të Pekinit thotë se njerëzit kanë tendencë të neglizhojnë ndjenjat e tyre të lodhjes kur përdorin telefonët celularë. Të shohësh ekranin për një kohë të gjatë mund të shkaktojë dhimbje të syve, të qafës apo të krahut. Për më tepër, smarfonët po çrregullojnë mënyrën e të fjeturit të njerëzve. Shumë preferojnë të përdorin celularin përpara se të shkojnë të flenë, duke përditësuar profilin në rrjetet sociale apo duke biseduar deri në orët e vona të natës, duke çrregulluar ritmin normal, gjë që sjell përkeqësimin e sistemit imunitar dhe gjendjes emocionale. Ndërkohë, përdorimi me gishtërinj i ekranit mund të dëmtojë ato, por edhe kyçet e dorës.

Mjeku Sun shton se ka shumë persona që vuajnë nga pasojat e përdorimit të gjatë të kompiuterit, si problemet nga mbajtja e mausit apo përdorimi i tepërt i tastierës. Tashmë, është shtuar edhe problemi i gishtërinjve gjatë përdorimit të telefonëve smartfonë.

Telefonët celularë mund të dëmtojnë edhe marrëdhëniet ndërpersonale dhe të qënit social. Su Pengfei, një dizenjator mode 28 vjeç thotë se 90% e njerëzve që sheh çdo ditë në metro janë duke përdorur telefonët celularë. Ai thotë se së bashku me të dashurën nuk janë një përjashtim. Kur dalin, nëse ai është duke i dhënë makinës, ajo luan me telefonin e saj. Nëse hipin në metro ose autobus, përdorin celularin. Su thotë se nëse do të zgjidhte, do të preferonte të bënte gjërat si në të shkuarën, të kapeshin për dore dhe të mos i kishin duart e zëna me celularët.

Zhang, një studente 24 vjeçare, e përshkruan veten si të fiksuar ndaj telefonit. Ajo thotë se sheh rrjetet sociale çdo gjysmë ore, pasi nuk do të humbasë ndonjë informacion nga miqtë e saj. Zhang shprehet se shpesh herë ndjehet e vetmuar kur pasi merr ndonjë mesazh, e hap telefonin dhe sheh se është reklamë e jo ndonjë mesazh nga miqtë.

Kur ndjehet e turpëruar ose në siklet para të tjerëve në publik, nxjerr telefonin dhe nis të merret me të. Disa herë e përdor si justifikim për të treguar se është e zënë, pasi nuk di çfarë bisede të bëjë me një person që sapo e ka takuar. Zhang po bën praktikën në një zyrë avokatie. Edhe pse punon me kompiuter, telefonin e sheh në çdo kohë.

Në kuadër të një studimi në vitin 2011, ekspertët e Universitetit të Merilendit i ndaluan 1000 studentë të përdorinin telefonin apo edhe mjetet e tjera të teknologjisë moderne në 12 universitete në 10 vende të botës, përfshirë Britaninë e Madhe, SHBA dhe Kinën. Rezultoi se studentët pranuan se ishin të fiksuar pas telefonëve celularë e laptopëve, po ashtu edhe ndaj rrjeteve sociale. Studimi, gjithashtu arriti në konkluzionin se studentët përdorën fjalët e njëtjta për të përshkruar gjendjen e tyre si: konfuz, i irrituar, i pasigurt, nervoz, në panik, xheloz, i vetmuar, i varur dhe paranojak.

Psikiatri Luo Xiaonian i spitalit Anding të Pekinit thotë se fiksimi pas celularëve është një problem modern psikologjik dhe se njerëzit e obsesionuar me telefonët e tyre mund të përballen me pasoja.

Luo shprehet se fiksimi ndaj celularëve nuk është përcaktuar si një çrregullim mendor, por sipas përcaktimit të abuzimit me substancat dhe varësinë ndaj tyre nga Manuali i Çrregullimeve Mendore, i publikuar në vitin 2000 nga Shoqata Amerikane e Psikiatërve, varësia e lartë ndaj çdo gjëje mund të konsiderohet si një çrregullim mendor.

Gjithsesi, ka shpëtim për njerëzit të cilët kalojnë shumë kohë në telefonët e tyre dhe se po shqyrtohen mënyrat se si të zgjidhet ky problem. Dizenjatori Su Pengei thotë se një nga rrugët më efikase është të mos kesh një telefon smartfon. Mund të zgjedhësh një celular Nokia të vjetër, që është edhe i lirë. Shumica e kolegëve të tij përdorin këtë lloj celulari, kjo për shkak se i përket modës së vjetër, që në ditët e sotme konsiderohet si një trend. Gjithashtu, një celular i tillë ndihmon që të zgjidhësh problemin e fiksimit pas smartfonit, pasi nuk mund të lidhesh në internet me të.

Ike Shutton nga Nju Jorku sugjeron një tjetër mënyrë më të mençur për të kontrolluar varësinë ndaj celularit. Babai i gjashtë fëmijëve është i acaruar nga fakti se si smartfonët kanë "pushtuar" kohën që kalon me familjen e tij. Ndaj ai shpiku Cell Lock-up, një kuti ku mund të fusësh deri në gjashtë telefonë, përfshirë iPhone, BlackBerry dhe Galaxy dhe t'i mbash të mbyllur aty. Nëse dikush do ta hapë kutinë me forcë, nis të bjerë alarmi se dikush po përpiqet të rimarrë telefonin. Me këtë "qeli", telefonët mund të injorohen përkohësisht dhe anëtarët e familjes e miqtë mund të kalojnë kohën së bashku, e mbi të gjitha të kenë një komunikim të drejtpërdrejtë. Një kuti e tillë mund të gjendet edhe në Kinë. Faqja e internetit taobao.com e ofron këtë produkt për 349 juanë (57 dollarë amerikanë).

Psikiatri Luo Xiaonian thotë se çdo gjë varet nga përdoruesit. Vetëkontrolli dhe vullneti janë shumë të rëndësishme për t'i rezistuar varësisë ndaj celularëve. Për shumicën e njerëzve, varësia nuk ka qënë aq serioze sa të shndërrohet në sëmundje. Ndaj, sipas Luo, njerëzit duhet të bindin veten se të jetosh pa smartfon është një gjë e mrekullueshme. Ai sugjeron që kur nis të merresh me celularin, duhet të përpiqesh të bësh gjëra të tjera, si leximi i një libri, ushtrimet fizike, të dëgjosh muzikë ose edhe të gatuash.

TEST: A jeni të varur nga celulari juaj?

Ky është një test i thjeshtë. Nëse më shumë se gjysma e përgjigjeve për pyetjet e mëposhtme, janë "PO", ka mundësi të jeni të varur nga celulari.

-A e mbani telefonin me vete gjatë gjithë kohës?

-A ndjeheni të acaruar kur nuk e keni celularin me vete?

-Shqetësoheni nëse telefoni nuk bie për një kohë të gjatë?

-A ju duket shpesh sikur bie zilja e telefonit?

-A e kërkoni në mënyrë subkoshiente celularin?

-A e mbani hapur celularin, edhe gjatë orëve që flini?

-Irritoheni kur telefoni është jashtë shërbimit ose s'lidhet me Wi-Fi?

Mrekulli
Lajmet Kryesore