"Çmimi" i një nuseje në Kinë

2017-04-26 16:14:09 CRI Komenti juaj Printoni

Një "listë" çmimesh e shpërndarë në rrjetet sociale në Kinë, e titulluar "Lista e Çmimeve për Nuset në Kinë", tërhoqi vëmendjen e shumë personave pak vite më parë. Ajo u publikua pas kërkimeve që zgjatën një muaj në mbarë vendin.

Në pjesën më të madhe të vendit, "çmimet" e nuseve nënkuptojnë pajën, ku bashkëshorti ofron para, dhurata ose prona për bashkëshorten e familjen e saj. Këto faktorë janë vendimtarë për të lejuar martesën, pasi tregojnë stabilitetin financiar të çiftit të ardhshëm.

Shangai është i pari në listë, pasi "çmimi" për një nuse arrin në të paktën një milionë juanë, plus një apartament. Tianjini dhe tre provinca në Kinën verilindore renditen më pas. Në jugperëndim të vendit, në Chongqing, familjet e nuseve rrallë herë kishin kërkesa monetare për bashkëshortët e ardhshëm.

Luks martesor

Autorët e kërkimit thonë se rezultatet e nxjerra janë relativisht objektive. Rreth 300 persona nga rajone të ndryshme morën pjesë në një anketë nëpërmjet telefonit ose e-mail-it. Lista gjithashtu tregon edhe dallimet mes zonave urbane dhe atyre rurale. Përshembull, në provincën lindore Zhejiang, "çmimi" për një nuse është 100,000 juanë në zonat rurale dhe mbi 150,000 juanë në ato urbane.

Një dhëndër zakonisht i jep familjes së bashkëshortes para të thata me shifra që fillojnë e mbarojnë me numra fati, si 6 apo 8. Kështu një dhëndër mund të ofrojë 80,000 juanë në provincën Hubei, ose 58,888 juanë në krahinën Shaanxi. Në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme, në veri të Kinës, "çmimi" tipik për një nuse është 8,888 juanë shoqëruar nga bagëti. Sanjin, që do të thotë dhurata e tre gjërave prej ari, si vathë, varëse dhe unazë, mund të kërkohet si shtesë e parave të thata që ofrohen. Ndërsa në qytete si Shanghai e Tianjin, kërkohet një apartament.

Në provincën kineze Shandong tradita është pak e çuditshme. Familja e nuses kërkon 1.5 kg të kartmonedhave 100 juanëshe, që zakonisht kanë vlerën e 130,000 juanë.

Synimi i sondazhit ishte të tregohej se si traditat reflektohen në kohët e sotme, teksa vendi përballet me një zhvillim të shpejtë të ekonomisë dhe rritjes së kostos së jetesës.

Ka patur raste kur disa çifte janë ndarë, pasi dhëndri nuk ka mundur të përballojë çmimin e vendosur nga familja e nuses.

Por përdoruesit e internetit u shprehën mosbesues ndaj rezultateve të sondazhit.

Komentuesit meshkuj u ankuan se nuk mund të përballonin martesën e shprehën dëshirën që të lidhnin kurorë me një vajzë nga Chongqing-u, ku familjet nuk kërkojnë asgjë. Shumë të tjerë komentuan se sondazhi i nënvlerëson "çmimet" standarde të nuseve.

Një prej tyre, Shuoluo nga Baotou e Mongolisë së Brendshme tha se ka dyshime për shifrat. Sipas tij, 300 raste nuk janë të mjaftueshme për të treguar një panoramë të plotë për gjithë Kinën. Ai shton se askush në zonat urbane nuk kërkon më bagëti si pjesë të pajës e se një apartament është pjesë e kërkesave edhe aty.

Në mënyrë surprizuese edhe nuset modeste të Pekinit u përballën me dyshimet e komentuesve në internet. Sipas listës, "çmimi" i nuses në këtë qytet është 10,001 juanë, dy kuti ëmbësirash Daoxiangcun, dy shishe të pijeve alkoolike Moutai, dy kuti çaji dhe dy arka me fruta.

Komentuesja Zhang Lele nga Pekini tha se informacionet e ofruara ishin të vjetra. Sipas saj, këto janë zakone sipërfaqësore dhe se familja e nuses padyshim që kërkon më shumë se kaq.

E martuar vitin e kaluar, nusja 27 vjeçare, thotë se në Pekin, dhëndri duhet të ketë një apartament. Në një program televiziv popullor "Ardhja në shtëpi e vjehrrës", bashkëshorti duhet të blejë një apartament me të paktën dy dhoma, brenda unazës së tretë të Pekinit dhe që gjendet pranë qendrës së qytetit.

Një shprehje popullore kineze thotë se duhet të ndërtosh një fole për të tërhequr shqiponjën. Por çmimet e larta të pasurive të patundshme e bëjnë situatën edhe më të komplikuar.

Cila është origjina e traditës? Thuhet se ka ardhur nga nevoja për t'u kujdesur për prindërit e nuses, pasi ajo do të kujdeset për prindërit e bashkëshortit. Por teksa të tilla shqetësime nuk janë edhe aq të rëndësishme në kohët e sotme, praktika ka mbetur nga e kaluara për të ruajtur respektin. Në fakt prindërit e nuses e konsiderojnë këtë si një tregues se bashkëshorti ka marrë përgjegjësitë që i takojnë.

Në shumë postime online, përdoruesit e internetit ankoheshin duke thënë se kjo traditë shton presionin ndaj të rinjve. Një burri përshembull i është dashur të kursejë për pesë vjet dhe të marrë borxhe nga të afërmit për të paguar 80 mijë juanë, që kërkoheshin nga familja e nuses.

Burri është nga provinca qendrore Henan. Ai ishte i lidhur prej dy vjetësh me vajzën në kohën kur kërkoi borxh nga të afërmit për të përmbushur kërkesat e familjes së saj, që të martohej. Por gjithë shumën arriti ta shlyente pas tre vjetësh.

Kur burrat paguajnë për t'u martuar, gratë nga ana tjetër vënë në dispozicion shuma të mëdha parash për të gjetur shpirtin binjak.

Liang Yali, 41 vjeç ka një kompani në të cilën vajzat trajnohen se si të gjejnë bashkëshortin ideal. Çmimi për leksionet dy ditore dhe tutorë personalë arrin në 11,800 juanë. Kompania gjithashtu ofron kurse të tjera nga dy orë deri në tre ditë dhe klasa më e lirë kushton 4,800 juanë.

Bashkëshorti i Liang, 52 vjeçari Kenneth Davis, thotë se kjo është një shumë e vogël kur bëhet fjalë për të përmirësuar jetën tënde, të gjesh shpirtin binjak e të krijosh një familje.

Kompania organizoi edhe një eveniment, ku beqarët mund të gjenin shpirtin binjak, duke e quajtur këtë aktivitet si trajnim për të gjetur burrë.

Një vajzë tha se pagoi 100 mijë juanë për të ndjekur klasat në këtë kompani. Ajo thotë se fillimisht shpenzoi 40 mijë në një kurs për kultivimin e pjekurisë dashurore, të cilin e vlerësoi si të vlefshëm. Më pas shpenzoi edhe 60 mijë juanë për kurset e tjera.

Liang thotë se kompania është si një institucion arsimor, ku ofrohen klasa për të ndihmuar gratë të kuptojnë veten më mirë e të forcojnë besimin në vetvete.

Deri më tani ka patur 160 studente, 60% e të cilave tashmë janë martuar. Në vitin e parë studentet ishin mbi 25 vjeç, por tani mund të gjesh edhe vajza të reja, 17 vjeçare.

Zhou Xiaopeng, një nga konsulentët e një prej tre agjencive kryesore për beqarët, Baihe.com., thotë se martesa nuk është e lehtë as për burrat e as për gratë. Sipas tij, teksa burrat ankohen për "çmimet" e larta të nuseve, gratë ankohen se e kanë të vështirë të gjejnë personin e duhur, ndaj edhe paguajnë për të marrë pjesë në trajnime

Mrekulli
Lajmet Kryesore