Ang Lee projektuesi i teknikës së re filmike

2017-04-13 15:10:23 CRI Komenti juaj Printoni

Regjizori i njohur tajvanez Ang Lee, ndonëse 62 vjeçar thotë se ka ende për të mësuar. Filmi i ri "Billy Lynn's Long Halftime Walk" duhet të vazhdojë traditën e suksesshme të dy krijimeve të tjera të tij, fituese të çmimeve Oscar "Life of Pi" dhe "Brokeback Mountain".

Kësaj radhe Ang Lee i sjell publikut të kinemasë jo thjesht një film artistik, por një realizim kinematografik të paprecedent në formatin 3D, me rezolucion 4K dhe 120 njësi në sekondë.

Kemi të bëjmë me një revolucion në fushën e filmit, pasi ky realizim do të jetë 5 herë më i shpejtë se i një filmi të zakonshëm artistik dhe i pari në botë, i xhiruar në këtë teknikë.

Gjatë një konference të fundit për shtyp, vetë regjizori tha se prej kohësh mendonte të sillte një risi në filmin e së ardhmes.

Filmi i ri i Ang Lee trajton temën e luftës në Irak dhe në rolin e protagonistit është aktori i ri britanik Joe Alwyn, por në kast renditen aktorë të njohur si Vin Diesel dhe Kristen Stewart.

Regjizori Lee shpjegoi se të filmosh me 120 njësi figure në sekondë do të thotë ta sjellësh skenën filmike të gjallë te publiku në sallë. Madje si shembull për këtë regjizori tha se nëse aktori do të ndjejë ndrojtje në rol, publiku në kinema do të shohë në ekran çdo pore të fytyrës së tij .

Regjizori që kërkon të renë

Ang Lee, i njohur me realizimin e filmit "Crouching Tiger, Hidden Dragon" dhe më pas suksesi në filmin fitues të Oscarit "Life of Pi" duket se nuk kënaqet me standardet e njohura të kinemasë. Ai gjithmonë eksperimenton dhe kjo ndodhi dhe tani me filmin e tij më të ri.

Kur e pyetën gazetarët për këtë rendje pas të resë, Lee tha se përderisa është gjallë dëshiron të ndjehet i tillë në çdo hap të jetës. Madje ai iu referua një shprehjeje kineze, sipas të cilës "Sa më shumë të mësosh, aq më shumë e kupton sa i paditur je".

Kritika botërore e filmit e ka vlerësuar këtë risi, por ka patur dhe mendime kundër. Disa prej kritikëve janë shprehur se publiku do të tërhiqet më shumë nga efektet filmike se sa nga vetë përmbajtja e filmit.

Ang Lee vlerëson përparimin e filmit kinez, që shumë shpejt thotë ai do të kalojë industrinë amerikane të filmit, si përsa i përket tregut por edhe nga pikpamja kulturore.

Filmi i ri i Ang Lee "Billy Lynn's Long Halftime Walk" e shfaqi premierën e tij në tetor në Pekin ndërsa në Nju Jork u shfaq në nëntor.

Biografia

Ang Lee është një regjizor, skenarist dhe producent nga Tajvani. Ndër filmat kryesorë të tij The Wedding Banquet, Pushing Hands, Eat Drink Man Woman Crouching Tiger, Hidden Dragon; The Ice Storm; Hulk; Brokeback Mountain. Për këto filma ai është nderuar me dy çmime Oscar, por dhe me çmim Oscar për filmin më të mirë në gjuhë të huaj.

Lee është martuar me Jane Li, një mikrobiologe në vitin 1983 dhe ka dy djem Haan dhe Mason. Djali i tij Mason është aktor dhe ka interpretuar në filmin hollivudian "The Hangover" në rolin e Tedit.

Vlerësimet për regjizorin Ang Lee

Përveç çmimeve Oscar, regjizori tajvanez Ang Lee është nderuar me disa çmime BAFTA, si "Regjizori më i mirë" në edicionet e viteve 1996,2001,2006 dhe 2013, por edhe me të njejtin çmim për "Filmin më të mirë".

(Eda Merepeza)

Mrekulli