Hutongu Wudaoying, më i preferuari i të huajve në Pekin

2017-04-06 10:15:20 CRI Komenti juaj Printoni

 

Hutongu Wudaoying është destinacioni i dytë më i preferuar i të huajve në Pekin. Ai ka një histori mbi 600-vjeçare dhe ndodhet pranë Tempullit të Lamës.

Hutong-ët janë rrugicat karakteristike të Pekinit, oaze qetësie në mes të marramendjes së metropolit të zhurmshëm. Me ta zbuluar "Wudaoying"-un, këtë vend relaksues në zemër të Pekinit, nuk jam ndarë më prej tij.

Në sytë e të huajve, hutongët gjithnjë kanë simbolizuar diçka misterioze dhe interesante të kryeqytetit kinez.

Megjithëse "Wudaoying"-u ështe një nga hutong-ët më të vjetër në Pekin, me kohën ai ka ndryshuar shumë, duke u ndërthurur gjithnjë e më shumë me karakteristikat perëndimore. Ndërtesat, për nga arkitektura dhe paraqitja e jashtme, të lënë përshtypjen e një lagjeje të vjetër të Pekinit. Nëse futeni brenda, do të hasni shumë bare që ofrojnë ushqime perëndimore.

Ndërkohë që pjesa tjetër e Pekinit ka shumë trafik dhe njerëzit janë të zënë me punë, këtu ështe shumë qetësi dhe është një ambjent tejet shplodhës.

Në këtë rrugicë të vjetër të Pekinit ndihet pulsi i jetës pa telashe, me banorët që luajnë mahjong (një lojë kineze që luhet me zare nga 4 lojtarë), por edhe me vizitorët që shëtisin të qetë. Këtu gjen dyqane të ndryshme që ofrojnë suvenire e deri tek veshje autentike apo lule shumë të veçanta.

Para se shumë të huaj të vizitojnë Kinën, kanë pak njohuri për hutongët, thjesht përshtypje të krijuara nga filmat apo videot.

Këtu shumicën e kohës së lirë e kalojnë duke bërë shëtitje në lagje të ndryshme, sidomos në hutongë, dhe duke prekur nga afër origjinalitetin e tyre. Por më pëlqen gjithashtu dhe ndërthurja me jetën luksoze, me dyqanet e këndshme dhe kafenetë e shumta.

Në hutongun tim të dashur gjen kuzhinën e shumë vendeve, përfshi edhe atë greke, tek "Argo", apo kuzhinë spanjolle tek "Saffron", pa harruar vendin me kafenë më të mirë në Pekin, "@Barista".

Ky hutong është dhe vendi i preferuar i shumë shqiptarëve që jetojnë në Pekin. Por ky hutong është një dashuri me shikim të parë edhe për shqiptarët që e vizitojnë Pekinin si turistë ose të atyre që vijnë për vizitë këtu. Një ditë dëgjova një grup të rinjsh në një bar që flisnin shqip. Nuk i kisha parë asnjëherë më parë. E befasuar dhe e lumtur, shkova drej tyre dhe u bashkova me ta.

Të gjithë e duan këtë hutong dhe thonë se, kur të rikthehen në Pekin, patjetër që do ta vizitojnë sërish hutongun tim të dashur, Wudaoying.

"Nanluoguxiang" një tjetër zgjedhje e të huajve në Pekin

Ai është një nga hutong-ët më të vjetër të kryeqytetit dhe vizitat gjatë mbrëmjeve janë shumë të pëlqyeshme nga vizitorët. Në këtë zonë ka shumë bare dhe restorante komode si dhe klube nate me muzikë "live", por nuk mungojnë edhe baret e xhazit, Salud dhe Jianghu.

Në çdo vend të botës ka vende për argëtim dhe për t'u vizituar nga turistët. Nju-Jorku ka "Greenwich Village", Londra ka "King's Road" etj. Ndërsa Pekini ka Nanluoguxiang, i cili është vendi ku turistët gjejnë atë që kërkojnë.

Për ata të cilët pëlqejnë të bëjnë shëtitje, ky është një vend i përshtatshëm, i qetë dhe misterioz.

Nanluoguxiang realisht është vend shumë krijues, me dyqanet apo butikët e vegjël, ndër to është edhe dyqani im. Këto u hapën me shpresën se kjo zonë do të zhvillohej, dhe në fakt u zhvillua shumë. Kjo zonë u bë një platformë për të rinjtë, për të krijuar bizneset e tyre. U kthye në një zonë shumë tërheqëse për ata të cilët dëshironin të hapnin bare apo kafene apo dyqane dhe ky është momenti kur Nanluoguxiang u shndërrua në një vend interesant. Ajo që e bën të veçantë këtë vend është fakti se Nanluoguxiang është edhe zonë banimi edhe zonë tregtare. Vizitorët shkojnë atje e shohin të moshuarit që luajnë shah, fëmijët e gëzuar etj, pra, është një zonë banimi nuk është vetëm zonë për të blerë apo për të pirë një kafe me miqtë. Koha më e mirë për mua për të shkuar atje është ora 7 apo 8 e mëngjesit, pasi në këtë kohë të ditës nuk ka shumë njerëz, të sheh syri vetëm banorët të cilët mblidhen për të pirë çaj për të biseduar, për të ngrënë mëngjes. Ky vend është shumë i njohur, njerëzit vijnë këtu nga e gjithë Kina, por jo vetëm. Ky vend vizitohet nga mijëra turistë të huaj, madje në këtë vend kanë ardhur dhe disa aktorë të njohur amerikanë si dhe personazhe të njohur nga fusha të ndryshme. Ju sugjeroj nëse vizitoni Pekinin, mos harroni të shkoni në Nanluoguxiang, do të kënaqeni dhe do të ndjeni një ndjesi të vecantë."

Që prej vitit 2006, Nanluoguxiang është shndërruar në një nga zonat më tërheqëse për turistë që vizitojnë Pekinin. Atje mund të gjejmë dyqane, të cilat shesin të gjitha llojet e suvenirëve dhe relikteve.

Më parë kjo zonë ishte thjesht një hutong si të gjithë hutong-ët e tjerë, por me kalimin e viteve është zhvilluar me ritme aq të shpejta, mbushur me bare e kafene, saqë është kthyer në një vend të famshëm dhe shumë të pëlqyer si për vendësit ashtu edhe për turistët e huaj.

Një prej turistëve nga Britania shprehet se Nanluoguxiang është një hutong që të lë shumë përshtypje.

"Më pëlqen shumë ky vend, pasi është i zhvilluar mirë, dhe përputhet me shijet e ndryshme të turistëve. Këtu shoh ndërthurjen e stilit të vjetër pekinas me shumë aspekte bashkëkohore."

Në këtë zonë ka shumë banesa dhe rreth 120 biznese. Shi Yuhai është një prej punonjësve të këtij qarku.

"Nanluoguxiang është një vend që mbart kulturën e lashtë të një qyteti të vjetër e perandorak si Pekini. Në ditët e sotme, Nanluoguxiang është kthyer në një platformë që tërheq të rinjtë të ngrenë bizneset e tyre."

Mrekulli
Lajmet Kryesore