Tatuazhet kineze, historia dhe e sotmja

2017-04-06 16:56:32 CRI Komenti juaj Printoni

Tatuazhet kineze janë ndër më të famshmet në botë, të përhapura si brenda Kinës por edhe jashtë saj. Hieroglifet kineze me madhështinë e tyre kur përdoren për tatuazh përcjellin një pamje ekzotike, por edhe përmbajtja e tyre është mjaft domethënëse.

Tatutë kineze ose Ci Shen

Arti i tatuazhit ka një histori mijëravjeçare në Kinë, madje njihet me emrin "Ci Shen" ose "Wen Shen", që mund të përkthehet si "gjilpëra në trup". Në shumicën e rasteve në historinë kineze tatuazhet janë konsideruar si një përçudnim i trupit të atyre që i mbajnë apo si diçka e padëshirueshme.

Në një nga veprat klasike kineze, atë me titull "Anës së ujit" përmendet tatuazhi. Në këtë vepër flitet për disa banditë të Malit në fillimet e shekullit të 12-të. Ishin 108 shoqërues të banditit të famshëm Song Jiang, të cilët e kishin trupin të mbuluar me tatuazhe.

Tatuazhi më i famshëm në historinë e Kinës e ka origjinën nga gjenerali i njohur Yueh Fei, i cili ka shërbyer gjatë dinastisë Song të Jugut. Sipas të dhënave gjatë betejës së gjeneralit kundër armiqve veriorë, një feldmarshall kishte tradhëtuar, ndaj Yueh Fei e humbi fitoren. Në shenjë proteste, Yueh Fei u dorëzua duke u kthyer në shtëpi. Përveç të tjerave dhe e ëma e gjeneralit shprehu zhgënjimin ndaj tij duke shkruar 4 hieroglife në shpinën e saj, të cilat ishin "jin zhong bao guo,", që përkthehen " Shërbeji atdheut me besnikëri !"

Tatuazhet "kriminele"

Sipas dokumenteve historike, tatuazhet në Kinë janë përdorur për të shenjuar kriminelët, që të dalloheshin nga njerëzit e tjerë. Madje kriminelët më të rrezikshëm kishin një tatuazh në fytyrë dhe dënoheshin me largim nga atdheu.

Madje edhe nëse ata pas disa vitesh riktheheshin në atdhe tatuazhi në fytyrë i bënte të dallueshëm nga njerëzit e tjerë. Kjo formë ndëshkimi njihet në kinezisht si "Ci Pei" ose "tatuazh i të syrgjynosurit"

Tatuazhet në Kinën e sotme

Ashtu si kudo në shoqërinë moderne edhe në Kinë ekziston mendimi se përdoren nga "të fortët". Por kryesisht të rinjtë i pëlqejnë tatuazhet ashtu si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre në botë.

Tatuazhet e minoriteteve të Kinës

Tradita e tatuazheve është shumë e përhapur te pakicat kombëtare të Kinës. Më të njohurat përsa i përket traditës së tatuazheve janë pakicat Dulong dhe Dai, por edhe ato Li të Ishujve Hainan.

Tatuazhet e pakicës Dulong

Janë tashmë të njohura edhe jashtë Kinës tatuazhet e grave të pakicës Dulong, që jeton përgjatë lumit me të njejtin emër. Ato datojnë që nga dinastia, rreth 350 vjet më pare. Si pasojë e sulmeve të fqinjëve, femrat e këtij fisi shpesh ktheheshin në skllave. Si reagim ndaj kësaj ato nisën të bënin tatuazhe në fytyrë, për të shpëtuar nga përdhunimet. Por tradita vazhdon të ruhet në ditët e sotme edhe pse nuk ka më sulme të tilla. Tatuazhet në fytyrë u bëhen vajzave 12-13 vjeçare, si shenjë e pjekurisë së tyre.

Tatuazhet e pakicës Dai

Kjo pakicë ka një traditë të lashtë të tatuazheve te meshkujt dhe femrat. Gratë Dai zakonisht i bëjnë tatuazhet në shpinë, te duart, krahët por dhe një tatuazh të vogël pranë syrit. Meshkujt Dai i konsiderojnë tatuazhet si shenjë të burrërisë dhe vizatojnë dragonj apo tigra te muskujt. Bërja e tatuazheve në këtë pakicë niste në moshën 5-6 vjeçare, por në ditët e sotme ajo bëhet në moshën 14-15 vjeçare si shenjë e rinisë.

Tatuazhet e pakicës Li

Popullsia Li e cila jeton në Ishullin Hainan ka një traditë të lashtë të tatuazheve. Edhe këtu, si tek pakica Dulong tatuazhet praktikohen kryesisht te femrat, që në moshën 13-14 vjeçare. Tatuazhet e vajzave Li bëhen në qafë, por dhe në fytyrë dhe ky process zgjat 4-5 ditë. Sipas traditës, vetëm grate e martuara mund të kenë tatuazhe te duart. Figurat që përdoren nga kjo pakicë janë të ndryshme nga ato të pakicave të tjera.

Në vitin 1930 etnologu gjerman Hans Stubel kreu studime interesante mbi tatuazhet e pakicës kineze Li. Në ditët e sotme kjo traditë po harrohet dhe tatuazhet i sheh vetëm te disa gra të moshuara. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore