Mjeshtri kinez i akuarelit Liu Yi në Tiranë

2017-03-16 15:46:32 CRI Komenti juaj Printoni

 

Në Ditën e Verës, këtë festë të bukur pranverore për shqiptarët një mysafir i veçantë nga Kina u dhuroi festuesve një emocion më shumë. Piktori kinez me famë botërore, mjeshtri i akuarelit Liu Yi mes 70 artistëve nga e gjithë bota në kuadër të Bienales së dytë të Akuarelit demonstroi para publikut të mbledhur në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar artin e tij.

I njohur jo thjesht për stilin e tij të veçantë në realizimin teknik, mjeshtri kinez Liu Yi njihet si "piktori i balerinave", pasi është i apasionuar pas modeleve balerina, që i takon shpesh në veprat e tij në akuarel.

Në Tiranë ai zgjodhi një tematikë të ndryshme, pasi për të pozoi një modele me kostum mirditor.

"Vajzat shqiptare janë shumë të bukura por kur vishen me kostumin tradicional siç është ai i Mirditës plot ngjyra ato bëhen edhe më të bukura.", tha piktori kinez.

Krahas emrave të tjerë të botës së akuarelit të mbledhur në Tiranë, si Amit Kapoor, Atanur Dogan dhe të tjerë, kinezi Liu Yi pikturoi Shqipërinë.

Këta emra të mëdhenjt të artit botëror të vlerësuar ndërkombëtarisht duke pikturar drejtpërdrejt në mjedis të hapur për publikun lenë trashëgim në breza veprat e tyre.

Në këtë veprimtari të mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës, për pesë ditë do të shfaqen punimet origjinale të 400 artistëve të njohur të akuarelit.

Për mediat organizatori i Bienales, piktori i njohur shqiptar Helidon Haliti tha se " demostrimet e piktorëve pjesmarrës do të jenë të një niveli të lartë. Ata do të ndiqen nga studentë të shumtë të Degës së Pikturës, me të cilët do të komunikojnë, në prani të publikut kryeqytetas".

Akuareli, kjo gjini e pikturës do të shndërrohet në Bienale në një narracion interaktiv.

Lidhur me piktorin kinez Liu Yi, Haliti thotë se "Është një ndër piktorët më të njohur të botës që demonstron artin e tij për herë të parë në Shqipëri. Janë shumë të pakta demonstrimet e tij nëpër botë, madje njerëzit paguajnë për ti ndjekur ato, kurse në Shqipëri mjeshtri kinez i akuarelit sjell artin e tij falas"

Madje sipas piktorit shqiptar Helidon Haliti, mjeshtri Liu Yi i njohur për akuarelet e tij me balerina, në Bienalen e Tiranës do të thyejë traditën. Ka pranuar që të pikturojë në demonstrim të drejtpërdrejtë një modele me kostum popullor të Mirditës.

Në 14 mars, kur në mbarë Shqipërinë festohet Dita e Verës artistët ndërkombëtarë realizuan një tablo 10 metra katrorë te Piramida, në qendër të Tiranës.

Në edicionin e sivjetëm të Bienales Ndërkombëtare të Akuarelit në Tiranë vërehet një zgjerim i pjesmarrjes së emrave të njohur të këtij zhanri të pikturës, por dhe të vendeve nga ata vijnë. Kështu pas aplikimit të rreth 800 artistëve Bienalen e nderuan me pjesmarrjen e tyre artistë nga Kina, Rusia, Kadaja, Korea e Jugut dhe sigurisht nga vende europiane.

Edicioni i Dytë i Bienales Ndërkombëtare të Akuarelit nisi më 12 mars në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë dhe do të përfundojë më 22 mars.

Liu Yi-Biografia

Piktori kinez Liu Yi u lind në vitin 1958 në Shangai. Ai është diplomuar në Universitetin Normal të Kinës Lindore si dhe i specializuar nga Programi i Përparuar i Akuarelit pranë Akademisë së Arteve të Kinës.

Liu Yi është nënkryetar i Shoqatës së Artistëve të Akuarelit të Shangait si dhe anëtar i Shoqatës së Artistëve të Kinës. Ndërkohë Liu është drejtor i Departamentit Artistik të Shoqatës Kërkimore të Artit Xu Beihong.. Punimet e tij në akuarel janë nderuar me çmime të shumta ndërkombëtare. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore