2017-Viti i medias Kinë-EQL

2017-03-01 16:39:30 CRI Komenti juaj Printoni

Në Arkivin e Filmit të Kinës në Pekin u zhvillua të premten ceremonia e përurimit të Vitit të Bashkëpunimit në fushën e medias midis Kinës dhe Europës Qendrore dhe Lindore. Mes rreth 200 të pranishmëve në ceremoni ishin përfaqësues të qeverisë kineze, ambasadorë, si dhe përfaqësues të medias kineze dhe të huaj.

Viti i bashkëpunimit në fushën e medias midis Kinës dhe Europës Qendrore dhe Lindore 2017 është një eveniment i përcaktuar në kuadës të Samitit të Rigës të mbajtur në nëntor të vitit të kaluar, gjatë të cilit pjesmarrësit hartuan kornizën e përgjithëshme të mbështetjes, inovacionit dhe zhvillimit të përbashkët, me synim forcimin e bashkëpunimit dhe promovimin e projekteve të reja në fushën e medias.

Sipas agjendës synohet organizimi i një forumi për bashkëpunimin në fushën e medias, organizimin e shkëmbimeve mes gazetarëve kinezë dhe atyre nga vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, nxitja e projekteve për filma dokumentarë, promovimi i prodhimeve të multimedias dhe gjetja e mundësive për bashkëprodhime në fushën e medias audiovizuale.

Zëvendësministri i Administratës Shtetëtore për Shtypin, Botimet, Radion, Filmin dhe Televizionin i Kinës, Tong Gang në fjalën e tij në ceremoni tha se "që nga nisja e bashkëpunimit te mekanizmit 16+1 janë realizuar një sërë projektesh kulturore. Me rëndësi të veçantë është promovimi dhe forcimi i miqësisë mes popujve tanë, duke përfshirë në këtë promovim median dhe kinematografinë"

Ndërsa ndihmësi i ministrit të jashtëm të Kinës, Liu Haixing, nënvizoi se "nëpërmjet projektit të ri në kuadër të mekanizmit "16+1" synohet ndërtimi i urave të komunimimit mes qytetërimeve europiane dhe kineze". Më tej ai shtoi se " viti 2017 është një vit mundësish në strategjinë "Një brez, një rrugë", ndërsa bashkëpunimi në fushën e medias dhe të kinematografisë përbën një dialog të ri në shkëmbime shumëplanëshe"

Objektivat e Vitit të Medias Kinë-EQL

Viti 2017 ka një rëndësi të veçantë në shkëmbimet njerëzore në mekanizmin "16+1", rruga e të cilit u hap në Samitin e Rigës në nëntor të vitit të kaluar. Pritet që të zhvillohen 20 veprimtari në fushën e medies, turizmit, kulturës, mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe përkthimit.

Televizioni shtetëror i Kinës CCTV dhe Arkivi i Filmit i Kinës do të transmetojnë këtë vit filma klasikë nga vende të Europës Qendrore dhe Lindore, por dhe prodhime të reja kinematografike nga këto vende.

Historia e bashkëpunimit mediatik dhe të filmit Kinë-EQL

Vitet e fundit është vërejtur një rritje e shkëmbimeve njerëzore midis Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore. Por këto shkëmbime nuk janë zhvilluar në një terren të zbrazët.

Në ceremoninë e e përurimit të Vitit të Bashkëpunimit në fushën e medias midis Kinës dhe Europës Qendrore dhe Lindore në Pekin pjesmarrësit përjetuan momente nostalgjie kur panë një insert me filmat e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore të shfaqur shekullin e kaluar në Kinë. Kryesisht diplomatët e huaj dhe gazetarët e këtyre vendeve që punojnë në Kinë filluan të kujtonin ato prodhime kinematografike me temën e luftës, por dhe të dashurisë, aktorë të njohur të vendeve të tyre. Ndër to fragmente nga filmi shqiptar "I teti në bronz", që krahas realizimeve të tjera filmike të ish Kinostudios "Shqipëria e re" si "Ngadhënjim mbi vdekjen", "Plagë të vjetra" etj janë të njohura për artdashësit kinezë.

Me promovimin e filmave klasikë dhe atyre të rinj mes Kinës dhe Europës Qendrore dhe Lindore dhe brezat e rinj do të njihen përkatësisht me kulturën, traditat, historinë e vendeve, të përcjella nëpërmjet filmit artistik dhe atij dokumentar.

Kina dhe Shqipëria, rritje bashkëpunimi kulturor dhe njerëzor

Viti i medias Kinë-EQL, i parë edhe në bashkëpunimet e palës kineze me vende të veçanta të Europës Qendrore dhe Lindore, ku bën pjesë Shqipëria do të shënojë një kulm të shkëmbimeve të deritanishme.

Vetëm vitin e kaluar mes Kinës dhe Shqipërisë janë kryer shkëmbime të shumta në kulturë dhe media. Ndër to veçojmë:

Rezultati më i rëndësishëm në fushën kulturore midis Kinës e Shqipërisë është nënshkrimi i "Protokollit të Bashkëpunimit" në maj të vitit 2016. Zv./ministri i Kulturës i Kinës Ding Wei në krye të një delegacioni, vizitoi Shqipërinë dhe të dyja palët nënshkruan "Planin e Bashkëpunimit Kulturor 2016-2020 midis Ministrisë së Kulturës të Kinës dhe Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë".

JANAR 2017

Koncert i parë i muzikës klasike kineze në Tiranë u zhvillua në atmosferën e Festës së Pranverës, Vitit të Ri kinez, në kujdesin e Ambasadës së Kinës në Shqipëri. Orkestra Simfonike e Shenzhen-it dhe ajo e Radio Televizionit Shqiptar shfaqën një koncert në Universitetin e Arteve në kryeqytetin shqiptar.

GUSHT 2016

-Panairi i 23-të Ndërkombëtar i Librit në Pekin, në muajin gusht, në kuadër të të cilit t u zhvillua Forumi i Shkëmbimeve Kulturore Kino-Shqiptare dhe promovimi i librit "Nënë Shqipëri", në gjuhën kineze. Veprimtaria u organizua me nismën e Administratës Shtetërore të Shtypit,Botimeve, Radios, Filmit dhe Televizionit të Kinës, në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese "Gjuhët Huaja në Mësimdhënie dhe Kërkim" si dhe të Radios së Jashtme të Kinës (CRI).

MAJ 2016

- Në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Kinë-Europë Qendrore e Lindore (EQL) dhe Deklaratës së Sofjes për Bashkëpunimin Kulturor 2016-2017 mes Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore në maj u zhvillua në Pekin Forumi i Bashkëpunimit Artistik Kinë-EQL 2016. Forumi u organizua bashkërisht nga Ministria e Kulturës e Kinës dhe Bashkia e Pekinit dhe shënoi një nga ngjarjet më të rëndësishme të shkëmbimeve kulturore mes Kinës dhe vendeve të EQL-së në vitin 2016.

MAJ 2016

Grupi i nëntë artistëve shqiptarë mori pjesë në Forumin e Bashkëpunimit të Arteve midis Kinës dhe vendet e Europës Qendrore e Lindore që u organizua në Pekin.

Gjatë vitit të kaluar në kujdesin e Ambasadës së Kinës në Shqipëri janë organizuar dhe shkëmbime kulturore si koncerte të artistëve kinezë, shkëmbime studentësh etj. Por dhe ky vit ka nisur mbarë përsa i përket shkëmbimeve dhe ndër to mund të përmendim pjesmarrjen e piktorit ë njohur kinez Liu Yi në Bienalen e 2-të Ndërkombëtare të Akuarelit që do të zhvillohet në Tiranë nga 12 mars deri më 12 prill, në kujdesin e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe Bashkisë së Tiranës.((Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore