Pandemia dhe ekonomia botërore

2020-05-11 15:21:45 CRI Komenti juaj Printoni

Prof. Selami Xhepa, një ndër ekonomistët më të njohur në Shqipëri bën një analizë të detajuar të gjendjes së ekonomisë botërore në përballje me pandeminë, duke u ndalur te pasojat e saj globale dhe kombëtare. Në këtë analizë ai ndalet dhe te ekonomia kineze dhe masat e mara për mbrojtjen nga goditja e pandemisë

CMG: Sekretari i përgjithshëm i Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD) Angel Gurría tha se tronditja ekonomike botërore për shkak të pandemisë COVID-19 është më e madhe se kriza financiare e vitit 2008. Sipas tij shpërthimi i virusit do të ndikojë në përgjysmimin e rritjes globale të ekonomisë, në 1.5 për qind, ndërsa vendet do të merren me rikuperimin e ekonomisë për vite me radhë. Si e komentoni gjendjen e ekonomisë botërore të goditur nga pandemia?

Prof. Selami Xhepa: Kriza aktuale është krejt e ndryshme nga krizat tipike që godasin ekonominë dhe që janë studjuar shumë nga kërkuesit e ekonomistët e krizave. Jemi në gjendje që të njohim mirë krizat e borxheve sovrane, të monedhave, të kredisë dhe bankave, të tregjeve financiare në tërësi, kriza që burojnë nga deformimet në fondamentet ekonomike apo nga sjelljet e turmës, që i bëjnë krizat profeci vetpërmbushëse. Por kriza si kjo e tanishmja, e krijuar nga një bllokim total i veprimtarisë ekonomike dhe ndërprerjes së konsumit (pra, një kërkesë si nga oferta dhe nga kërkesa), dhe një ndërprerje në zinxhirin global të furnizmit dhe prodhimit, më duket e paprecedentë. Për këtë arsye, studjues të njohur e kanë lexuar këtë episod të krizës globale si shumë më serioze për nga pasojat se krizat e tjera të deritanishme. Gjithashtu të prekura janë të gjithë vendet e botës, që nga ekonomitë e mëdha dhe të vendeve të zhvilluara e deri tek vendet më të varfëra të botës. Në këto kushte, skenaret që paraqesin projeksionet e derisotme flasin për një rritje ekonomike negative. Madje në skenaret më pesimiste mendohet dhe një rënie e krahasueshme me Depresionin e Madh të viteve 1929-1933. Prodhimi botëror në atë periudhë kishte rënë me 1/3, një rënie që do të ndeshej vetëm në vitet e rënies së sistemit komunist në vendet ish-komuniste të Europës Lindore.

Problem dhe më serioz është se ndërprerja e zinxhirit furnizues ka krijuar shqetësime në vazhdimësinë normale të procesit të prodhimit dhe mund të kërkohet kohë deri në normalizimin e situatës së transportit dhe rikthimit në gjendjen e mëparshme. Kufizimet të cilat duket se do të vazhdojnë në formë më të zbutur, sërish do të kenë pasoja për gjendjen e prodhimit dhe një aktivitet më i kufizuar mundet që të vazhdojë edhe në vitet në vijim, duke bërë që rikuperimi i prodhimit të kërkojë një periudhë përtej vitit 2021.

CMG: Shtete të ndryshme kanë marrë masa, duke reaguar në mbrojtje të ekonomisë, shpëtimit të vendeve të punës si dhe mbështetje konkrete për sektorët më të prekur nga kriza e pandemisë siç janë turizmi, transporti dhe industritë e prodhimit. Në gjykimin tuaj cili do të ishte modeli fitues ndaj krizës ekonomike?

Prof. Selami Xhepa : Përballë zhvillimeve kaq sfiduese për të ardhmen e ekonomisë botërore, nevoja për ndërhyrje me programe të fuqishme financiare është evidente. Kërcënimet nga papunësia masive dhe falimentimet e sipërmarrjeve, së bashku me rreziqet për destabilitet social që krijohen në situata të tilla, kanë bërë të domosdoshme angazhime masive të fondeve publike në mbrojtjen e punësimit, ruajtjen e një niveli të pranueshëm të të ardhurave të familjeve dhe shpëtimin e bizneseve nga falimentimi. Fatkeqësisht, gjendja e financave publike nuk ka qenë ndihmuese për shkak se paketa shumë të mëdha financiare u përdorën për shpëtimin e sektorit financiar gjaëe krizës së vitit 2008 dhe gjendja e borxhit, gati 3 herë më e lartë se prodhimi i përgjithshëm global është sot shqetësimi më serioz për ekonominë globale. Në veçanti, vende të varfëra si Shqipëria janë gjendur në një pozicion fiskal shumë të pafavorshëm, ndërkohë që vendet më të pasura kanë mundësi të përballin edhe shifra borxhesh publike shumë më të larta se 100% të GDP-së, siç është Italia, vendi evropian më i prekur nga Covid-19. Nuk mendoj se jemi në gjendje që të bëjmë një bilanc të efiçencës së ndërhyrjeve që janë ndërmarë dhe të bëjmë krahasime të bazuara në evidenca të plota dhe të sakta. Por, vendet që kanë qenë më efiçiente në menaxhimin e krizës së pandemisë në aspektin shëndetësor sigurisht që kanë patur dhe kostot më të ulta në ekonomi dhe më pak nevoja për ndërhyrje me fonde publike.

CMG: Kriza e koronavirusit në Shqipëri ka prekur thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë dhe kjo situate vjen pas goditjes së vendit nga tërmeti i 26 nëntorit. A rrezikon ekonomia shqiptare recesion? Cfarë masash duhet të mare qeveria për të ndihmuar biznesin dhe zbutjen e dëmeve ekonomike?

Prof. Selami Xhepa: Siç e preka më lart, Shqipëria është ndodhur në një pozicion buxhetor shumë të pafavorshëm pasi borxhi publik i cili kishte arritur në gati 73% të GDP-së, kishte filluar të reduktohej, kryesisht përmes shkurtimit të shpenzimeve publike. Shqipëria ka nivelin më të ulët të shpenzimeve publike krahasuar me shumë vende të botës, nën 30% të GDP-së. Nga ana tjetër, pasojat e tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar, sigurisht që krijuan një situatë sociale problematike, e cila kërkonte gjithashtu ndërhyrje me financime publike në shkallë të gjerë në mënyrë që të rikuperoheshin pasojat negative të krijuara. Nëse humbjet u llogaritën në rreth 10% të GDP-së, po kaq ishin fondet e kërkuara për rikthimin e situatës në gjendjen e mëparshme. Edhe para se të mbylleshin aktivitetet ekonomike për shkak të pandemisë, veprimtaria ekonomike në korridorin Tiraë-Durrës kishte vështirësi serioze, sidomos sektori i turizmit dhe shërbimeve në tërësi. Statistikat treguan se tremujori i fundit i vitit të kaluar, shënoi një rritje ekonomike negative. Por, mbyllja e jetës ekonomike për shkak të pandemisë që prej fillimit të muajit mars, ka rënduar në përmasa edhe më serioze gjendjen ekonomike dhe sociale në vend. Projeksionet tashmë flasin për një rënie ekonomike deri në 6% me bazë vjetore, një shifër që Shqipëria e ka shënuar vetëm gjatë krizës së firmave piramidale në vitin 1997. Kjo sigurisht që ka pasoja shumë negative për financat publike, papunësinë, gjendjen sociale në vend, etj.

CMG: Goditja e fortë që kanë marrë nga kriza e koronavirusit Kina dhe Italia është ndier dhe në ekonominë shqiptare. Kina zë 7.4% të totalit të importeve dhe është partnerja e tretë tregtare e vendit, ndërsa Italia është partneri më i madh tregtar i Shqipërisë. Vlerësoni se pasojat e krizës pandemike ndaj këtyre vendeve do të ndihen shumë në Shqipëri?

Prof. Selami Xhepa: Shqipëria ka një lidhje shumë të fortë ekonomike dhe financiare me Italinë, por edhe furnizimet me lëndë të para dhe teknologji nga Kina, luajnë një rol thelbësor në shumë veprimtari ekonomike në vend. Fakti që Kina arriti të kontrollojë përhapjen e pandemisë në një kohë relativisht të shkurtër dhe riaktivizoi jetën ekonomike dhe sociale, ishte lehtësuese edhe për ekonominë globale. Por, ndërprerjet e zinxhirit furnizues në portet e Evropës prej nga ku mallrat dhe teknologjia kineze transportohet më tej drejt Shqipërise, vazhdojnë të prodhojnë shqetësime për furnizimin e sipërmarrësve të vendit.

CMG: Qeveria kineze ka përcaktuar 6 fusha kryesore për mbrojtjen e ekonomisë nga goditja e epidemisë së koronavirusit. Bëhet fjalë për punësimin, financat, tregtinë e jashtme, investimet e huaja, investimet e brendshme etj. Mendoni se ky është një ndër modelet fituese për mbrojtjen e ekonomisë së dytë botërore ?

Prof. Selami Xhepa: Ekonomia kineze është ekonomia e dytë më e madhe e botës dhe nga kjo pikëpamje, sjellja e saj ndikon shumë dhe në performancën e gjithë ekonomisë botërore. Masat e forta të mbështetjeve në të gjithë sektorët: prodhim, tregti, financa, konsum mendoj se kanë arritur të ruajnë që rritja e prodhimit të brendshëm të Kinës të vazhdojë të mbetet sërish ndër më të lartit në botë dhe kjo padyshim që është një sukses i politikave publike të ndërmara nga qeveria kineze.

Kina gjithashtu po jep një ndihmesë globale dhe në luftën ndaj pandemisë duke ndihmuar të gjitha vendet në nevojë, përfshirë dhe ndihmën ndaj popullit shqiptar. Prandaj dhe falenderimet për popullin dhe qeverinë kineze janë të ndjera.

Eda Merepeza

Mrekulli
Lajmet Kryesore