Fondi studimor mbi Kinën në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, vlerat dhe prurjet e reja

2020-03-16 16:46:06 CRI Komenti juaj Printoni

Fondi studimor mbi Kinën në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë ka tërhequr gjithmonë vemendjen e stjudjuesve të fushave të ndryshme. Për rëndësinë e fondit flet Alda Bicoku, doktore e shkencave albanologjike, njëherësh përgjegjëse e sektorit të albano-balkanologjisë në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë.

CMG: Cfarë përfaqëson Fondi studimor për Kinën në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë?

Dr. Alda Bicoku: Ky fond ka tërhequr vëmendjen e analistëve ekonomikë, politologëve, sociologëve të njohur ndërkombëtarë, brenda dhe jashtë vendit. Shumë nga këto studime në fushat e historisë, ekonomisë, kulturës, diplomacisë etj nga botues të njohur gjenden në fondin e Bibliotekës Kombëtare. Në këto koleksione dokumentohet më së shumti lidhja midis Shqipërisë dhe Kinës, diktuar nga procesi i marrëdhënieve të dikurshme ideologjike, por dhe me adaptimet e reja politike dhe ekonomike, sidomos në 30 vjetët e fundit me politikën e hapjes dhe zgjerimit të marrëdhënieve të gjithanëshme të Kinës me shtetet e botës.

Literatura përfshin studime kritike dhe interpretime të ndryshme mbi nivelin e bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve të pabarabarta politike dhe sidomos ekonomike të viteve të shkuara. Një vëmendje dhe interes të vecantë kanë studimet rreth marrëveshjeve dypalëshe ekonomike të dikurshme, si përshembull niveli i ndikimit të kredive të shumta të dhëna nga Kina për Shqipërinë dhe politika e jashtme e Shqipërisë gjatë viteve të komunizmit, por dhe në ditët tona.

CMG: Si pasqyrohet historia e marrëdhënieve shqiptaro-kineze në këtë fond dhe cilat janë etapat e tij?

Dr. Alda Bicoku: Literatura e këtyre periudhave mund të ndahet në faza kronologjike të cilat ndryshojnë nga njera-tjetra. Flasim për 3 etapa: etapa e parë përfshin vitet 1949-1960 dhe përvijohet nga përpjekjet e para të të dy vendeve për të forcuar shtetin, qeverisjen, politikën dhe sigurinë kombëtare. Pavarësisht se pjesa më e madhe e literaturës së kësaj faze është e ndikuar nga ideologjia, ajo paraqet rëndësi hulumtuese për periudhën që studjohet.

Ndërkohë do të vecoja etapën e dytë të marrëdhënieve shqiptaro-kineze ku dallohet qartë si një pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit të qëndrueshëm në vitet 1961-1969. Kjo literaturë trajtohet gjerësisht në koleksionet tona. Ndërsa etapa e tretë e literaturës së fondit përkon me vitet 1970-1978 dhe në literaturën e kësaj periudhe trajtohen marrëdhëniet ekonomike dhe ushtarake midis Kinës dhe Shqipërisë. Përsa i përket literaturës pas një periudhe pause që patëm, pas viteve 90-të kemi një rinisje të vizitave të nivelit të lartë shtetëror dhe vendosjen e dialogut politik midis dy vendeve. Kjo fazë e re e marrëdhëneve shqiptaro-kineze, e ngritur tashmë mbi baza të reja të ndryshimeve politike, ekonomike globale sigurisht që u pasqyrua dhe solli një rijësi në të gjithë fondin e literaturës studimore mbi Kinën dhe marrëdhëniet shqiptaro-kineze.

CMG: Le të hyjmë në brendësi të fondit për të parë kontributin e autorëve shqiptarë dhe të huaj.

Dr. Alda Bicoku: Lidhur me ngjarjet, marrëdhënien me Kinën, Luftën e Ftohtë dhe situatën ndërkombëtare të atyre viteve fondi ka mjaft literaturë nga studjues të huaj dhe shqiptarë. Një këndvështrim me vlerë është ai i disa studjuesve të huaj të cilët janë fokusuar në fushën e studimit të konfliktit sovjetiko-kinez dhe fillesat e miqësisë me Shqipërinë. Këto hulumtime kanë një vlerë të madhe sepse shërbejnë në të kuptuarin e situatës historike të Kinës së asaj kohe dhe të ceshtjeve të karakterit politik, ekonomik, shoqëror etj. Por studime të rëndësishme mbi marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kinës ka ndërmarrë Qendra e Studimeve Ndërkombëtare në Masachusets të ShBA-së, ku do të përmendja profesorin William Griffin, iniciator i projektit për Shqipërinë, ku ai shkroi një libër lidhur me marrëdhëniet e Shqipërisë me dy fuqitë e mëdha të kohës sic ishte Bashkimi Sovjetik dhe Kina. Po kështu do të përmendja autorin e njohur francez Philipe Richer.

Ndërsa po të ndalem te kontributi i autorëve shqiptarë do të përmendja Elez Biberajn dhe studimin e tij me vlera "Shqipëria dhe Kina, një aleancë e pabarabartë", i botuar në disa gjuhë. Gjithashtu do të përmendja studjuesin Peter Prifti, apo studimin e Gjon Boricit "Marrëdhëniet shqiptaro-kineze në Luftën e Ftohtë 1956-1978", por dhe studimin e Hamit Kabës me titull "Shqioëria në rrjedhën e Luftës së Ftohtë". Një vlerë të vecantë mendoj se ka libri i studjuesit Enver Bytyci me titull "Shqipëri-Kinë, dështimi i një bashkëjetese". Ndihmesë të madhe për studime historiografike dhe për të kuptuar prishjen e marrëdhënieve mes Shqipërisë, Bashkimit Sovjetik, por dhe me Kinën kanë dhe kujtimet.

CMG: Pra edhe librat me kujtime përfshihen në këtë fond ? Besoj se një vend të madh këtu zenë dhe veprat e Enver Hoxhës.

Dr. Alda Bicoku: Po. Do të përmendja këtu veprat e tij "Titistët", "Hrushoviantët", "Shënime për Kinën" në disa vëllime si dhe seria e botimeve të Institutit të Studimeve Marksiste Leniniste. Pavarësisht ndikimit ideologjik që kanë këto botime përbëjnë një burim të rëndësishëm historiografik për studimin e atyre viteve.

Interesant është fakti që në Bibliotekën Kombëtare është trashëguar fondi i bibliotekës personale të diktatorit Enver Hoxha dhe aty ka një pasuri të madhe të studimeve mbi Kinën, mbi historinë e saj, filozofinë, jetën sociale të popullit kinez, por dhe doket, zakonet. Pra shohim që ai e ka studjuar gjerësisht Kinën, duke dashur të marrë informacion historik, kulturor.

CMG: Cfarë përmban biblioteka e tij lidhur me Kinën?

Dr. Alda Bicoku: Ka studime nga autorë francezë, por dhe autorë amerikanë e anglezë të përkthyer në frëngjisht sepse ai e zotëronte më mirë këtë gjuhë. Vërejmë që është marë më shumë me historinë dhe kulturën e Kinës, që ka dashur ta studjojë, por dhe marrëdhëniet ndërkombëtare dhe rolin e Kinës në dy blloqet e Lindjes dhe Perëndimit në arenën ndërkombëtare.

CMG: Cilat janë prurjet e reja të fondit dhe si pasurohet ai, qoftë dhe me autorë kinezë?

Dr.Alda Bicoku: Aktualisht nga autorë shqiptarë dhe të huaj, por dhe kinezë kemi një sërë hyrjesh të reja në koleksionin e Bibliotekës Kombëtare, të cilat na japin një pamje të gjerë dhe të qartë mbi Kinën sot, gjendjen e saj ekonomiko-shoqërore dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të saj, me një grup konceptesh dhe strategjish të reja, me të cilat Kina synon të ndërtojë perspektivën kineze në shpirtin e botës së sotme. Nga autorët shqiptarë do të vecoja librin e Ymer Minxhozit "Kina, sfida e shekullit" i vitit 2003. Por një pasqyrë të qartë mbi modelin aktual të zhvillimeve më të reja politike, ekonomike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare të Kinës na japin librat më të fundit nga autorë që kanë cituar politikanë kinezë. Do të përmendja gjithashtu udhëheqësin e Kinës Xi Jinping nga i cili kemi libra në anglisht, por dhe në shqip, ndër të cilat "Urtësia shekullore dhe qeverisja"

Eda Merepeza

Mrekulli
Lajmet Kryesore