Kina përballë koronavirusit

2020-02-12 13:07:01 CRI Komenti juaj Printoni

Koronavirusi është kryefjalë e opinionit publik botëror, por dhe e mediave e vecanerisht atyre sociale. Shqipëria, ndonëse nuk ka patur asnjë të prekur deri tani nga virusi vdekjeprurës, po merr masa për parandalimin e tij. Koronavirusi ka shndërruar në objekt paragjykimi kinezë në vende të ndryshme të botës, duke shënuar një dukuri negative, fatkeqësisht e vënë re në raste sporadike dhe në Shqipëri. Ndërkohë shqiptarët përdorues të mediave sociale kanë shprehur solidaritet me popullin kinez, duke vlerësuar masat e marra për mospërhapjen dhe trajtimin e koronavirusit dhe duke uruar tejkalimin sa më të shpejtë dhe pa pasoja të tij.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike, prof. Afrim Krasniqi analizon përballjen e Kinës me epideminë e koronavirusit, duke vlerësuar masat e marra si dhe përcjell mesazhin e tij të solidaritetit për Kinën dhe kinezët.

CMG: Kina, por dhe disa vende të tjera po përballet me koronavirusin, por kjo nuk është epidemia e parë botërore, nëse i referohemi SARS-it, H1N1 dhe MERS-it. Por aktualisht koronavirusi është virusi i parë në kohën e mediave sociale. Ju si e vlerësoni këtë situatë ?

Prof. Afrim Krasniqi: Është një fenomen me të cilin përballen të gjitha vendet dhe shoqëritë, për shkak se media sociale ka një pushtet të jashtëzakonshëm, për lajmin e mirë dhe atë negativ, sidomos për çeshtje që kanë të bëjnë me shëndetin, apo që prekin brezin e ri dhe fëmijët, shoqëritë janë shumë të ndjeshme. Në rastin konkret dhe në Shqipëri vemendja ka qenë jashtëzakonisht e madhe sidomos për individë që kanë moshën e fëmijëve apo moshën e vjetër, që janë më me pak imunitet ndaj viruseve të tilla.

CMG: Po në përmjet medias mësojmë se qeveria kineze, struktura të posacme sic janë ato shë ndetësore por edhe vetë qytetarët kinezë po e luftojnë virusin vdekjeprurës. Ka raste të shumta të të shëruarve, që kthehen në familje sikurse ka dhe raste të humbjes së jetëve. Megjithatë vërehen paragjykime ndaj shtetasve kinezë, që jetojnë apo vizitojnë vende të ndryshme të botës. Është rasti të përmend këtu deklaratën e kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez se "Virusi i vërtetë është ksenofobia". Madje dhe në Shqipëri nuk kanë munguar këto raste. Cili do të ishte vlerësimi juaj për këtë ?

Prof. Afrim Krasniqi: Është e vërtetë që në Shqipëri ka patur disa momente dhe sidomos nga subjekte të caktuara private të cilat i kanë dhënë shumë më tepër rëndësi rrezikut që mund të vijë, duke iu adresuar direkt komunitetit të vogël kinez që kemi në Shqipëri. Por në thelb nuk ka patur reagim public të ashpër edhe sepse niveli i shkëmbimeve që ne kemi është i vogël, sidomos përsa i përket burimeve njerëzore.

Problemi kryesor në Shqipëri lidhet me dobësinë e sistemit parandalues dhe kontrollues, me varësinë tonë të plotë nga kontrollet që bëjnë shtetet e tjera përreth vendit tonë, ose linjat e avionit me këto vende. Duke patur lidhje direkte me vendet evropiane ne ja kemi besuar dhe gati-gati deleguar përgjegjësinë atyre përsa i përket marrjes së masave parandaluese. Problemet me të cilat jemi ndeshur kanë qenë numri i kompanive dhe studentëve që ne kemi në Kinë. Edhe Instituti ynë ka një student në Kinë dhe normalisht të gjithë jemi interesuar për mbarëvajtjen dhe nëse shtetasit shqiptarë në këtë vend kanë problematika, nëse ndodhen në zona të sigurta dhe nëse marrin trajtimin e duhur.

Është normale që shoqëritë kur ndodhen përballë një rreziku të jenë pre e informacionit negativ dhe të besojnë më shumë lajmin negativ se sa atë pozitiv. Në thelb nuk ka patur një fushatë të tillë siç ka ndodhur në rastin e Ebolës apo të tjera, pra nuk kemi patur një reagim masiv kundër. Disa nga reagimet e vendeve të tjera evropiane janë tregues që shoqëritë sado që janë të civilizuara, brenda tyre ka patur dhe ka grupe që i shohin gjërat me paragjykim dhe ky paragjykim është drejtuar ndaj Kinës dhe vendeve të tjera aziatike. Këtë paragjykim e kemi parë edhe gjatë një udhëtimi që kemi bërë në këtë periudhë në vende të ndryshme evropiane.

Është një fenomen që nuk lidhet me politikat shtetërore dhe le të besojmë që është një reagim i veçuar i kategorive të caktuara shoqërore.

CMG: Media ka përcjellë dhe masat që po merren nga qeveria kineze për parandalimin, mospërhapjen e virusit si dhe për uljen e numrit të të prekurve prej tij. Në nivelin e rekordeve u njohëm dhe me ngritjen për një javë të dy spitaleve në Kinë për përballimin e situatës. Ju si i vlerësoni masat e marra?

Prof. Afrim Krasniqi: Fakti që vetë shteti ka shpallur gjendjen e jashtëzakonëshme dhe ta menaxhojë atë është përgjegjë si dhe zgjedhja e tyre, madje traditë e këtij vendi. Ajo që vlerësoj është bashkëpunimi ndërkombëtar, detyrimi që shtetet kanë në raste të tilla dhe bëhet fjalë për bashkëpunim emergjent në të gjitha drejtimet me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Kjo në mënyrë që mesazhi që vjen nga OBSh-ja të jetë i pranuar, i testuar dhe i besuar. Këto epidemi përballohen vetëm me një bashkëpunim të tillë, për shkak të natyrës së tyre si dhe për shkak të shkëmbimeve të qytetarëve nga vende të tjera. Kanë qenë tragjike dhe dramatike për këdo skenat që kemi parë nga rajone të ndryshme të Kinës ku popullsia është detyruar të qëndrojë e izoluar për shkak të virusit dhe të gjithë jemi solidarizuar me ta dhe urojmë që kjo problematikë të zgjidhet një orë e më parë, në mënyrë që një shtet me kaq potenciale të mëdha ekonomike, turistike dhe me shkëmbime me vendet e tjera, përfshirë dhe Shqipërinë t'i rikthehet normalitetit dhe vendet tona të përfitojnë nga shkëmbimet dhe turizmi. Kjo në mënyrë të veçantë pas lajmeve të publikuara se edhe shërbimet postare mund të kenë pasoja apo elemente të tjera që për vende të vogla si Shqipëria janë të rëndësishme.

CMG: Mendoni se kjo epidemi do të dëmtojë ekonominë kineze dhe për rrjedhojë dhe ekonominë globale?

Prof. Afrim Krasniqi: Historia e ngjarjeve të tilla tregon se viti i parë i përballjes ka dëm të madh ekonomik, sepse është një çeshtje që lidhet me besimin, sigurinë dhe raportet se si reagojnë bizneset, individët dhe sidomos agjencitë dhe rrjeti turistik ndaj situatave të tilla. Me siguri vendet e rajonit pranë Kinës, që janë destinacione turistike e kanë më të qartë koston që do të kenë nga raste të tilla. Problemi është që së pari të kufizohen maksimalisht humbjet njerëzore, shtrirja e epidemisë dhe t'i jepet një përgjigje shkencore kurave që mund të sjellin stabilitet dhe besim për të ardhmen. Pas kësaj rikthimi në normalitet është çështje kohe dhe fuqi të tilla ekonomike, siç kanë përballuar situata të tilla në të kaluarën e kanë potencialin për t'i përballuar.

Nëse kjo situatë do të ndodhte në Shqipëri kostoja do të ishte shumë më e lartë, për shkak të mungesës së kapaciteteve, për shkak të mjedisit dhe të situatave specifike, mjafton të kujtojmë këtu përballjen me tërmetin dhe llogarisim humbje në miliona. Ndërsa një potencial i madh ekonomik si Kina që dekadat e fundit ka patur rritje ekonomike dhe hapje drejt turizmit botëror është normale të përballojë vështirësitë .

CMG: Mesazhi juaj i solidaritetit për gjendjen që po kalon Kina?

Prof. Afrim Krasniqi: Janë dy mesazhe. Njëri është njerëzor ndaj dëshiroj që çdo qytetar i prekur nga virusi të marrë trajtimin mjekësor dhe të shërohet sa më shpejt. Uroj që një kurë e besueshme të arrijë të përballojë situatën, në mënyrë që të shmangë çdo lloj paniku, si dhe të ketë sa më pak viktima, pavarësisht se numri i viktimave të viruseve në disa raste është shumë më i vogël se sa ai i aksidenteve automobilistike.

Nga ana tjetër ajo çka ne mësojmë në raste të tilla është se jeta është e vështirë, ndaj detyra kryesore e shoqërive dhe e vendeve tona është të shkëmbejmë pafundësisht informacion, sidomos në përballje me sëmundje dhe me dukuri që janë jashtë natyrës politike, programuese të qeverive dhe deri diku të pashmangshme. Ky do të ishte një apel për të rishikuar dhe standardin e OBSh-së lidhur me bashkëpunimin ndërkombëtar, sistemin e paralajmërimit të hershëm dhe atë parandalues. Këta janë tre elementë për të cilët vende si Shqipëria kanë shumë defekte, ndërsa vende si Kina kanë kapacitete pavarësisht numrit të madh të banorëve dhe menaxhimit të jashtëzakonshëm që kërkon një situatë e tillë .

Eda Merepeza

Mrekulli
Lajmet Kryesore