Tregu kinez ofron mundësi investimi për Shqipërinë

2019-10-30 11:07:06 CRI Komenti juaj Printoni

Dr. Doris Malaj është petagoge pranë Universitetit të Tiranës, në Institutin e Studimeve Evropiane. Ajo referoi në Konferencën për marrëdhëniet kino-shqiptare, në 70 vjetorin e tyre, mbajtur në Universitetin "Ismail Qemali" të Vlorës, krahas shumë profesorëve shqiptarë dhe kinezë.

"Ndërkombëtarizimi i tregut kinez, mundësitë dhe pengesat për investimet shqiptare" ishte tema e trajtuar nga dr. Doris Malaj, që u prit me interes nga të pranishmit.

CMG: Përse kjo vemendje ndaj tregut kinez, përderisa ju merreni me studimet evropiane?

Doris Malaj:Normalisht që studimet evropiane përpos faktit që i referohen në kuptimin e ngushtë Evropës dhe Bashkimit Evropian, shkojnë dhe përtej. Ne në Institutin e Studimeve Evropiane, në departamentin ku unë punoj që është Diplomacia e Bashkimit Evropian në marrëdhëniet ndërkombëtare, padyshim që trajtojmë marrëdhëniet ndërkombëtare përtej hapësirës së BE-së. Kina është një ndër partnerët kryesorë strategjikë dhe të BE-së, ndaj ne shpresojmë shumë që të jetë edhe i Shqipërisë.

CMG: Në kumtesën tuaj bie në sy mundësitë dhe pengesat për investimet shqiptare në tregun kinez. A nuk duket pak si utopike kjo, ndonëse ka disa përpjekje të kompanive të ndryshme shqiptare, kryesisht agro-ushqimore për t'u përfaqësuar në tregun kinez. Më hollësisht, sa ekzistojnë realisht këto mundësi?

Doris Malaj: Mundësistë janë të shumta. Këtë shembull e shohim dhe te fqinjët tanë në Ballkan, por dhe në Evropë apo ShBA qa janë partnerë kryesorë përsa i përket investimeve në Kinë. Ata shohin mundësitë e mëdha që ofron tregu kinez. Duke patur shembuj konkretë të investimeve të huaja në tregun kinez, që kanë përfitime të mëdha, është për të ardhur keq që investimet shqiptare në Kinë janë pothuajse inekzistente.

CMG: Nëse i referohemi panaireve ndërkombëtare që Kina ofron për të gjitha vendet e botës, ku një hapësirë e veçantë i kushtohet dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria ka qenë pjesmarrse në to. Gjykoni se kjo është rruga e vetmë për të treguar ofertën shqiptare për konsumatorin kinez?

Doris Malaj:Kam përshtypjen që Kina dhe konsumatori kinez e dinë shumë mirë se çfarë prodhon Shqipëria dhe çfarë mund të marrin ata prej saj. Problemi nuk qëndron te konsumatori kinez, por më shumë te biznesmenët shqiptarë që kanë ndrojtjen e investimit në nje vend si Kina. Ndaj dhe kumtesa ime lidhet me mundësitë dhe pengesat ekzistuese. Duhet thënë se ka pengesa duke filluar që nga diversiteti kulturor, pavarësisht se kemi marrëdhënie shumë të mira midis nesh. Mënyra e të bërit biznes mes vendeve të ndryshme të botës ka ndryshime të mëdha, për të mos folur pastaj për pengesat burokratike, juridike apo legjislative. Pengesa ka por mundësitë që ofrohen janë shumë herë më të mëdha dhe duhet të tejkalohen.

CMG: Ju si studjuese e konsideroni turizmin si një produkt që mund t'i ofrohet shqiptarëve, pavarësisht se udhëtimet në Kinë janë disi të gjata dhe të kushtueshme. Mendoni se shkëmbimet turistike midis dy vendeve tona do të ndikojnë për rritjen e njohjes së ndërsjellë?

Doris Malaj: Padyshim që turizmi është një ndër aspektet kryesore për t'i bashkuar vendet, si dhe për të tejkaluar diversitetin kulturor mes tyre. Unë nuk e kam vizituar ende Kinën dhe shpresoj shumë ta realizoj këtë në fund të vitit. Jam e sigurtë që do të mahnitem nga çfarë ofron Kina turistike.

CMG: Duke marrë shkas nga përgjigja juaj, si bashkëshortja e Erion Malajt, drejtor i Institutit Konfuci me seli në Tiranë, mik i Radio Ejani dhe shpesh here i pranishëm në programet e saj, si është e mundur që ende nuk e keni vizituar Kinën?

Doris Malaj: Ashtu është por kjo ka ndodhur për shkak të djalit tonë të vogël, që nuk kemi mundur ta linim duke u larguar të dy.Tashmë që është paksa më i rritur mbase mund ta përballojë të rrijë me gjyshërit.

CMG: A keni interes në studimet tuaja që t'i thelloni ato lidhur me marrëdhëniet shqiptaro-kineze, jo vetëm në planin ekonomik, por dhe kulturor e arsimor?

Doris Malaj: Patjetër. Në punën time në Institutin e Studimeve Evropiane një ndër aspektet e preferuara ku jam fokusuar është partneriteti strategjik midis Bashkimit Evropian dhe Kinës. Dëshiroj të përfshij në këtë partneritet nga ana e BE-së dhe Shqipërinë në të ardhmen. Lidhur me aspektin kulturor dhe arsimor e mbulon puna e bashkëshortit tim, ndaj unë do të trajtoj anën ekonomike dhe diplomatike të këtyre marrëshënieve.

Eda Merepeza

Mrekulli
Lajmet Kryesore