Kina, një formulë fituese për zhvillimin e turizmit

2019-07-10 11:11:22 CRI Komenti juaj Printoni


Pas intervistës për sezonin e sivjetëm veror turistik, shtimin e turistëve kinezë në Shqipëri dhe ndikimin për këtë të heqjes së vizave për ta, drejtorja e Drejtorisë së Zhvillimit të Turizmit pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Rovena Moçka u ndal dhe në mbresat e saj nga zhvillimi i turizmit në Kinë.



CMG: Rovena Moçka, ju jeni e njohur si gazetare, por tashmë një prej drejtueseve të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Kjo ju ka mundësuar vizita në Kinë, takime me zyrtarë kinezë të turizmit. Cilat janë mbresat tuaja nga këto vizita dhe takime?

Rovena Moçka: Jam e lumtur të flas për marrëdhëniet që Ministria e Turizmit ka me partnerë të huaj dhe Kina hyn në listën e partnerëve të afërt në bashkëpunim për të realizuar objektivat e përbashkëta, që t'i adresojmë sa më shpejt dhe në mënyrë sa më efikase.

Nga vizitat në Kinë kam përshtypje të jashtëzakonëshme, jo vetëm përsa i përket vendeve që kam vizituar, por dhe për mënyrën si është organizuar jeta, puna dhe zhvillimi në këtë vend. Kina është një nga vendet me progres të madh ekonomik, reflektuar kjo dhe në infrastrukturë, në ndërtimin me shpejtësi të qyteteve, që janë jo vetëm atraktive, por dhe më shumë se sa të jetueshme për vetë kinezët, Nga kjo pikëpamje edhe për ne Kina përbën një model që duhet ndjekur, sepse është një formulë fituese.

Kinën e kam vizituar disa herë në vizita zyrtare, sikundër kemi patur shkëmbime dhe me zyrtarët kinezë të turizmit në Shqipëri. Në Kinë në përgjithësi, por dhe në Shangai në veçanti kemi parë modele turizmi, që mund t'i adoptojmë dhe në Shqipëri.

Më ka bërë përshtypje se si në Kinë historia ishte bërë tërheqëse për turistët e huaj. Për ne ishte me vlerë të madhe sepse kemi vizituar disa site turistike, shtëpi tradicionale, por të rikthyera në atraksione turistike . Aty pamë jetën e një kinezi të thjeshtë në kohë te shkuara, që ne nuk i kemi jetuar. Për një turist të njohë nëpërmjet kësaj mënyrë kulturën e një vendi tjetër, përbën diçka të jashtëzakonëshme.


CMG: Cfarë përvoje konkrete morët në këtë drejtim?


Rovena Moçka: Kemi mësuar se si menaxhohen atraksionet turistike . Mendoj se modeli kinez duhet përshtatur dhe në Shqipëri. Një destinacion turistik mund ta menaxhojë sektori privat nën monitorimin e operatorëve shtetërorë. Konstatova që ishte një nga mënyrat se si mund të zhvillohen disa atraksione turistike, nëse do të duam që t'i kthejmë ato në fitimprurëse. Kjo ishte një rijësi që pamë në Kinë, ndryshe nga vendet e tjera dhe shpresoj që me punë duhet ta adaptojmë edhe në Shqipëri këtë model turizmi.

Pamë një mënyrë krejtësisht të re të paraqitjes së jetës në komunitete përgjatë historisë.


CMG: Personalisht çfarë ju ka lënë mbresë nga vizitat në Kinë?


Rovena Moçka: Të gjitha ishin mbresëlënëse. Por më ka bërë shumë përshtypje kthimi i shtëpive tradicionale në destinacione turistike. Dukej si një miniteatër ku improvizohej jeta e përditëshme e një familjeje kineze në të shkuarën historike. Arredimi i banesës ishte i tillë që vizitori ndjehej sikur po jetonte në atë periudhë të hershme historike.

Kjo të jepte mundësinë e të udhëtuarit në kohë. Ndoshta aty e kam përjetuar për herë të parë nocionin e të udhëtuarit në kohë. Ky udhëtim ishte një nga gjërat më të veçanta që u ofrohej turistëve në Kinë.

Diçka tjetër e veçantë nga vizitat në Kinë për mua si punonjëse e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, ishte qasja me natyrën. Pas gjithë atij zhvillimi të mjedisit në Kinë, gjelbërimit të pafund qëndronte një respekt i jashtëzakonshëm për natyrën. Kjo dukej në plantacionet me lule në qytetet kineze, të shndërruara këto edhe në destinacione turistike. Ndoshta ne si shqiptarë aspekti i mjedisit na bën më shumë përshtypje sepse kemi trashëguar në vitet e tranzicionit një qasje jo të mirë me natyrën dhe mjedisin. Aktualisht mbetet një detyrë, një mision jo vetëm i qeverisë , por mbarë shoqërisë sepse duhet të punojmë fort në mbrojtjen e mjedisit.

Një tjetër mbresë është kulinaria e veçantë kineze, shumë larg traditës sonë të kuzhinës. Me kuzhinën kineze lidhesh që herën e parë, pavarësisht traditës së ndryshme nga e jona. Kjo të jep sërish ndjesinë e pushimeve dhe të veçantës në Kinë.

Eda Merepeza

Mrekulli
Lajmet Kryesore