Artistët kinezë janë mbresëlënës

2019-05-08 17:32:14 CRI Komenti juaj Printoni


-Intervistë me studjuesen e artit Suzana Varvarica


CMG: Zonja Varvarica, ju jeni një ndër studjueset më të njohura të artit në Shqipëri me një karrierë të gjatë. Cila është përvoja juaj, sfidat dhe arritjet?

Suzana Varvarica: Arti nis me jetën e një artisti dhe përfundon me të, por ka diçka të veçantë se artistët kontribuojnë edhe pas vdekjes. Madje artist i mirë është ai për të cilin vazhdon të flitet dhe pas vdekjes. Unë studjoj historinë e artit shqiptar dhe individët që e bëjnë këtë art, duke u marrë edhe me artistët bashkëkohës, si dhe me ata që nuk jetojnë më. Pikërisht kjo jetë e pas vdekjes së artistëve krijon historinë e artit në çdo vend të botës. Në fund të fundit kemi arritur edhe ne në Shqipëri në këtë stad, pasi ka rreth 120 vjet, qysh me Kolë Idromenon që mendohet se krijoi portretin e parë laik në pikturë, i njohur si "Motra Tone". Përmes një studimi të fundit unë do ta kundërshtoj këtë, përmes të dhënave të reja të studjuesit të njohur të fotografisë Besim Fusha, sipas të cilit piktura laike në Shqipëri nis vit më parë me Pjetër Marubin, që ishte italian por pikturoi për herë të parë një subjekt laik, siç ishte një gjeneral turk i asaj kohe, i cili jetonte në Shkodër.

Ka rreth 120 vite që arti laik shqiptar po regjistrohet përmes punës së studjuesve dhe historianëve të artit. Kjo më bën që të nënvizoj se artisti ka një jetë në vazhdimësi, që pasqyrohet në monografitë kushtuar atyre. Kjo punë për mua ka qenë një sfidë e jashtëzakonëshme, që e nisa si artiste dhe me ardhjen e demokracisë merrem me studimin e veprve të artit , sistemit të artit dhe segmenteve kohore të artit. Eshtë sfidë dhe vlerësim. Sapo kam përfunduar studimin tim të tetë, që i kushtohet Simon Rrotës, por për mua është gati një vlerësim. Mendoj se sfida që nisa me studimin tim të parë, kushtuar Kristina Koljakës, skulptores së parë shqiptare, ka arritur tashmë te studimi i tetë.


CMG: Gjatë karrierës suaj ju keni punuar dhe në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. A është lidhur veprimtaria juaj me artistët kinezë gjatë kësaj periudhe ?


Suzana Varvarica: Ka qenë një eksperiencë shumë mbresëlënëse sepse për herë të parë në kujdesin e drejtorit të atëhershëm të institucionit Abaz Hado, aktualisht nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, u krijuan lidhje bashkëpunimi me institucione simotra nga bota. Nëpërmjet Ambasadës së Kinës në Tiranë, por dhe marrëveshjes me dy ministritë tona të kulturës u krijua mundësia e hapjes së dy ekspozitave për shkëmbimin e veprave të artit . Kur erdhi ekspozita e parë nga Kina me vepra artistike të ndërthurura me artizanatin mbetëm të befasuar. Pashë se si artistë profesionistë kinezë prisnin letra, duke krijuar figura nga më të ndryshmet, një art i rrallë ky për ne. Unë e kam në shtëpi një te tillë që ma dhuroi një kolege kineze. Pasi vendosëm një marrëdhënie shumë të mirë edhe unë i dhurova një vizatim timin me laps , që ishte shumë i thjeshtë krahasuar me punën e artistëve kinezë. Një ekspozitë befasuese, ashtu siç janë vetë kinezët, arti, gjuha apo dhe kuzhina e tyre.


CMG: Si e kujtoni vizitën tuaj në Kinë?


Suzana Varvarica: Në shkëmbim vizite edhe ne dërguam në Kinë një ekspozitë me rreth 20 portrete në pikturë, të artistëve tanë më të njohur. Po me këtë temë kishim përgatitur dhe një kalendar dhe kartolina. Eksspozita u hap në Pekin në vitin 2011 dhe u prit shumë mirë nga publiku kinez.

Kemi patur marrëdhënie shumë të shëndetshme midis dy galerive tona të arteve, që shpresojnë të vazhdojnë dhe të forcohen edhe në të ardhmen. Këto shkëmbime përbëjnë një buxhet kulturor midis dy kulturave dhe vendeve tona.

Më pas kam patur kontakte me artistë kinezë të arteve plastike, pjesmarrës në ekspozitat "Onufri". Ishin artistë bashkëkohorë kinezë shumë të talentuar. Kujtoj se njeri prej tyre mbushi faqet e mureve me punimet e tij brenda ekspozitës "Onufri". Kultura kineze e lashtë është shumë mbresëlënëse. Unë e dija këtë gjë edhe më herët por që nga këto kontakte kam krijuar një respekt të jashtëzakonshëm për këtë kulturë.

Pavarësisht se kisha vizituar shumë vende të botës, kjo ishte vizita ime e parë në Lindjen e Largët. Vizita në Pekin për mua ishte një ëndër e realizuar , sepse zbulova Pekinin tradicional, pashë Murin e Madh, monumentet perandorake ku gjithçka ishte një befasi dhe kënaqësi e madhe për mua. Kam një eksperiencë të mrekullueshme nga Kina dhe sa herë bisedoj me miqtë e mi për kultura të ndryshme të botës, unë tregoj për Pekinin.

Eda Merepeza

Mrekulli
Lajmet Kryesore