"Një brez, një rrugë"-platforma më e madhe e bashkëpunimit në botë

2019-01-16 08:52:47 CRI Komenti juaj Printoni

Një proverb kinez thotë "Nëse do të ecësh përpara, ndërto rrugë!"

Nisma kineze "Një brez, një rrugë" ishte në fokus të seminarit "Bashkëpunimi ekonomik mes Kinës dhe Shqipërië, në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë", organizuar të premten në Tiranë nga Ambasada e Kinës dhe Unioni "Biznes Albania".

Fjalën e hapjes e mbajti i ngarkuari me punë i Ambasadës së Kinës në Tiranë Bai Yunbin, i cili ndër të tjera theksoi se "Nisma Një brez, një rrugë është platforma më e madhe e bashkëpunimit në botë." Duke u ndalur te bashkëpunimi mes dy vendeve Bai Yunbin nënvizoi se edhe falë kësaj nisme vëllimi i shkëmbimeve tregtare Kinë-Shqipëri po rritet, duke shënuar investime në vlerën 800 milion dollarë amerikanë. Ndër të tjera ai bëri të ditur se vetëm në vitin 2018 numri i turistëve kinezë në Shqipëri ishte 17 mijë, me një rritje 60% krahasuar me vitin parardhës. I ngarkuari me punë Bi Yunbin tha se viti 2019 përkon me 70 vjetorin e themelimi të R.P.të Kinës si dhe të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe me këtë rast do të zhvillohen veprimtari të shumta në fusha të ndryshme.

Ndërsa kryetari i "Biznes Albania", Luan Bregasi kërkoi shtimin e vemendjes së qeverisë shqiptare ndaj rritjes së shkëmbimeve ekonomike me Kinën.

"Biznesi shqiptar i është mirënjohës Kinës, sepse mjaft biznesmenë shqiptarë në vitet e para të demokracisë rendën në Kinë dhe janë sot përfaqësues të një kapitali të madh, rreth 800 milion dollarë në Shqipëri. Kjo është një shifër shumë e madhe. Ne i jemi mirënjohës Kinës që i mirëpriti biznesmenët shqiptarë dhe u dhaa shansin të bëheshin sipërmarrës të mëdhenj dhe të respektuar. Biznesi shqiptar duhet të përfitojë nga oportunitetet e jashtëzakonshme që ofron ekonomia kineze dhe në mënyrë të veçantë qeveria kineze. Ne duam që biznesi kinez të jetë më shumë prezent në Shqipëri, për të investuar sidomos në sektorin e infrastrukturës. Qeveria jonë është e interesuar dhe e angazhuar për të forcuar bashkëpunimin ekonomik me Kinën, por duhet që administrata shtetërore, drejtoritë e institucioneve t'i bëjnë prezent biznesit projektet që ka Shqipëria dhe t'u ofrojnë këto projekte por dhe të biznesit privat investitorëve kinezë. Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore janë treguar më aktivë se qeveria jonë dhe se sa ne sipërmarrësit shqiptarë për të thithur dhe bashkëpunuar me kompani të mëdha kineze. Biznes Albania angazhohet që do të promovojë më mirë dhe më shumë të gjitha veprimtaritë e kompanive kineze në Shqipëri", tha Luan Bregasi kryetar i Unionit "Biznes Albania".

Më tej në seminar foli prof.dr. Petraq Milo, një ndër ekonomistët e njohur shqiptarë, pedagog i Fakultetit të ekonomisë pranë Universitetit të Tiranës, i cili u shpjegoi të pranishmëve nismën "Një brez, një rrugë" dhe përfitimet prej saj të vendeve pjesmarrëse, ndër të cilat dhe Shqipëria. Vend të vecantë në fjalën e prof. Milos zuri dhe ndërkombëtarizimi i monedhës kineze RMB.

Ndërsa profesori kinez i ekonomisë Wu Changqi i cili të premten vizitoi Fakultetin e Ekonomisë së Universitetit të Tiranëss, në seminar foli në mënyrë të detajuar për nismën kineze "Një brez, një rrugë", duke sjellë shembuj konkret të bashkëpunimit midis sipërmarrjes kineze dhe vendeve të ndryshme, pjesë e nismës.

Në përfundim të seminarit ku ishin të pranishëm dhe përfaqësues të firmave kineze në Shqipëri, biznesmenë, si dhe përfaqësues të mediave shqiptare bashkëbiseduam me prof Petraq Milo për rëndësinë e tij.

CMG: Profesor Petraq Milo ju ishin njëri nga drejtuesit e këtij seminari bashkë me profesorin kinez të ekonomisë, Wu Changqi. Cfarë mund të thoni për seminarin?

P.Milo: Kjo iniciativë ka filluar të zhvillohet në 60 vende, ku përfshihet dhe Shqipëria. Praktikisht Shqipëria duhet të jetë protagoniste por edhe përfituese nga kjo iniciativë.

CMG: Si mendoni se ka shkuar deri tani bashkëpunimi midis dy vendeve?

P.Milo: Do të thoja bashkëpunimi midis bizneseve, por sigurisht edhe bashkëpunimi ndërqeveritar sepse janë nënshkruar marrëveshje, të cilat sigurojnë investimet e të dy palëve. Në planin praktik kemi dy kompani të mëdha kineze në vendin tonë, Bankers Petroleum dhe atë të aeroportit të Rinasit. Përveç këtyre janë dhe rreth 10 kompani të tjera kineze që operojnë në fushën e minierave, apo energjitike. Mendoj se është një lëvizje dhe një zhvillim shumë pozitiv.

CMG: Përsa i përket panaireve ndërkombëtare të Shangait, që do të organizohet edhe këtë vit, në nëntor konstatojmë se nuk ka patur një prani të madhe të bizneseve shqiptare. Mendimi juaj?

P.Milo: Sigurisht. Sepse kjo përcaktohet më shumë nga eksportet shqiptare. Përderisa eksportet shqiptare nuk janë në nivelin që kërkohet edhe prezenca e tyre në këto panaire do të jetë modeste. Megjithatë kanë marrë pjesë 4 kompani, që janë prezente edhe në Shqipëri, me prodhimet e tyre agroindustriale. Detyra e Shqipërisë është të rrisë eksportet, pse jo edhe në Kinë, sidomos me prodhimet agroindustriale. Edhe eksporti i turizmit është një produkt që Shqipëria fare mirë mund ta zhvillojë dhe ta promovojë.

Seminari "Bashkëpunimi ekonomik mes Kinës dhe Shqipërië, në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë", u organizua të Tiranë nga Ambasada e Kinës dhe Unioni "Biznes Albania".

Eda Merepeza

Mrekulli
Lajmet Kryesore