"Një jetë në diplomaci"

2019-01-02 16:22:21 CRI Komenti juaj Printoni

Intervistë me ish ambasadorin e Shqipërisë në Kinë, Maxhun Peka, realizuar në Tiranë nga gazetarja Eda Merepeza.

CMG-Përshëndetje zoti Maxhun! Eshtë kjo një intervistë për China Media Group, seksioni i gjuhës shqipe,ndaj ju falenderoj që mirëpritët ftesën. Shkak për këtë u bë promovimi në muajin shtator i librit tuaj "Një jetë në diplomaci", me kujtime dhe histori nga karriera juaj si diplomat.

Cfarë mund të më thoni për këtë karrierë diplomatike, që ka nisur në vitin 1980 si ambasador i Shqipërisë në Vietnam, për të vijuar në Francë dhe për t'u përmbyllur më pas në Kinë. Sa vend ze Kina në librin tuaj "Një jetë në diplomaci" ?

Maxhun Peka: Ju faleminderit! Diplomacinë e kam filluar në vitin 1970. Vitet kryesore i kam kaluar në Vietnam në kohën e Luftës, të bombardimeve, pastaj kam qenë në Algjeri. Në 1980 kam qenë ambasador në Vietnam dhe nga aty në Paris. Ne fundin e vitit 2005 mu dha mundësia të zgjedh vendin ku do të punoja si përfaqësues i Shqipërisë dhe unë zgjodha Kinën. Në kujtimet e mia patjetër janë kujtimet e Vietnamit, sepse është jeta ime, pjesën e dytë isha me fat si ambasador në Paris dhe pjesa e tretë e karrierës përsëri në Azi, si ambasador në Kinë. Kinën e zgjodha vetë, sepse kisha motivet e mia. Arsyeja kryesore ka qenë se është vend shumë i madh. Kina është qendra e interesave politike dhe ekonomike. Për një diplomat karriere të punojë në një vend ku ka jetë politike, ku ka zhvillime, ngjarje është shumë interesante. Motivi i dytë ka qenë civilizimi i lashtë kinez. Edhe student në Vietnam kisha dëgjuar për Konfucin, por nuk dija asgjë veçse konfucizmi dhe emrin e Konfucit, si filizof i lashtë kinez. Civilizimi i lashtë kinez, budizmi, konfucianizmi dhe taoizmi ishin një motiv. Ky civilizim është i jashtëzakonshëm dhe sa më shumë të përpiqesh të mësosh prej tij, aq më i paditur ndjehesh.

Një motiv tjetër ka qënë ai i marrëdhënieve tepër miqësore në vitet 60-70-të midis Shqipërisë dhe Kinës. Për mua brezi i politikanëve që drejtonin Kinën ishte ai brez që kishte jetuar me ndjenjat e miqësisë midis dy vendeve tona dhe mendoja se për hir të nostalgjisë dhe këtyre marrëdhënieve do të më krijonin kushte për punën time. Nuk jam zhgënjyër. Kam qenë i privilegjuar sepse kam patur marrëdhënie jashtëzakonisht të mira me Departamentin e Europës në Ministrinë e Jashtme të Kinës, me të gjitha institucionet që merreshin me marrëdhëniet me jashtë, po ashtu me seksionin shqip të Radios së Jashtme të Kinës, me degën e gjuhës shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit. I ruaj akoma edhe sot këto marrëdhënie.

CMG: Meqënëse po flasim për marrëdhëniet, si i vlerësoni ndër vite marrëdhëniet shqiptaro-kineze?

Maxhun Peka: Marrëdhëniet shqiptaro-kineze kanë patur zigzaget e veta, kanë patur kulmin e tyre në vitet 60-të deri nga mesi I viteve 70-të. Ato kanë qenë të mbështetura mbi baza ideologjike më tepër, në një kohë kur ndihma e Kinës për Shqipërinë ka qenë jashtëzakonisht e madhe.

Ka patur një përiudhë kur për Shqiperinë Kina u kthye në një shtet që akuzohej për gjithçka. Brezi që ishte mësuar me marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve, dalëngadalë nga heshtja u ambjentua dhe dalëngadalë e harroi Shqipërinë, por duke i ruajtur ndjenjat e miqësisë. Kurse brezi i ri nuk mësoi asgjë, për ata Shqipëria nuk ekzistonte. Unë e kam ndeshur këtë fenomen kur isha në Kinë. Në kontakte me të rinjtë nuk e dinin ku bie Shqipëria.Kina asnjëherë nuk ka mbajtur marrëdhënie armiqësore ndaj Shqipërisë. Radio e Jashtme e Kinës ka vazhduar punën e saj, ka dhënë kontribut për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Pastaj erdhën vitet 90-të kur pala shqiptare bëri përpjekje për t'i ringjallur këto marrëdhënie. Në kohën që isha unë ambasador i konsideroj marrëdhëniet mes dy vendeve shumë të mira. Ka patur shumë delegacione si vizita e kryeministrit për Lojërat Olimpike, vizita e tij zyrtare, e presidentit, kryetares së Parlamentit, apo dhe vizita ministrash.Pra, ka patur marrëdhënie mjaft të mira midis dy vendeve. Shpresoj që këto marrëdhënie të zhvillohen sepse është në interesin e Shqipërisë. Nuk është shumë interesi i Kinës, por është interesi i Shqipërisë të ketë marrëdhënie të mira me Kinën.

CMG: Si e vlerësoni Nismën 16+1, pjesë e së cilës është dhe Shqipëria. Një mundësi e përfitimit të investimeve për Shqipërinë, aq më tepër që kjo nismë ka dhënë deri tani frytet e saj.

Maxhun Peka: Eshtë një iniciativë tepër e lavdërueshme e Kinës. Eshtë një ndihmë e jashtëzakonëshme që Kina u jep vendeve të "16+1", ku bën pjesë dhe Shqipëria. Për fat të keq, mendoj se ndoshta për fajin tonë nuk po shfrytëzohet siç duhet kjo iniciativë në dobi të Shqipërisë. Vendet e tjera kanë marrë shumë si Serbia, Maqedonia, kurse Shqipëria pothuasje asgjë. Kjo është për fajin e palës shqiptare. Në Shqipëri është krijuar ideja se investimet janë ndihmë falas, por investimet janë për të fituar dhe ai që investon, krijohen kushte që në Shqipëri të ndërtohet, të punësohen si dhe të fitohet me tatime, taksa etj. Unë kam patur fatin se kam marrë pjesë në një seminar të nivelit të lartë të "16+1", organizuar në Kinë, në dhjetor të 2013 . Në Kinë organizohen shpesh herë aktivitete të kësaj natyre, por nuk kam dëgjuar të organizohet ndonjë veprimtari e tillë në Shqipëri në kuadër të kësaj iniciative. Do të doja nga politika shqiptare të merrej më seriozisht dhe të punohej më shumë për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

CMG: Zoti Peka marrëdhëniet tuaja me Kinën nuk janë ndërprerë pas misionit tuaj diplomatik si ambasador I Shqipërisë atje, sepse ju së fundmi e keni vizituar Kinën. Besoj se vetëm një libër siç është "Një jetë në diplomaci" nuk i përmbush të gjitha kujtimet dhe mbresat tuaja. A keni ndonjë projekt ku Kina përsëri të jetë në fokus të shkrimeve tuaja?

Maxhun Peka: Nuk e kam menduar në të vërtetë. Kujtimet e mia për Kinën janë të pashlyeshme, sepse kam shumë kujtime. Kam patur marrëdhënie intensive me institucione dhe individë. Edhe në librin tim unë e kam trajtuar me shumë dashuri këtë aspekt. Jam përpjekur të trajtoj dhe civilizimin e lashtë kinez në libër, sepse kam folur për Xian-in dhe terrakotat.

CMG: Jemi në një vit të ri, 2019. Një mesazh i juaji për dëgjuesit e seksionit shqip të China Media Group.

Maxhun Peka: Për mua është rast i veçantë të sjell përshëndetjet e mia për ekipin e seksionit të gjuhës shqipe të Radios së Jashtme të Kinës. Shfrytëzoj rastin t'u përcjell gjithë dëgjuesve urimet e mia të përzemërta për gjithçka të bukur në këtë vit të ri. Urimet e mia popullit kinez për fitore të mëdha në udhëheqjen e presidentit Xi Jinping.

CMG: Ju faleminderit!

Realizoi Eda Merepeza

Mrekulli
Lajmet Kryesore