Shqipëria prezanton potencialet e turizmit në Ekspozitën Ndërkombëtare të Importit të Kinës

2018-11-14 10:09:14 CRI Komenti juaj Printoni

Javën e kaluar u organizua në Shangai Ekspozita Ndërkombëtare e Importit e Kinës. Mes rreth 130 vendeve dhe rajoneve të botës, pjesëmarrëse ishte edhe Shqipëria. Kjo ekspozitë u nda në tri pjesë;ekspozita e vendeve, ekspozita e ndërmarrjeve dhe Forumi Ndërkombëtar Ekonomiko-tregtar "Hongqiao".

Në ekspozitën e vendeve, Shqipëria me pavijonin e saj prezantoi kryesisht burimet turistike.

Gazetarja e Radios së Jashtme të Kinës të Seksionit të Gjuhës Shqipe, Qu Ning, realizoi një intervistë të posaçme me sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Turizmit dhe të Mjedisit, Adrian Kamenica. Në intervistë, z. Kamenica u shpreh se qeveria shqiptare i kushton rëndësi të madhe punës së prezantimit të burimeve turistike. Pala shqiptare e ka prezantuar këtë potecial të vendit në këtë ekspozitë.

"Ideja është të prezantojmë potencialet e Shqipërisë. Kemi disa sfida në lidhje me turizmin. Një ndër sifidat është si të ngremë numrin e turistëve dhe sfida e tjetër është si të ngremë numrin e investimeve në turizëm. Për numrin e turistëve kemi marrë disa nisma, shumë të rëndësishme strategjike. Sidomos me Kinën kemi hequr vizat dhe po punojmë që në vijim t'i heqim për një kohë më të gjatë. Ndërkohë, këtë vit Shqipëria kishte një rritje nga 5 milionë turistë total gjithë vitin, sivjet arriti 6 milionë dhe vitin tjetër mund të shkojë më shumë. Kemi një nismë që deri në vitin 2021, numri i turistëve të arrijë në 10 milionë. Dhe për këtë mbështetemi sidomos në ato vende që kanë më tepër potencial për të ardhur në Shqipëri dhe Kina është një prej tyre. Nga ana tjetër, për turizmin po punojmë për potencialin e investimeve, sidomos në hotele me 4 ose 5 yje, pasi duam të rritim numrin dhe cilësinë e shërbimit të turizmit në Shqipëri. Kemi marrë një sërë nismash, ndër të cilat është taksa zero për 10 vjet për ata që do të sjellin hotel të mirënjohur në Shqipëri dhe disa iniciativa të tjera fiskale."

Z. Kamenica u shpreh se nëpërmjet Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës, Shqipëria ka rast t'i njohë të pranishmit me burimet e pasura turistike.

"Prezenca e Shqipërisë në këtë ekspozitë është shumë e rëndësishme për disa faktorë. E para, i tregojmë gjithë botës se megjithëse jemi një vend i vogël, kemi vendin dhe rëndësinë tonë në hartë. Së dyti, kjo ekspozitë është një mundësi për të parë interesin e operatorëve dhe të agjencive turistike për të ardhur në Shqipëri. Së treti, Shqipëria fillon të formësojë modelin e saj të turizmit dhe dëshiron t'ia tregojë këtë gjithë botës. Dëshirojmë që bota të njohë potecial, të njohë kulturën ekonominë, natyrën, turizmin që ka Shqipëria. Pikërisht, sfida jonë është që të bëhemi të njohur, sepse deri dikur Shqipëria nuk ishte shumë e njohur. Gjatë prezantimit, do të rritet edhe bashkëpunimi, por edhe potenciali i shkëmbimeve të mëtejshme në çdo fushë."

Industria turistike është shumë e rëndësishme për ekonominë shqiptare dhe ka dhënë kontribut të madh për GDP-në, prandaj qeveria shqiptare i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të ekonomisë së vendit.

"Turizmi momentalisht zë rreth 15%-17% të GDP-së në Shqipëri. Prandaj për ne ka një rëndësi shumë të madhe që të zhvillohet si duhet. Nuk kemi pasur një turizëm të zhvilluar në mënyrë të drejtuar, për shkak të problemeve të ndryshme që kemi pasur sidomos me lidhje të tokës, ku momentalisht vërejmë se ka struktura akomoduese, hotele, vend e pa vend, dhe jo të organizuara, duke mos pasur mundësinë të ofrojnë një paketë të përbashkët dhe një potencial të përbashkët. Kjo është pikërisht ajo që kemi bërë. Kemi Strategjinë e Turizmit 2022 dhe përmes saj ne kemi orientuar zonat me përparësi zhvillimi në turizëm, të cilat do të zhvillohen në kuptimin e infrastrukturës, në kuptimin e zhvillimit të hotelerisë etj., për të dhënë një potencial më të madh. Pra, duke pasur një paketë më gjithëpërfshirëse, edhe efekti në ekonomi do të jetë shumë herë më i madh. Sepse në këtë moment kemi vënë re që mënyra individuale nuk sjell atë impakt që do dëshironim."

Këtë vit, qeveria shqiptare hoqi vizat për shtetasit kinezë me pasaportë të zakoshme. Tani, numri i turistëve kinezë në Shqipëri po rritet shumë. Vitin e kaluar numri i turistëve ishte 9 mijë por tani është mbi dyfishuar duke arritur në 20 mijë. Z. Kamenica tha se qeveria shqiptare po bën shumë përpjekje për të tërhequr më shumë turistë kinezë.

"Vetëm në rajonin e Ballkanit qarkullojnë rreth 3 milionë turistë kinezë. Ne do donim dhe po punojmë me vendet e Ballkanit, që të bëjmë një organizim të përbashkët me qëllim që turistët kinezë të vizitojnë disa ditë Italinë, disa ditë Shqipërinë dhe disa ditë vendet e tjera. Dëshirojmë t'u japim një mundësi turistëve kinezë të vijnë dhe të shikojnë potencialet e Shqipërisë. Ka dhe një faktor të rëndësishëm pse kinezët janë të interesuar për Shqipërinë, është faktori historik i marrëdhënieve të mëparshme. Në atë kohë shumë kinezë kanë qënë në Shqipëri, kanë punuar, kanë pasur lidhje dhe kanë parë filma shqiptar. Kam foluar me ta dhe kanë një interes shumë të madh për të parë arkeologjinë, kulturën, për t'u takuar me aktorët etj. Mendoj që potenciali i turizmit i kinezëve është shumë i rëndësishëm."

Z. Kamenina përshëndeti përpjekjet e ambasadës së Kinës në Shqipëri për ndihmën që ka ofruar në tërheqjen e sa më shumë turistëve kinezë në vendin e shqiponjave. Ai shprehu shpresën se nëpërmjet përpjekjeve të palëve të ndryshme, Shqipëria do të arrijë t'i mirëpresë në mënyrë të veçantë turistët kinezë.

"Vitin e kaluar, numri i turistëve kinezë ishte afërsisht 9 mijë, sivjet është 20 mijë. Ambasadorja e Kinës në Shqipëri zhvilloi shumë aktivitete e nisma për të prezantuar turizmin e Shqipërisë. Për këtë qëllim, para dy muajsh dërguam një delegacion shqiptar me rreth 25 veta, të cilat ishin nga Ministria e Turizmit, operatorët e turizmit, kompani të tjera private. E gjithë ideja ishte që përmes vizitës dhe takimeve që bënë këtu, të kishin mundësi të formulonin një paketë të veçantë për turistët kinezë në Shqipëri, duke pasur parasysh edhe nevojat e tyre edhe interesat e kinezëve për Shqipërinë. Prirja jonë është që numri i turistëve sidomos nga Kina të rritet disafish."

Z. Kamenica u shpreh se rezultatet e arritura në bashkëpunimin turistik midis Kinës e Shqipërisë lidhen ngushtë me propozimin e presidenti Xi Jinping "Nxitja e së ardhmes së përbashkët në epokën e re".

"E drejta është se bota ka pasur shumë luftra, shumë vuajtje, shumë probleme ekonomike, politike dhe çështje të tjera. E vërteta është që bota tani duhet të shohi drejt një ardhme më të mirë, drejt paqes, stabilitetit e bashkëpunimit. Kjo bëhet duke gjetur pika të përbashkëta të bashkëpunimit që të stimulojë potecial për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe. Është një politikë e mirë nga një vend i madh, që ka influencë. Në krahasim me Kinën, Shqipëria është një vend i vogël, por gjithsesi, jemi të vendosur strategjikisht në një territor që ka shumë probleme politike. Shqipëria është duke ndjekur pikërisht këtë lloj politike, duke nxitur bashkëpunimin, duke lënë mënjanë problemet, duke lënë mënjanë të shkuarën dhe duke shikuar drejt së ardhmes."

Në përfundim të intervistës, z.Kamenica uroi mirëseardhjen e më shumë turistëve kinezë dhe të huaj në Shqipëri. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore