Mynyr Koni: Aktiviteti akademik duhet të jetë në funksion të përforcimit dhe të lehtësimit të shkëmbimeve kino-shqiptare

2018-09-26 11:38:40 CRI Komenti juaj Printoni

 

Nga 17 deri më 21 shtator, rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni zhvilloi një vizitë zyrtare në Kinë. Gjatë vizitës ai ndër të tjera realizoi një takim me drejtorin e përgjithshëm të selisë qendrore të Institutit "Konfuci", "Hanban", dhe mori pjesë në mbledhjen e bordit të Institutit "Konfuci" në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit, si edhe nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi mes Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Studimeve Ndërkombëtare të Pekinit.

Më 21 shtator, rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni dha një intervistë të posaçme për CRI-SHQIP. Në fillim, ai pohoi rezultatet e arritura nga Instituti "Konfuci" pranë Universitetit të Tiranës si dhe u shpreh se ka rritje të interesit për të mësuar gjuhën kineze në Shqipëri, falë aktivitetit të Institutit "Konfuci".

"Një nga aktivitetet e rëndësishme të kësaj vizite zyrtare në Universitetin e Gjuhëve të Huaja ka qenë mbledhja e bordit të Institutit "Konfuci", qëllimi kryesore i së cilës ishte analiza e raportimit të veprimtarisë për vitin 2017 dhe miratimi i aktiviteteve për vitin e ardhshëm. Me kënaqësi kemi konstatuar që, nga aktiviteti i Institutit "Konfuci", kemi rritje të interesit për të mësuar gjuhën kineze në Shqipëri.Instituti "Konfuci" është realizuar në kuadër të një marrëveshjeje të rëndësishme midis Universitetit të Tiranës dhe "Hanban"-it, si edhe të një marrëveshjeje tjetër me Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit. Nga viti në vit, si rezultat i punës së këtij instituti, me mbështjetjen e këtyre institucioneve që sapo përmenda, kemi rritje të interesit të studentëve, po jo vetëm të tyre, por edhe të qytetarëve të Tiranës dhe të nxënësve të shkollave të mesme. Kjo ka bërë të mundur që viti 2017 të ketë pasur një rritje shumë të lartë, ndoshta edhe pak më të lartë se 75 %, sepse numrat janë duke u llogaritur edhe një herë për të dhënë një shifër të saktë. Dhe kjo është e kuptueshme, sepse duke qenë se instituti është në hapat e veta të parë, puna e tij e vazhdueshme në media, në kontakte, në takime të rëndësishme, në aktivitete, ka bërë të mundur rritjen e interesit të qytetarëve, dhe në mënyrë të veçantë të studentëve, për mësimin e gjuhës kineze."

Gjatë vizitës në Kinë, z. Koni nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi mes Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Studimeve Ndërkombëtare të Pekinit. Ai shprehu besim të fortë për perspektivën e bashkëpunimit të dy universiteteve.

"Në këtë rast dua të theksoj pritjen e ngrohtë që më rezervoi rektori i këtij universiteti, prof. Ji Jinbiao, i cili bashkë me ekipin e tij, na krijoi një ditë shumë komode pranë universitetit të tij. Kjo marrëveshje është marrëveshje kuadër, e cila mundëson bashkëpunimin ndërmjet dy universiteteve për shkëmbim stafesh akademike, studentësh dhe aktivitete të tjera të rëndësishme sipas interesit të të dy institucioneve. Universiteti i Studimeve Ndërkombëtare ka një larmi të gjerë. Përveç studimit të gjuhëve të huaja, aty ka programe edhe në fushën e shkencave kompjuterike, të teknologjisë së informacionit, të ekonomisë, të gazetarisë, fusha të cilat mbulohen edhe nga Universiteti i Tiranës. Prandaj, do të kemi një intensitet të lartë bashkëpunimi."

Sivjet në Universitetin e Studimeve Ndërkombëtare të Pekinit u hap dega e gjuhës shqipe. Z.Koni u zotua se pala shqiptare do të ofrojë një ndihmë të madhe në këtë drejtim:

"Risia dhe elementi i veçantë në këtë universitet ishte hapja e degës së gjuhës shqipe, e cila për ne është një gjë shumë e madhe. I garantuam rektorit dhe stafit që do të japim maksimumin e mbështetjes, që të zhvillohet ky program i gjuhës shqipe."

Lidhur me bashkëpunimin e dy vendeve në fushën e arsimit, z.Koni theksoi se aktiviteti akademik duhet të jetë në funksion të përforcimit dhe të lehtësimit të shkëmbimeve kino-shqiptare.

"Sigurisht bashkëpunimi midis Kinës dhe Shqipërisë është i vazhdueshëm, por hap pas hapi ka rritje të intensitetit të këtij bashkëpunimi. Në fushën akademike, në të cilën unë drejtoj sot Universitetin e Tiranës, ky bashkëpunim do të jetë vazhdimisht në rritje. Kjo është një domosdoshmëri e aktiviteteve që zhvillohen sot midis Shqipërisë dhe Kinës. Po ashtu, ekzistojnë edhe partneritete midis bizneseve kineze dhe bizneseve shqiptare. Bizneset kineze janë futur në trasportin ajror, në minerale etj. Po një element i rëndësishëm janë edhe shkëmbimet akademike. Aktiviteti akademik duhet të jetë në funksion të përforcimit dhe të lehtësimit të këtyre shkëmbimeve tregtare e të biznesit. Kështu, mësimi i gjuhës kineze është një element shumë i rëndësishëm për shtetasit shqiptare, të cilët do të lehtësojnë këto aktivitete të bizneseve kineze në Shqipëri.

Një element tjetër shumë i rëndësishëm për të cilin u diskutua në mbledhjen e bordit të Institutit "Konfuci" është edhe mundësimi i mësimit të gjuhës kineze jo vetëm në Tiranë, por edhe në institucione të tjera të arsimit të lartë në Shqipëri. Unë i garantova kolegët e Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit që sipas interesit që shprehën, universitetet shqiptare do të nënshkruajnë marrëveshje për mësimin e gjuhës kineze në institucionet e tyre, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera: Durrës, Shkodër, Vlorë etj." (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore