Peizazhe të bukur, njerëz të thjeshtë-Intervistë me një turist kinez në Shqipëri

2018-09-12 09:46:34 CRI Komenti juaj Printoni

Qeveria shqiptare vendosi që për periudhën 1 prill deri më 31 tetor 2018, shtetasit me pasaporta të zakonshme nga nëntë vende, duke përfshirë Kinën, mund të hyjnë pa viza në Shqipëri, por periudha e qëndrimit nuk mund t'i kalojë 90 ditët.

Falë kësaj politike gjithnjë e më shumë turistë kinezë po e vizitojnë vendin e shqiponjave.

Në gusht, Ding Jian vizitoi Shqipërinë së bashku me bashkëshorten dhe djalin e tij. Ata janë nga qyteti Hangzhou i Kinës Lindore. Kjo familje kineze vizitoi Shqipërinë për 2 javë, konkretisht vizituan Tiranën, Kavajën dhe Krujën. Gjatë kësaj periudhe ata patën rastin të njihen me traditat dhe zakonet e shqiptarëve në këtë zonë. Zoti Ding tha se Shqipëria ka peizazhe të bukur dhe njerëz të thjeshtë, duke shtuar se do ta vizitojë përsëri Shqipërinë për të parë pjesën jugore të vendit.

Ding Jian është menaxher i një kompanie në Hangzhou për ofrimin e ushqimit në hotele. Falë vizitës së tij në Shqipëri, ai u shpreh se nëse do të ketë rast do të investojë në industrinë ushqimore në Shqipëri.

Të ndjekim intervistën që Ding Jian dha për Seksionin Shqip të Radios së Jashtme të Kinës.

Gazetarja: Çfarë politikash lehtësuese vutë re kur kaluat doganën e Shqipërisë?

Ding Jian: Ishte shumë e volitshme. Di pak anglisht dhe aspak shqip, por kur hymë në doganën e Aeroportit të Tiranës, punonjësit vetëm vendosën vula dhe ne kaluam me sukses.

Gazetarja: Çfarë përshtypje ju la Shqipëria?

Ding Jian: Përshtypja më e thellë që më la ishin njerëzit. Na u dukën shumë miqësorë dhe të thjeshtë. Të gjithë shqiptarët janë të sjellshëm. Gjatë shëtitjeve në rrugë nuk dëgjuam asnjëherë boritë e makinave. Shumë prej shoferëve na hapën rrugën të kalonim me buzëqeshje. Mendoj që ata janë shumë të sjellshëm.

Gazetarja: Sa ditë keni qëndruar në Shqipëri? Çfarë pëlqyet?

Ding Jian: Kemi qëndruar 15 ditë në Shqipëri. Vizituam Tiranën, Kavajën dhe Krujën. Banuam në afërsi të plazhit të Kavajës dhe vizituam disa zona rreth Kavajës. Bregdeti atje ishte shumë i pastër dhe i qartë, saqë mund të shihnim me sy të lirë fundin e detit. Për të jetuar si shqiptarët, me të zbritur nga avioni shkuam për një kafe. Më pas erdhëm në Kavajë. Para vizitës, lexova shumë artikuj mbi Shqipërinë në internet në kinezisht. Mësova që situata ekonomike e Shqipërisë nuk është shumë e mirë, por kur erdhëm këtu pamë që të gjitha automjetet në rrugë ishin të shtrenjta BMW, Benz Mercedes etj. Madje edhe taksitë janë të markës Benz. Ne udhëtuam me taksi në Kavajë nga aeroporti.

Kavaja është shumë e bukur, sidomos plazhi i saj dhe rëra e butë. Kemi qenë në shumë plazhe në vende dhe qytete të ndryshme të Kinës. Shumë plazhe të Kinës janë të bukur por nuk janë natyralë. Rëra e Kavajës ishte natyrale. Pushuam çdo ditë në plazh. Atje shezlongët dhe qiratë e kabinave ishin shumë të lira. Pamë që shqiptarët janë njerëz të lumtur, pavarësisht kushteve ekonomike, ata janë shumë të lumtur.

Në Kavajë nuk ka shumë të huaj, vetëm disa italianë, por asnjë kinez. Banorët vendës janë shumë miqësorë dhe të thjeshtë. Për këtë vizitë, bleva një aparat celulari të mirë me kamerë me rezolucion të lartë. Pata merak që nëse shkojmë në det, nuk do të gjeja vend ku të vendosja telefonin, por të gjithë miqtë shqiptarë më thanë të mos shqetësohesha. Të gjithë shqiptarët atje vendosin gjërat personale si peshqir etj. në shezlong dhe në këtë mënyrë asnjë nuk afrohej. Mendoj se Shqipëria është një vend i sigurt, sistemi i ndriçimit për të parandaluar vjedhjet ishte shumë i mirë.

Djali im 13-vjeçar nuk shprehet, por pashë që atij i pëlqeu shumë ky vend. E pyeta se nëse ai dëshiron të studiojë në Shqipëri? Më tha po! Ai tha se i pëlqen Shqipëria. Edhe bashkëshortja ime mendon se Shqipëria është një vendi i bukur. P.Sh. Gjatë rrugës për në Krujë pamë shumë peizazhe të bukura fshatare. Shtëpitë e fshatit ishin të stilit europian dhe jeta atje ishte me ritëm të ngadallë. Jeta e popullit shqiptar është e mirë, dhe çmimi i produkteve dhe mallrave nuk është i lartë. Shqiptarë pëlqejnë të pinë kafe duke e shoqëruar me një gotë ujë. Kafeja në Shqipëri kishte veçoritë e veta. Kinezët preferojnë të hedhin qumësht dhe sheqer në kafe, ndërsa pashë që shqiptarë tradicionalë pinë ekspres. Në fillim nuk u mësova dot me këtë kafe dhe piva më shumë makiato, kapuçino etj. Duke e provuar disa herë, mendoj se ekspresi është më i mirë se kapuçino. Pasi u mësova piva çdo ditë një kafe ekspres.

Gazetarja: Si mendon për kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën?

Ditën e tretë vizituam Tiranën. Kishte ndërtesa të reja, por jo shumë. Pjesa më e madhe e ndërtesave ishin të vjetra, por brenda shtëpitë ishin të zbukuruara shumë bukur. Në disa ndërtesa apartamentesh kishte dhe ashensor.

Gazetarja: U mësuat me ushqimet shqiptare? Çfarë pëlqyet më shumë?

Ding Jian: U dashuruam me picat, ishin të holla dhe të pjekura në furrë druri. Kjo mënyrë përgatitjeje i bënte ato edhe më të shijshme në krahasim me picat në furrë elektrike. Në Kavajë provuam gjithashtu peshk dhe oriz me fruta deti. Në Shqipëri nuk pamë vaj apo uthull soje. Shqiptarët e rregullonin shijen e peshkut me lëng limoni. Supat atje janë gjithashtu shumë të shijshme. Shkuam në disa restorante të njohur në Tiranë me shumëllojshmëri ushqimesh. Mund të them se ushqimet janë shumë të ndryshme nga ato kineze. Puna ime është ofrimi i ushqimeve për hotelet, prandaj kam shumë njohuri për ushqimet perëndimore. Por si një kinez i zakoshëm, pas disa ditësh dua t'i kthehem kuzhinës sime. Mendoj se do t'u prezantoj kinezëve picat dhe orizin me fruta deti.

Gazetarja: Tani gjithnjë e më shumë turistë kinezë po e vizitojnë Shqipërinë. Çfarë këshillash keni për industrinë e shërbimit të turizmit në Shqipëri?

Ding Jian: Në fakt, mendoj se niveli i hoteleve në Shqipëri është shumë i mirë, madje më i mirë se hotelet kineze të të njëjtit nivel. Mendoj se Shqipëria përpiqet të përmbushë standardet e BE-së, prandaj kushtet e higjenës dhe cilësia e shërbimeve është shumë e mirë. Ajo që sugjeroj është që të shtohen ushqimet kineze në menytë e restoranteve, pasi ushqimi është shumë i rëndësishëm për turistët e thjeshtë kinezë. Nëse do të kem rast, do të investoj në Shqipëri në industrinë e ushqimeve, pasi atje nuk ka shumë restorante kineze. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore