I riu nga Shqipëria merr pjesë në konkursin e futbollit të Pekinit

2018-08-15 09:21:16 CRI Komenti juaj Printoni

 

16-vjeçari shqiptar Oliger Deva mori pjesë në Konkursin e 35-të të Futbollit "Baiduibei", që zhvillohet çdo verë në kryeqytetin e Kinës, Pekin.

"Jam shqiptari i parë që marr pjesë në Konkursin e Futbollit Baiduibei", thotë Oligeri, sportisti me nr.14 nga ekipi Qingcheng FC. Në ditën e parë të konkursit Oligeri shënoi gol nga goditja e lirë.

Konkursi i Futbollit "Baiduibei" u mbajt për herë të parë në verën e vitit 1984. Në atë kohë shkollat organizuan ekipe për të marrë pjesë në këtë konkurs. Qëllimi i kësaj gare është për të pasuruar jetën e fëmijëve gjatë pushimeve verore si dhe për të nxitur zhvillimin e futbollit tek nxënësit. Në konkursin e parë, u regjistruan mbi 100 ekipe për të marrë pjesë në konkursin e quajtur "Baiduibei", lajm që bëri bujë.

Bai nga kinezishtja do të thotë 100, dui-ekip, bei-kupë. Prej vitit 1984, Pekini e organizon çdo verë këtë konkurs.

"Deri tani, Baiduibei u zhvillua nga mbi 100 ekipe deri në 764 ekipe të këtij viti. Sivjet, përmasa e konkursit shënoi rekord historik, pasi marrin pjesë 764 ekipe në 8 zona dhe 11 fusha futbolli. Gjithsej do të zhvillohen 1523 ndeshje. Tani, ekipet organizohen jo vetëm nga shkollat, por edhe nga lagjet, qendrat e veprimtarive jashtë shkollore, prindërit etj. Forma e organizimit të ekipit tregon gjithashtu zhvillim shoqëror dhe është mirëpritur e përshëndetur nga fëmijët, prindërit dhe mbarë shoqëria.

Kjo është hera e parë që një djalë shqiptar merr pjesë në Baiduibei. Megjithëse sot ai është 16 vjeç, ka një dekadë që luan futboll. Kur ishte 3 vjeç, ai nisi të aktivizohej me futbollin në Shqipëri.

"Kur isha i vogël, u mahnita kur fillova të luaja futboll. Më pëlqen të vrapoj në fushën e futbollit."

Kur ishte 6 vjeç, Oligeri erdhi në Pekin me prindërit të cilët janë staf teknik në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Pekin. Ai studion në një shkollë ndërkombëtare në distriktin Shunyi të Pekinit dhe iu bashkua ekipit të futbollit të shkollës për të vazhduar ëndrrën e tij.

Gjatë studimeve, Oligeri stërvitet 4 ose 5 herë në javë.

"Më parë kam marrë pjesë në disa ndeshje stërvitore në Pekin, por është hera e parë që marr pjesë në një konkurs profesional Beiduibei,"

thotë 16-vjeçari.

Pjesëmarrja e Oligerit në Baiduibei u realizua falë shokut të tij të klasës Wang Da. Vitin e kaluar, Wang Da përfaqësoi ekipin e tjetër dhe u takua me ekipin Qingcheng FC. Në atë kohë Wang Da-së iu shtua kureshtja për ekipin Qingcheng FC, ekip me stilin e veçantë të lojës dhe me disiplinë të lartë. Më pas ai vendosi të marrë pjesë në këtë ekip dhe prezantoi Oligerin nga Shqipëria dhe një tjetër shok nga Brazili të bëhen pjesë e këtij ekipi.

Geri u lumturua pa masë kur mori vesh se mund të merrte pjesë në Baiduibei.

"Unë e di që Baiduibei është konkursi më i rëndësishëm i futbollit të fëmijëve dhe të të rinjve në Pekin. Në Shqipëri ka ndjeshje të ekipeve të të rinjve dhe nga klube të ndryshme dhe nuk ka shumë konkurse amatore."

Trajneri i ekipit Qingcheng FC Yu Lin tha se futbollistët e këtij janë njohur në ndeshje jozyrtare dhe më pas tërhoqën njeri-tjetrin mes grupit të tyre të miqve. Pas pjesëmarrjes, Oligeri kalon shumë mirë me anëtarët e tjerë.

Yu Lin tha: "Ky djalë ka teknikë dhe aftësi të mirë. Edhe pse është i dobët ai mund ta përdorë shumë mirë trupin e tij. Ai ka vetëm 3 muaj që luan me ne."

Nga kjo arsye, në konkursin e parë të ekipit Qingcheng FC, Oligeri nuk ishte në formacionin bazë, por ai ndoqi ndjeshjen dhe bëri stërvitje përgatitore.

Në pjesën e dytë të lojës, Geri u shfaq në ndeshje. Në fushë ai dukej tepër aktiv, me vrapin e tij, duke krijuar shumë raste goli për shokët e ekipit. Në fund të ndeshjes Geri shënoi gol nga goditja e lirë dhe ekipi Qingcheng FC fitoi në rezultatin 4 me 2.

"Jam shumë i lumtur në ndeshjen e parë në Baiduibei", tha Geri. Pas ndeshjes, ai përqafoi të gjithë lojtarët e ekipit. Ndërsa për golin ai tha: "Jam stërvitur shumë për goditjen e lirë. E kam provuar qindra herë, prandaj ky gol nuk është surprizë për mua."

Shefi i ekipit Qingcheng FC Guo Bingxu është i mendimit se shfaqja e parë e Gerit në Baiduibei është shumë e mirë. Pjesëmarrja e tij rrit forcën e ekipit dhe pasuron stilin dhe teknikat e lojës.

Guo vlerësoi: "Talenti i tij është i lartë dhe aftësia e trupit të tij është shumë e mirë."

Geri mendon se shokët kinezë të ekipit janë më inteligjentë se ata të huaj.

Si të gjithë futbollistët e rinj, edhe Geri e ka një ëndërr. Ai shpreson të luajë për ndonjë klub të njohur shqiptar ose kinez dhe të bëhet një futbollist profesionist. "Idhulli im është sulmuesi i 'Manchester United' Rashford. Ai ishte 18 vjeç kur u bë pjesë e 'Premier League'-ës."

Lidhur me Kupën Botërore të Futbollit 2018, Geri ishte tifoz me ekipin e Kroacisë.

"Kroacia është një vend mik i Shqipërisë dhe unë kam shumë miq nga Kroaci. Shpresoj që edhe Shqipëria të luajë në Kupën e Botës në të ardhmen. Në vitin 2016 ne luajtëm në Kampionatin Evropian."

Geri ka jetuar mbi 10 vjet në Pekin dhe ka shkuar shpesh në stadiumin "Gongren" të Pekinit për të mbështetur ekipin "Guoan" të Pekinit. Ai tha se në çdo ndeshje stadiumi është i mbushur me tifozë, duke shtuar se do të bëjë çdo përpjekje së bashku me shokët e tjerë të ekipit që të arrijnë në finalen e Baiduibei-t. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore