"Bashkëpunimi 16+1" nxiti bashkëpunimin e gjithanshëm Kinë-EQL

2018-07-11 15:35:34 CRI Komenti juaj Printoni

Mekanizmi i "Bashkëpunimit 16+1" ka gjashtë vjet që zbatohet. Gjatë kësaj periudhe, besimi i ndërsjellë midis Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore (EQL) ka sjellë rezultate të pasura. Gjithashtu, ky mekanizëm ka sjellë dhe shumë mundësi zhvillimi.

Kryeministri i Kinës Li Keqiang mori pjesë në Takimin e 7-të të Liderëve Kinë-Vendet e Europës Qendrore e Lindore, që u organizua në Sofje të Bullgarisë. Komuniteti ndërkombëtar është i mendimit se ky takim sjell një impuls të ri në nxitjen e zhvillimit të thellë të "Bashkëpunimit 16+1". Para këtij takimi,  Li Keqiang u takua në Sofje me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Në vitin 2012, u organizua në Varshavë të Polonisë Takimi i parë i Liderëve Kinë-Vende EQL, gjë që shënon nisjen e "Bashkëpunimit 16+1". Në vitin 2013, Kina prezantoi nismën "Një brez, një rrugë", nismë që u prit shumë pozitivisht nga vendet e EQL-së. "Bashkëpunimi 16+1" dhe nisma "Një brez, një rrugë" kanë nxitur integrimin e strategjive të zhvillimit të Kinës dhe të vendeve të EQL-së. Projektet e mëdha të bashkëpunimit kanë hyrë në rrugën e zhvillimit të shpejtë.

Më 5 korrik u përurua Qendra e Novacionit të Shkencës dhe Teknologjisë Bujqësore Kinë-Shqipëri, iniciativë e përbashkët e Universitetit Bujqësor të Pekinit dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Në ceremoninë e përurimit morën pjesë ambasadorja e Kinës në Tiranë, znj. Jiang Yu, rektorët e dy universiteteve, z. Jiang Peimin dhe z. Bari Musabelliu, dekanët e fakulteteve të Hortikulturës, Ekonomikut dhe Manaxhimit, Mjekësisë Veterinare dhe përfaqësues të nismës "Një brez, një rrugë".

Në fjalimin e saj, znj. Jiang Yu u shpreh se bujqësia është fokusi i bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kinës. Nën drejtimin e nismës "Një brez, një rrugë" dhe në kuadër të mekanizmit "16+1", bashkëpunimi midis dy vendeve është nxitur në mënyrë të qëndrueshme.

Shqipëria ka kushte të favorshme për zhvillimin e bujqësisë, e cila përbën prioritetetin e qeverisë shqiptare.

Presidenti polak Andrzej Duda u shpreh se vendi i tij e mbështet nismën "Një brez, një rrugë" dhe është i angazhuar në ndërtimin e saj. Ai shprehu dëshirën që strategjia kombëtare e zhvillimit e Polonisë, e njohur me emrin "Plani i zhvillimit të përgjegjshëm", të lidhet me këtë nismë.

Diplomati i njohur serb, njëherësh specialist për çështjet ndërkombëtare, Zivadin Jovanoviç, u shpreh në një intervistë për mediet kineze se bashkëpunimi Kinë-vendet e EQL-së ka sjellë modernizimin e infrastrukturës (hekurudhat, rrugët, portet etj.), dhe nga kjo përfitojnë të gjithë pjesëmarrësit.

Projekti i ndërtimit të autostratës "E763" të Serbisë me pjesëmarrjen e një kompanie kineze zhvillohet me sukses dhe sipas planit do të përfundojë në fund të këtij viti. Projektet e mëdha të bashkëpunimit, si Hekurudha Hungari-Serbi dhe linja e shpejtë tokësore e detare midis Kinës e Europës, po nxiten më tej.

Korporata e Rrugëve dhe e Urave të Kinës fitoi tenderin për ndërtimin e Urës së Peljeshacit në Kroacinë Jugore, që do të lidhë Dubrovnikun me pjesën tjetër të vendit. Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviç tha në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes se Ura e Peljeshacit është projekti më i madh infrastrukturor në vend dhe ndërtimi i saj është prioritet i qeverisë kroate. Ai shtoi se ky projekt do të pasurojë përmbajtjen konkrete të marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve.

Ministrja polake e Sipërmarrjes dhe e Teknologjisë Jadwiga Emilewicz shprehu shpresën se më shumë kompani kineze do t'u kushtojnë vëmendje projekteve si Porti Qendror i Transportit i Polonisë, Qendra së Transportit të Mallrave "Rhodes" etj. Qeveria polake, tha ajo, është e gatshme që Porti Qendror i Transportit të bëhet qendra më e madhe europiane e transportit.

Këshilltarja ekonomike dhe tregtare në ambasadën kineze në Poloni, Liu Lijuan, tha në një intervistë për mediet kineze se në pesë vjetët e fundit, Kina dhe vendet e Europës Qendrore e Lindore kanë finalizuar një sërë projektesh bashkëpunimi në fusha të ndryshme, përfshirë atë të infrastrukturës, të transportit, të investimeve, të shkëmbimeve ndërmjet pushteteve vendore, të energjisë etj. Këto projekte jo vetëm kanë nxitur rritjen e ekonomisë së vendeve përkatëse, por kanë hapur shumë vende pune.

Kina mundësoi hapjen e 15 mijë vendeve të punës në ndërmarrjet polake, ku përqindja e punonjësve polakë i kalon mbi 80 %. Grupi "Huadian" fitoi të drejtën për ndërtimin e centralit elektrik të Rovinarit në Rumani. Ky projekt vlerësohet të ketë siguruar 4800 vende pune.

Grupi "Guangxi Liugong" dhe Grupi "Tri-ring" blenë përkatësisht njësinë e makinerive të kompanisë polake "HSW" dhe kompaninë polake "KFL", duke u sjellë një energji të re ndërmarrjeve shtetërore polake. Korporata kineze CICC bleu markën "Stenders" të Letonisë. Gjatë këtij projekti, ajo ripagoi huanë e taksat dhe pritet që këtë vit të sigurojë fitime.

 Fondi i Bashkëpunimit të Investimeve Kinë-Europë Qendrore e Lindore investoi në katër centrale elektrike, që do të ndihmojnë për të pakësuar lëshimin e dioksidit të karbonit në shifrën 1 milion e 660 mijë tonë.

Kompania kineze e pajisjeve dhe shërbimeve të sigurisë "Nuctech" ka dhënë pajisje monitoruese dhe të sigurisë për doganat polake. Kjo kompani ka investuar gjithashtu në ndërtimin e një fabrike në Poloni. Këto pajisje ndihmojnë shumë për të luftuar kontrabandën dhe veprimtaritë e jashtëligjshme.

 Përveç këtyre, trenat Kinë-Europë kanë siguruar lidhjen e rëndësishme midis vendit aziatik dhe 16 vendet e EQL-së me një total prej 7600 udhëtimesh, duke transportuar mallrat kineze në Europë dhe vende të tjera, dhe anasjelltas. Trenat po luajnë një rol për ekulibrimin e tregtisë dypalëshe dhe janë bërë një mundësi e nxitjes së zhvillimit.

Sipas statistikave nga Dogana e Kinës, vëllimi tregtar midis Kinës e 16 vendeve të Europës Qendrore e Lindore vitin e kaluar arriti 67 miliardë e 980 milionë dollarë amerikanë, një rritje 15.9% në krahasim me vitin 2016. Tregtia dypalëshe midis Kinës dhe Europës Qendrore e Lindore ka ruajtur një prirje të mirë rritjeje. Struktura e tregtisë dypalëshe po përmirësohet dhe fusha e tregtisë po zgjerohet.

Zv.ministrja e Energjisë e Lituanisë Lina Sabate tha se "Bashkëpunimi 16+1" ka ofruar një platformë të favorshme shumëpalëshe. Nëpëmjet kësaj platforme, Lituania ka rastin të bashkëpunojë me Kinën me vendet e tjera të EQL-së, duke arritur përfitime të përbashkëta.

Rezultati i tjetër i mekanizmit "16+1" është thellimi i bashkëpunimit në fushat kulturore, arsimore, turistike etj. midis Kinës e vendeve të EQL-së. Nga viti 2012 deri në vitin 2017, Kina dhe vendet e EQL-së hapën gjashtë linja të drejpërdrejta fluturimi. Numri i turistëve kinezë në vendet e EQL-së u rrit nga 280 mijë në 930 mijë.

Sivjet, Shqipëria hoqi vizat për shtetasit kinezë që kanë pasaporta të zakonshme gjatë sezonit veror (nga prilli deri në tetor). Gjithashtu hyri në fuqi marrëveshja e heqjes së vizave midis Kinës dhe Bosnjë-Hercegovinës. Kina krijoi zyrën turistike të EQL-së në Budapest të Hungarisë. Në Bukuresht të Rumanisë u hap Qendra e Marrjes së Vizave Kineze e EQL-së, kurse në Maqedoni u krijua Qendra e Bashkëpunimit Kulturor Kinë-Vendet e EQL-së. Ndërkohë në Chengdu të Kinës u krijua Qendra e Përgatitjes së Artistëve Kinë-Vendet e EQL-së dhe Qendra e Shkëmbimeve dhe Bashkëpunimit në Fushën e Novacionit Kulturor Kinë-Vendet e EQL-së. Të gjitha këto qendra janë në dobi të nxitjes së shkëmbimeve kulturore dypalëshe.

Diplomati serb Zivadin Jovanoviç tha se shkëmbimet kulturore ndihmojnë për nxitjen e kontakteve të drejtpërdrejta mes popujve dhe forcojnë më tej lidhjet ekonomike. Turizmi, transporti ajror, heqja e vizave, bashkëpunimi kulturor etj., mund të nxisin lidhjen e drejtpërdrejtë midis vendeve të EQL-së dhe Kinës. Ai është i mendimit se mekanizmi i "Bashkëpunimit 16+1" është një lidhje dypalëshe në fusha të ndryshme. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore