Shqiptari i famshëm në aplikacionin kinez "Douyin"

2018-06-27 09:52:18 CRI Komenti juaj Printoni

Aplikacioni më popullor në Kinë këto kohë quhet "Douyin" (Tik Tok). I huaji më i famshëm në këtë aplikacion është një djalë nga Shqipëria me pseudonimin ItzGennyB. Ai tani jeton në Shangai të Kinës dhe është një model.

"Douyin" është një aplikacion në celuar në të cilin përdoruesit e thjeshtë ngarkojne dhe publikojnë video jo të të gjata se 15 sekonda. Zakonisht videot kanë karakter muzikor.

Para një viti, ItzGennyB nëpërmjet rrjetit shoqëror kinez "Weibo" u informua se ekzistonte platforma "Douyin", ku çdokush mund të publikojë video, duke ngjallur interes tek të tjerët dhe duke fituar shumë fansa. Si një model, atij i pëlqen së tepërmi kjo mënyrë e shfaqjes me muzikë. Ai shpreson që më shumë njerëz do ta pëlqejnë dhe do ta njohin përmes videove të tij.

"Mendoj se është një mënyrë mjaft kreative, është qejf të bësh video dhe gjithashtu shumë njerëz do të të njohin dhe unë jam mësuar me kamerën duke punuar si model më përpara, kështu që është shumë e thjeshtë për mua dhe vjen natyrshëm. Zakonisht nuk para mendohem shumë se çfarë videosh do bëj, më vjen në natyrshëm, në sekondë domethenë mendoj një video dhe them OK do të ta bëjmë tani, pra nuk ëshët se i mendoj shumë ose nuk kam ndonjë frymëzim të veçantë. Videot e mia të preferuara janë komeditë që t'i bëjnë njerëzit të qeshin"

ItzGennyB erdhi në Kinë kur ishte vetëm 17 vjeç. Në atë kohë ai punoi dhe jetoi në Xiamen të provincës Fujian të Kinës julindore. Më pas shkoi të punojë në Guangzhou të provincës Guangdong të Kinës jugore. Tani ai jeton në Shangai, një qytet të cilin na tha se e dashuron. Ai mendon se Shangai është një qytet ku ndërthuret tradicionalja me modernen. Klima atje është e freskët dhe qyteti shumë i pastër. Kinezët në Shangai janë shumë miqësorë ndaj të huajve, prandaj ai vendosi mos të lëvizë më nga ky metropol kinez.

"Për shumë njerëz është shumë e çuditshme kur vjen se kultura është shumë e ndryshme, por mua tani nuk më bën fare përshtypje, jam shumë i lumtur këtu dhe Shangai është një qytet shumë ndërkombëtar dhe ka shumë të huaj dhe kultura është shumë internacionale. Më pëlqen shumë Shangai"

Videot e ItzGennyB kanë një stil gazmor dhe ecin me trendin e kohës. Në fillim ai shfaqet me muzikë perëndimore, ndërkohë që tani ai ka nisur të publikojë edhe këngë të gjuhës kineze. Ai u shpreh se kultura kineze është shumë e veçantë për shqiptarët dhe kinezishtja është një pjesë e rëndësishme e kulturës. Gjuha kineze për shqiptarët është shumë vështirë, por ai do të bëjë përpjekje për ta mësuar këtë gjuhë. Në fakt tani ai mund ta zotërojë pak.

"Dua shumë që ta mësoj është pak e vështirë se dhe shkrimi është shumë i vështirë për ta lexuar dhe për ta shkruar, por që të paktën po mundohem të mësoj kinezishten e folur".

Sot ItzGennyB ka mbi 4 milionë ndjekës në platformën "Douyin" dhe ka publikuar 353 video. Në rrugë shumë kinezë sidomos të rinjtë e njohin dhe kërkojnë të dalin në foto me të. Ai ndihet krenar dhe mendon se takimi me fansat është mrekulli për të. I riu nga Shqipëria është shumë mirënjohës për përkrahjen e fansave. Pasi numri i ndjekësve kaloi 4 milionë, një fans bëri me dorë çokollatë për të festuar këtë arritje. Ai shprehet se kjo ishte një dhuratë shumë e veçantë për të. Çdo ditë ai mendon për videon që do të regjistrojë dhe se si mund t'u dhurojë gëzim fansave të tij. Në intervistë, Geni na tha se po përpiqet të regjistrojë më shumë video me cilësi të lartë për të falenderuar dhe shprehur mirënjohje ndaj fansave të tij. Ai tha se në fillim nuk kishte besim që do e ndiqnin shumë vetë, por tani Douyin është një pjesë e rëndësishme në jetën e tij, e cila ndryshoi.

"Në fillim nuk kishte shumë ndryshim, por tani më njohin shumë njerëz, madje edhe në rrugë më ndalojnë, më bëjnë foto. Është një ndjesi e çuditshme, por edhe e bukur. Si fillim nisi si hobi ishte thejsht, që unë bëja disa video dhe kaq, por tani sa më shumë rritet popullariteti dhe sa më shumë fansa normalisht i detyrohesh edhe atyre që të postosh sa më shumë video që të gjtihë të jenë të lumtur. Kështu që tani është shumë pjesë e rëndësishme dhe duhet të mendosh gjatë gjithë kohës çfarë risish mund të sjellësh."

Pavarësisht se Geni u largua nga shtëpia në një moshë fare të re, ai e ruan dashurinë e fortë për familjen e tij sidomos për nënën e tij. Në disa video të publikuara në Douyin ai shfaqet së bashku me nënën, video që përcjellin dashuri. Ai dëshiron që nëpërmjet kësaj mënyrë të shprehet malli i tij për nënën dhe për vendlindjen. Sot ai është bërë një yll në Douyin, aplikacion është popullor në Kinë dhe në rajonin e Azisë Juglindore dhe ka një ndikim të lartë tek të rinjtë kinezë. Si një shqiptar, ai dëshiron që nëpërmjet videove së tij, të shtohet numri i bashkëmoshatarëve të tij dhe më gjerë që njohin vendin e Shqiponjave.

"Krenarinë e të qenit shqiptar e kanë të gjithë shqiptarët dhe gjithmonë e tregoj. Kam bërë disa video kur ka qenë në Tiranë ose në qytete të tjera të Shqipërisë edhe shumë prej fansave të mi janë tepër të interesuar për Shqipërinë dhe shumë prej tyre kanë nisur të mësojnë shqip të flasin shqip. Gjithashtu përdor gjithmonë dhe këngë shqiptare që t'i tregoj kinezëve çfarë muzike kemi." (Çang Çuo/Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore