Xiongan-i, qyteti inteligjet që ndërthur mjedisin ekologjik dhe teknologjitë e përparuara

2018-04-04 16:16:05 CRI Komenti juaj Printoni

1 prilli shënoi përvjetorin e parë të themelimit të Zonës së Re Ekonomike Xiongan të Kinës, e cila është projektuar për t'u bërë forca lëvizëse kryesore për zhvillimin e koordinuar në rajonit Pekin-Tianjin-Hebei.

Siç raporton Guan Chao i CRI-së, deri tani është arritur zhvillimi i shpejtë i zonës së re.

Në më pak se katër muaj, përfundoi ndërtimi i strukturave kryesore të Qendrës së Shërbimeve Publike të Xiongan-it, të ndara në tetë ndërtesa. Xiongan-i, është një zonë e re ekonomike që shtrihet rreth 100 kilometra në jugperëndim të Pekinit.

 

Ka kaluar një vit që kur qeveria qendrore njoftoi vendimin për krijimin e kësaj zone më 1 prill të vitit 2017. Kina synon ta ndërtojë këtë zonë si një qytet me lëshime të ulëta karboni, me teknologji inteligjente dhe me ndikim global ku njerëzit dhe natyra të bashkekzistojnë në harmoni.

Kjo është zona e tretë e re me rëndësi kombëtare për Kinën pas Zonës së Posaçme Ekonomike të Shenzhen-it dhe Zonës së Re të Shanghai Pudong-ut. Qendra e Shërbimeve Publike e Xiongan-it, që zë një sipërfaqe prej 24 hektarësh në kontenë Rongcheng, shënon projektin e parë inxhinierik, ndërsa vazhdon hartimi i planeve për të tjerat.

Inxhinier i lartë Song Fusheng, flet krenar për qendrën. Materialet e ndërtimit janë parafabrikuar dhe montuar, duke ushtruar ndikim minimal në mjedis. Shpejtësia e ndërtimit ishte dy deri në tre herë më e madhe se ajo e një projekti të zakonshëëm, thekson ai. Song-u ka marrë pjesë në ndërtimin e Qendrës Tregtare Ndërkombëtare të Shenzhen-it, një ndërtesë 160 metra e lartë e cila për kohën, ishte më e larta në mbarë vendin.

"U deshën 37 muaj për ta përfunduar ndërtesën. Ndihem përsëri i nderuar që jam pjesë e këtij çasti historik në Xiongan," tha ai.

Gjatë ndërtimit të qendrës në Xiongan, punëtorët i reduktuan mbetjet me 80 për qind. Janë ndërtuar gjithashtu pajisje për të mbledhur dhe pastruar ujin e reshjeve, ndërsa punëtorët përdorën mbi 30 teknologji të reja dhe ekologjike ndërtimi.

"Për muret janë përdorur materiale izoluese të nxehtësisë, temperatura e brendshme mund të ruhet në mbi 16 gradë Celsius në dimër, pa pasur nevojë të aktivizohet ajri i kondicionuar apo ngrohja", thotë Ye Jian, mbikëqyrës teknologjik i projektit.

"Teknologjia e përparuar, kursimi i energjisë dhe materialet ekologjike janë baza e mbi të cilat po ndërtohet Xiongan-i", shtoi ai.

Zhai Wei, drejtor i Grupit Ndërtimor dhe Investues të Xiongan-it, zbuloi se qendra do të hapet për publikun brenda dy javësh. Ajo do të ofrojë shërbime qeveritare, por njëherësh do të shërbejë edhe për ekspozita e shkëmbime. Aty do të vendosen gjithashtu zyrat e disa korporatave.

"Komiteti Qendror i PKK-së ka theksuar disa herë se cilësia e Xiongan-it duhet të krijohet në përputhje me kërkesat e zhvillimit të cilësisë së lartë. Që nga fillimi i projektit të parë, ne kemi kontribuar në ndërtimin e një "sistemi cilësie."

Teknologjia e përparuar është zbatuar edhe në kantierin e ndërtimit. Kamerat skanojnë fytyrat e punëtorëve për të parë ndryshime delikate te ndonjë prej tyre, nëse është i stresuar dhe duhet të pushojë apo edhe nëse është i sigurt për të ndërmarrë punë me rrezik të lartë.

Këto teknologji të reja do të përdoren edhe në ndërtesat e tjera në të ardhmen, shton thotë Ye Jian, mbikëqyrës teknologjik i projektit.

Gjatë vitit të kaluar, 19 kompani të teknologjive të përparuara, duke përfshirë Alibaba-në dhe Baidu-në, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me komitetin e menaxhimit të Xiongan-it, thotë Liu Baoling, zëvendësdrejtor i komitetit. Baidu do të aplikojë teknologjinë e inteligjencës artificiale për planifikimin dhe ndërtimin e zonës.

Në dhjetor, Baidu provoi disa nga automjetet me vetëdrejtim në rrugët publike të Xiongan-it. Automjetet u vendosën në regjimin e vetëdrejtimit, edhe pse brenda mjetit ndodhej një shofer. Mbi 100 kompani të teknologjive të përparuara janë regjistruar e licencuar në Xiongan, tha Liu.

Paralelisht me ndërtimin po zhvillohet edhe pastrimi i mjedisit në qarqet Xiongxian, Rongcheng dhe Anxin. Vitin e kaluar u pastruan mbi 860,000 metra kub mbeturina nga liqeni Baiyangdian. Gjithsej u ndërtuan 147 stacione kanalizimesh në 45 fshatra përreth liqenit, ndërsa është shtuar mbi 80 milion metra kub ujë.

"Për ndërtimin e Zonës së Re Xiongan, autoritetet do të nxjerrin në pah cilësinë, efikasitetin, ndershmërinë dhe qëndrueshmërinë. Këto terma janë gjithashtu kritike edhe për zhvillimin e vendit", thotë Liu Binglian, një anëtar i këshillit të ekspertëve që punon për zhvillimin e koordinuar të rajonit Pekinit- Tianjin-Hebei.

Modeli i ndërtimit dhe i zhvillimit të Xiongan-it me teknologji të përparuara dhe ndikim të ulët në mjedis do të merret si shembull edhe për ndërtimin e qendrave të tjera urbane në mbarë Kinën. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore