Kina do të krijojë sistemin e shërbimit për të moshuarit në fshat

2018-03-28 11:00:23 CRI Komenti juaj Printoni

Fshatrat e Kinës janë braktisur nga të rinjtë që kanë shkuar në qytete për të punuar, duke lënë pas në shtëpitë e tyre të moshuarit e fëmijët. Vitet e fundit, një fenomen i tillë ka tërhequr vëmendjen e shoqërisë.

Së fundmi, Ministria e Punëve Civile e Kinës nxori një udhëzim për përmirësimin e shërbimeve dhe të kujdesit ndaj të moshuarve në fshat, ku theksohen një sërë masash.

Në fshatin Heping të qytezës Wangjialin të distriktit Taibai të provincës Shanxi jeton një çift i moshuar, 91-vjeçari Yang Deqing dhe bashkëshortja 79-vjecçarja Liu Nianlian. Yang thotë se ata marrin një pension mujor prej 650 juanësh.

Megjithëse gjendja e tyre ekonomike është e mirë pasi fëmijët u punojnë në qytet, Yang thotë se mosha bën të vetën dhe ata nuk kanë shumë fuqi për t'u marrë me të gjitha punët shtëpiake në fshat.

Sipas statistikave të Ministrisë së Punëve Civile të Kinës, tani në fshatra ka 16 milionë të moshuar. Këta të moshuar kujdesen jo vetëm punët e rënda të fshatit, por edhe për nipërit e mbesat. Ndërkohë ka probleme sigurie dhe të kujdesit shëndetësor.

Zv./drejtori për Mirëqenien Sociale dhe Filantropinë pranë Ministrisë së Punëve Civile Huang Shengwei, flet për udhëzim për përmirësimin e shërbimeve dhe të kujdesit ndaj të moshuarve në fshat:

"Lidhur me problemet e jetës dhe të rreziqeve të sigurisë, është krijuar sistemi i rregullimit dhe i vizitave të planifikuara për të moshuarit në fshat nga fëmijët e tyre që punojnë në qytete. Lidhur me ngushëllimin e tyre shpirtëror, duhet që anëtarët e familjes e fëmijët të kthehen në shtëpi për të vizituar të moshuarit, njëkohësisht ata duhet të marrin pjesë në veprimtaritë e komiteteve të fshatarëve, të organizatave jozyrtare, të vullnetarëve etj. Kështu të moshuarit në fshat mund të shmangin presionin psikologjik dhe jeta e tyre do të bëhet më e larmishme. Lidhur me të moshuarit me aftësi të kufizuar dhe mungesës së kujdesit për ta, parashikohet të forcohet sistemi i kujdesit duke e bashkuar atë me kujdesin shëndetësor."

Shoqatat e të moshuarve të fshatit janë një forcë e rëndësishme për ofrimin e shërbimeve dhe të kujdesit ndaj të moshuarit. Në mbarë vendin ka 554 mijë shoqata të tilla, 470 mijë e të cilave në fshat duke përfshirë 80% të fshatrave.

Diao Haifeng, kreu i Zyrës së Informacionit pranë Komitetit të të Moshuarve të Kinës, flet për forcimin e shërbimeve ndaj të moshuarve në fshat:

"Së pari është përfshirja e drejtpërdrejtë (e autoriteteve) në shërbimet e kujdesit për të moshuarit. Në një pjesë të krahinave shoqatat e të moshuarve do të përgjigjen për administrimin e qendrave të kujdesit ndaj të moshuarve. Së dyti, do të jepet ndihma reciproke, pra të moshuarit e shëndetshëm do të ndihmojnë atë që kanë më shumë nevojë. Së treti, të moshuarit në fshat do të nxiten për të marrë pjesë në çështjet e komunitetit. Së katërti, do të zhvillohen aktivitete për mbrojtjen e të drejtave të të moshuarve. Në një pjesë të krahinave, shoqatat do të monitorojnë kthimin e fëmijëve për t'u kujdesur për prindërit. Dhe së pesti, do të zhvillohen aktivitete kulturore për të pasuruar jetën e të moshuarve."

Zyrtari thotë se së shpejti organizimi i shoqatave të kujdesit ndaj të moshuarve do të rregullohet me ligj. Deri në vitin 2020 parashikohet që këto shoqata të mbulojnë 90% të fshatrave.

Ndër masat e parashikuara është përfshirë zhvillimi i veprimtarive kulturore dhe ndërgjegjësimi i publikut në mbarë vendin për respektimi e të moshuarve dhe nxitjen e kujdesit ndaj tyre. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore