Facebook-u nën hetim, aksionet e tij bien me 18%

2018-03-28 10:50:13 CRI Komenti juaj Printoni

Komisioni Federal i Tregtisë, konfirmoi të hënën nisjen e një hetimi për mbrojtjen e të dhënave private nga Facebook-u, pas skandalit me "Cambridge Analytica".

Ky njoftim shkaktoi rënien e menjëhershme të vlerës së aksioneve të Facebook-ut në bursë, që humbi në një ditë 3% e duke i çuar humbjet e përgjithshme në rreth 18% që pas zbulimit të skandalit të përdorimit të të dhënave të mbi 50 milionë përdoruesve nga firma britanike "Cambrige Analytica".

"Komisioni po i merr shumë seriozisht publikimet e fundit në shtyp duke u shqetësuar për praktikat e Facebook-ut në lidhje me mbrojtjen e privatësisë", theksoi Tom Pahl, drejtor i përkohshëm i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve, i cituar në një komunikatë.

"Komisioni konfirmon nisjen e një hetimi për këto praktika", shtoi Pahl, ndërkohë që si zakonisht refuzoi të komentojë gjetjet e bëra.

"Komisioni Federal i Tregtisë është shumë i vendosur për të përdorur të gjitha mjetet që disponon për të mbrojtur jetën private të përdoruesve", thekson më tej deklarata.

Komisioni shtoi se kompanitë që kanë nënshkruar më parë një marrëveshje mirëkuptimi me të duhet të respektojnë detyrimet që rrjedhin prej saj në lidhje me mbrojtjen e sigurisë së jetës private dhe të të dhënave të përdoruesve.

Facebook ka nënshkruar një marrëveshje me Komisionin Federal të Tregtisë në vitin 2011 duke u dhënë fund akuzave, sipas të cilave, kishte mashtruar përdoruesit duke u thënë se informacionet e tyre personale në Facebook do të mbeteshin private, ndërkohë që ato ishin shpërndarë.

Ndërkohë, sipas një raporti të Komisionit Europian, Twitter dhe Facebook nuk po respektojnë plotësisht rregullat e BE-së për të dhënat e përdoruesve.

Zyrat kompanisë londineze "Cambridge Analytica", që akuzohet se ka vjedhur të dhënat e një milion përdoruesve të "Facebook" pa miratimin e tyre, u bastisën më herët nga agjentët e Zyrës së Komisionerit për Informacionin, rregullatori britanik i ngarkuar me mbrojtjen e të dhënave.

Në nëntor të vitit 2016, Komisioni Europian u bëri thirrje rrjeteve sociale si Facebook, Twitter dhe Google Plus për t'u ofruar përdoruesve standarde mbrojtjeje në përputhje me rregullat e BE-së.

Apeli i KE-së u ndoq nga një takim në mars të vitit të kaluar.

"Por, Twitter dhe Facebook kanë dështuar në plotësimin e standardeve që duhet t'u ofrohen përdoruesve", thekson raporti.

"Sidomos, Twitter-i vazhdon të ndryshojë kushtet e përdorimit pa i njoftuar përdoruesit, ndërsa si Facebook ashtu dhe Twitter fshijnë përmbajtjet e ngarkuara nga përdoruesit pa i informuar ata," thotë raporti i Komisionit Europian.

Ndërkohë Google Plus, ka arritur të bëjë ndryshimet e kërkuara.

Ekzekutivi i Bashkimit Europian nuk mund të vendosë sanksione, sepse 28 shtetet anëtare të bllokut janë individualisht përgjegjës për zbatimin e rregullave të mbrojtjes së përdoruesve.

Vet kreu i "Facebook-ut", Mark Zuckerberg pranoi të mërkurën e kaluar gabimin dhe premtoi se do të bëjë më mirën pas zbulimit të përdorimit të padrejtë të të dhënave personale të miliona përdoruesve nga kompania britanike "Cambridge Analytica".

"Facebook ka bërë gabime dhe ka ende shumë për të bërë për të përmirësuar shërbimin e tij", shkruan në faqen e tij Zuckerberg-u, në reagimin e tij të parë pas shpërthimit të skandalit. Ai shprehet se ndihet përgjegjës për atë që po ndodh në "Facebook", ndërsa premton se do t'u mundësojë përdoruesve që t'i kontrollojnë më mirë të dhënave të tyre personale. (ATSh/Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore