Kina udhëheq tregun e automjeteve që shfrytëzojë energjitë e reja

2018-03-21 17:00:53 CRI Komenti juaj Printoni

Tregu kinez i automjeteve që shfrytëzojnë energjitë e reja ka shënuar një tjetër rritje të shpejtë, pasi qeveria vazhdon të nxisë zhvillimin e transportit të gjelbër.

Autoritetet po e nxisin zhvillimin e këtij tregu, duke ndërmarrë politika kombëtare dhe koordinuar zhvillimin e kësaj industrie.

Automjetet që përdorin energjitë e reja, të njohur gjerësisht si NEV, funksionojnë nëpërmjet baterive, motorëve hibridë apo karburantit.

Sipas Shoqatës së Prodhuesve të Automobilave të Kinës, prodhimi i këtyre automjeteve në Kinë u rrit me mbi 50 për qind në vitin 2017, vit kur u prodhuan rreth 800,000 njësi.

Kina ka numrin më të madh të automjeteve me energji të re në qarkullim, 1.53 milionë mjete të shitura deri në fund të vitit të kaluar.

Wang Mengyin punon si shitës në një sallon të makinave me energji të re në Pekin. Ai vëren rritjen e sektorit gjatë viteve të fundit.

"Zhvillimi i makinave elektrike po ndodh shumë shpejt në vendin tonë, përparimi duket çdo vit. Në 2016-n, një model i makinës elektrike Geely do të mund të udhëtonte për 253 kilometra me një ngarkim të plotë të baterisë. Në vitin 2017, modeli i ri arriti deri në 300 kilometra. Në vitin 2018, modeli më ri i paraqitur, mund të udhëtojë deri në 450 kilometra me një ngarkim të plotë të baterisë."

Në dhjetorin e kaluar, qeveria qendrore përjashtoi nga taksat shitjen e automjeteve me energji të re për tre vitet e ardhshme. Kjo masë u propozua që në vitin 2014, si një përpjekje për të reduktuar emetimet.

Vlerësohet se deri në vitin 2025, 1 në 5 automjete në Kinë të jetë energji të re.

Zhu Huarong është deputet i Asamblesë Kombëtare Popullore. Ai është gjithashtu drejtor ekzekutiv i Chang'an Auto, një nga prodhuesit e makinave të markës "Big Four". Zhu thotë se tani Kina është një ndër prodhuesit kryesorë të automjeteve që shfrytëzojnë energjitë e reja në Kinë.

"Ka pasur një zhvillim të konsiderueshëm në fushën e automjeteve me energji të re. Kina tashmë e udhëheq botën në aspektin e sasisë së prodhimit të këtyre automjeteve. Kur bëhet fjalë për zbatimin e teknologjisë, ne jemi në të njëjtin nivel me vendet e tjera dhe në disa fusha udhëheqim, siç është rasti i stacioneve të ngarkimit të baterive, vendparkimeve, sistemeve të përshtatjes në temperatura të larta dhe të ulëta, baterive dhe motorëve elektrikë."

Një qendër kombëtare për zhvillimin e automjeteve me energji të reja u hap së fundi në Pekin, me qëllim për të ndihmuar në koordinimin e zhvillimit të industrisë.

Prodhuesit kryesorë të automjeteve që përdorin energjitë e reja të Kinës, si Geely dhe BYD, kompania e internetit Baidu dhe Universiteti Tsinghua, janë disa prej partnerëve të qendrës së re.

Zhu Huarong thotë se industria e automjeteve të energjisë së re po maturohet, ndërsa prodhuesit kinezë mund të konkurrojnë me homologët e tyre të huaj.

"Automjetet me energji të reja ofrojnë një mundësi për ndërmarrjet për të transformuar dhe përmirësuar biznesin e tyre. Në prodhimin e makinave tradicionale, ndërmarrjet e Kinës janë shumë mbrapa prodhuesve të klasit të parë, sepse ata i kanë zhvilluar ato mjete për një kohë shumë të gjatë dhe ne jemi futur më vonë në treg. Por në lidhje me automjetet që përdorin energjitë e reja ne mund t'i tejkalojmë këto ndërmarrje ose të paktën të jemi në një hap me ta".

Bateritë janë në thelbin e performancës së automjeteve me energji të reja sepse përcaktojnë distancën që mjeti mund të udhëtojë. Ekspertët thonë se nëse bateritë në Kinë përdorin energji të rinovueshme si energjia diellore dhe e erës, përfitimet do të jenë shumë të mëdha. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore