Studiuesja Long Jing e përshkruan Shqipërinë me tre fjalë: miqësi, shkrirje besimesh, zhvillim

2018-03-14 09:26:51 CRI Komenti juaj Printoni

Një delegacion i Komitetit Akademik të Institutit të Studimeve Ndërkombëtare të Shangait vizitoi Shqipërinë në ditët e fundit të muajit shkurt. Studiuesit kienezë, u takuan me shefin e kabinetit të presidentit, zotin Arben Cici, këshilltarin e presidentit për marrëdhëniet me jashtë, Valtar Ibrahimin, ish-presidentin e Shqipërisë, Rexhep Mejdani dhe zv./ministrin e Jashtëm dhe njëkohësisht koordinatorin shtetëror për mekanizmin e bashkëpunimit "16+1", Etjen Xhafaj.

Komiteti Akademik i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare të Shangait u krijua në vitin 1960. Tani ai është një prej tre instituteve më të mëdha të Kinës për studimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Pas vizitës në Shqipëri, studiuesja Long Jing, zv./drejtore e Qendrës së Studimeve Europiane pranë Komitetit Akademik, bisedoi me CRI Shqip mbi zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Kinës e Europës, nivelin e këtyre marrëdhënieve, si dhe për studimin e gjendjes së vendeve jashtë Bashkimit Europian e ato të Europës Qendrore e Lindore me të cilat është formuar dhe mekanizmi '16+1'.

Me studiuesen Long Jing, bisedoi gazetarja e CRI-së, Zhang Zhuo dhe fillimisht e pyeti për përshtypjet e saj nga vizita në Shqipëri.

Long Jing: "Përshtypjet e mia për Shqipërinë mund të përmbledhen në tre fjalë kyçe: miqësi, shkrirje besimesh, zhvillim. Kam vizituar shumë qytete të Europës Qendrore e Lindore të cilat dallohen për ndërtesat e tyre karakteristike apo për lumenjtë që i përshkojnë. Por Tirana me miqësinë që të ofron është mbresëlënëse. Kur ecën rrugëve ndeshesh me shikimet miqësore të njerëzve, aq sa të dukej sikur ata takonin një mik të vjetër. Ne dyqane apo në vende turistike, shqiptarët të ofrojnë gjithmonë ndihmë dhe disa prej tyre më pyetën: nga Kina jeni? Gjatë takimeve me studiuesit dhe zyrtarët shqiptarë, mora falënderime për ndihmën e qeverisë kineze në shekullin e kaluar. Unë e njoh historinë (e marrëdhënies midis dy vendeve) nga prindërit dhe nga librat, por gjatë qëndrimit në Shqipëri vura re se historia jonë nuk është e mbuluar nga pluhuri i harresës e jeton në zemrat e shumë shqiptarëve.

Së dyti, shkrirja e besimeve fetare. Nga historia dimë se rreth gjysma e shqiptarëve janë të besimit islam, ndërsa pjesa tjetër të krishterë ortodoksë dhe katolikë. Në Tiranë objektet e kultit janë ndërtuar pranë njëri tjetrit, sapo kalon xhaminë, në cepin tjetër gjen një kishë. Besimtarët i zhvillojnë lirisht veprimtaritë e tyre dhe respektohen reciprokisht. Mësova se ka familje ku anëtarët e së cilës besojnë në fe të ndryshme. U ndjeva shumë e kënaqur për atmosferën e lirisë fetare.

Së treti, zhvillimi. S'mund të mohohet se Shqipëria është një vend i varfër i Europës. Infrastruktura është e pazhvilluar dhe niveli i mirëqenies i popullit nuk është i lartë, prandaj shumë shqiptarë të punojnë jashtë vendit. Por duhet të shikojmë dhe rastet e zhvillimit. Për shembull, Shqipëria ka burime të pasura kulturore e historike, por që nuk shfrytëzohen. Tjetër gjë, Shqipëria ka burime të pasura minerale. Ekzistojnë gjithashtu prodhime cilësore dhe të lira bujqësore. Ndaj mendoj se nëpërmjet investimeve dypalëshe, Kina ka mundësi të nxisë zhvillimin ekonomik e shoqëror të Shqipërisë."

Vitet e fundit, me nxitjen e nismës "Një brez, një rrugë" dhe të mekanizmit të bashkëpunimit "16+1", po rriten shkëmbimet midis Kinës e Shqipërisë. Me çfarë raste dhe sfida mendoni se ndeshen marrëdhëniet kino-shqiptare në këtë periudhë?

Long Jing: "Së pari, marrëdhëniet politike dypalëshe karakterizohen nga një energji e re. Për shembull, nën kornizën e mekanizmit "16+1" zhvillohen çdo vit takime të udhëheqësve, që është një mundësi e mirë e shkëmbimit të drejtpërdrejtë për nevojat e njëri tjetrit, kështu krijohet një bazë e mirë bashkëpunimi. Së dyti, nisma "Një brez, një rrugë" dhe mekanizmi "16+1" kanë krijuar fonde të posaçme për të ndihmuar zhvillimin e projekteve, ndërsa janë vendosur dhe politika preferenciale, duke përfshirë lehtësimin e tarifave doganore. Këto mjete politike nxitin zhvillimin e shpejtë të tregtisë dypalëshe. Mendoj se vera dhe vaji i ullirit i Shqipërisë mund të mbështeten nga politika e lehtësimit të tarifave doganore në Kinë. Së treti, shoh energji të re në shkëmbimet kulturore midis Kinës dhe Shqipërisë. Kina dhe Shqipëria duhet ta shfrytëzojë traditën e miqësisë historike dhe shkëmbimet kulturore duhet të kthehen në një pikë të shkëlqyer dhe bile një model i mekanizmit "16+1" dhe nismës "Një brez, një rrugë"."

Çfarë studime do të kryeni mbi Shqipëri në të ardhmen?

Long Jing: "Shqipëria është një pjesë e rëndësishme e mekanizmit "16+1" dhe e nismës "Një brez, një rrugë", ndaj do të vazhdojmë studimet për Shqipërinë dhe në të ardhmen ato do të jenë më të hollësishme. Jam një studiuese, ndaj do të fokusohem më shumë te shkëmbimet e studiuesve të të dy vendeve. Këtë herë, vizituam Institutin e Studimeve të Çështjeve Ndërkombëtare të Shqipërisë dhe i ftuam kolegët tanë shqiptarë të na vizitojnë në Shangai për një studim që do të zgjatë dy javë. Kështu ata mund ta njohin drejtpërdrejt zhvillimin e Kinës, rrugën e ndjekur nga Kina dhe politikat e saj diplomatike. Në të ardhmen dëshirojmë të studiojmë se si shkëmbimet kulturore dhe miqësia tradicionale mund të vazhdohen më tutje nga të rinjtë. Mendoj se këto kjo është një detyrë e rëndësishme." (Çang Çuo/Leftion Peristeri) (Foto nga Komiteti Akademik i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare të Shangait )

Mrekulli
Lajmet Kryesore