Si po i josh udhëtarët e pasur kinezë, të mërzitur nga Parisi dhe Milanoja, 'turizmi i kuq' i Rusisë

2018-02-28 08:37:14 CRI Komenti juaj Printoni

Pavarësisht dimrit të acartë, turistët kinezë në vende të tilla si Moska dhe Shën Petersburg gjejnë shumë ngrohtësi për shkak të marrëdhënieve miqësore midis Rusisë dhe Kinës dhe çmimeve të ulëta të mallrave luksoze.

Moska nuk i bëri fillimisht ndonjë përshtypje të madhe turistes kineze me përvojë Maggie Xu dhe dy shokëve me të cilët udhëtonte. Kishte konfuzion në terminalin e aeroportit, vështirësi për të gjetur shoferin dhe më pas trafik rrugës për në hotelin e tyre, Ritz-Carlton-in e qytetit.

Por sapo u rehatuan, treshja u gjet e magjepsur nga dritat që zbukuronin trotuarët e Rrugës Tverskaya, Champs-Elysees-në e Moskës. "Atë natë të ftohtë dimri, qyteti kishte atmosferën e lumtur të një parku zbavitës," thotë Xu.

Xu, modeli Yuki Dong dhe pronari i agjencisë arsimore Jenny Lu kishin vendosur të udhëtonin në Rusi këtë dimër për të festuar ditëlindjen e Xu-së.

Ata janë ndër udhëtarët e pasur kinezë që kërkojnë alternativa të tjera që përveç metropoleve si Parisi, Nju Jorku, Londra dhe Milanoja, zgjedhin qytete me më pak reputacion më si Moska dhe Shën Petersburgu.

Të dyja këto destinacione ruse janë bërë shumë popullore për turistët kinezë, pjesërisht nga projekti "Kina Miqësore," të cilin qeveria ruse e ndërmori në vitin 2014. Projekti synon të tërheqë më shumë turistë kinezë përmes shërbimeve të përmirësuara, hoteleve, restoranteve, veprimtarive turistike dhe sigurisht pazareve.

Një vit pas fillimit të projektit, sipas autoriteteve të turizmit të qytetit, turistët kinezë shpenzuan afërsisht 800 milionë deri 1 miliard dollarë amerikanë në Moskë. Në vitin 2016, rreth një milion turistë kinezë vizituan Rusinë, duke shpenzuar rreth 2 miliardë dollarë. Në fillim të këtij viti, qeveria ruse paraqiti "pazar pa taksa" në një numër dyqanesh të shquara, duke shpresuar që të tërheqë një numër më të lartë turistësh.

"Për dikë që ka udhëtuar në mbi 45 vende dhe rajone të botës, Rusia është një mundësi e mirë. E dimë se Bashkimi Sovjetik ka qenë socialist si Kina dhe ka një histori të gjatë," thotë Xu.

Vitet e fundit është gjallëruar edhe "turizmi i kuq", me vizita në vendet historike socialiste dhe komuniste. Dhe në itinerar nuk është përfshirë vetëm Kremlini, Mauzoleu i Leninit apo Sheshi i Kuq. Këtyre u shtohen shëtitjet kulturore, pijet dhe ushqimi i shtrenjtë dhe sigurisht pazaret, elementi më i rëndësishëm për turistët kinezë.

Një raport i hartuar nga Instituti Hurun, i titulluar "Udhëtimet Luksoze të Kinezëve 2017" thekson se turistët e pasur të Kinës dëshirojnë të shkojnë në vende jo të zakonshme, ku listën e kryesojnë vizitat në Arktik apo Antarktik.

"Shumica e kinezëve të lindur në mijëvjeçarin e ri kanë informacion të pasur për udhëtimet. Shijet e tyre janë të sofistikuara dhe gjithmonë kureshtarë," thotë Chloe Reuter, themeluesja e firmës së marrëdhënieve publike 'Reuter Communications'.

Reuter shpjegon se në studimin e fundit të agjencisë, ndër kinezët që udhëtuan në ShBA, një e treta e tyre zgjodhën platformën Airbnb. "Zhvilluam një studim me udhëtarët në kërkim të aventurave dhe që sigurisht kanë eksperiencë të pasur. Vumë re se ata e dinin saktësisht përpara nisjes se çfarë do të shihnin, cilat restorante apo kafene do të provonin dhe ku do të bënin pazar," thotë Chloe Reuter. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore