Ukrainë, kompania kineze fiton tenderin për thellimin e porit të Odesës

2018-01-17 09:27:51 CRI Komenti juaj Printoni

Odesa është qyteti port më i madh i Ukrainës i njohur dhe si "margaritari" i Detit të Zi. Vëllimi i mallrave që hyjnë e dalin në të zë një të tretën e mbarë vendit, ndaj dhe është një portë e rëndësishme e eksportit të mallrave, përfshirë drithërat dhe mineralet.

Megjithatë, zhvillimi i mëtejshëm i portit ka qenë i kufizuar për shkak llumit të mbledhur në të. Në prillin e vitit 2017, porti hapi tenderin ndërkombëtar për pastrimin e llumit. Mes katër kompanive europiane që morën pjesë në garë, tenderin e fitoi kompania China Harbour. Me epërsi teknologjike dhe çmim më të ulët, China Harbour kontraktoi kompaninë 'Tianjin Dregding' për ta zhvilluar këtë projekt.

"Bashkëpunimi me ndërmarrjet kineze është i mirëpritur. Specialistët kinezë kanë aftësi të fortë dhe ne kemi besim të plotë te ta," thotë zoti Shirokov, drejtori i Portit të Jugut. Ai gjithashtu shprehu vlerësim të lartë për efikasitetin dhe aftësinë.

Menaxheri i degës së Ukrainës i kompanisë China Harbour, Lin Tao, thotë se Kina tani është një prej vendeve që zbaton projekte të tilla të mëdha pastrimi me një vëllim vjetor prej mbi 1 miliardë metra kub. Kina është një prej disa vendeve që kanë teknologji të lartë për thellimin e kalatave të porteve dhe pastrimin e tyre. Me zhvillimin e strategjisë ekonomike e detare të Kinës, ndërmarrjet kineze filluan të zbatojnë projekte edhe jashtë vendit. Ky projekt ndahet në dy pjesë dhe arrin një vlerë të përgjithshme prej 62 milionë dollarësh amerikanë. Kjo është hera e parë që ndërmarrjet kineze zbatojnë projekte infrastrukturore të këtyre përmasave në Ukrainë.  

Drejtori i projektit të Portit të Jugut, nga kompania 'Tianjin Dregding', Zhang Wei, thotë se zbatimi i tij e vendos kompaninë përkrah kompanive europiane që kanë aftësi dhe eksperiencë për thellimin e porteve. Zbatimi i këtij projekti është gjithashtu një provë e suksesshme e nismës "Një brez, një rrugë" në Ukrainë me rëndësi për zhvillimin e bashkëpunimit konkret në fushën e infrastrukturës midis Kinës e Ukrainës.  

Sipas kontratës, pastrimi dhe thellimi i portit duhet të fillonte në gusht të vitit 2017 dhe deri në fund të shtatorit duhet të ishin hequr 1.12 milionë metra kub llumë. Kjo ishte një sfidë shumë serioze. Por me eksperiencë të pasur, zbatuesit e projektit krijuan kushtet e nevojshme dhe përfunduan mbi 50% të punës, duke garantuar sigurinë dhe cilësinë.

Menaxheri kinez Zhang Wei, u shpreh se pjesa dërrmuese e projektit mbaroi brenda dhjetorit të vitit 2017 dhe tani ndodhet në fazën përfundimtare e ka gjasa të përfundojë tre muaj para afatit të përcaktuar në kontratë.

Drejtori i Portit të Jugut, Shirokov vlerësoi shpejtësinë dhe cilësinë e zbatimit të projektit, i cili i kaloi dhe parashikimet.

Përveç zbatimit korrekt të kontratës nga pala kineze, Shirokov vlerësoi aftësinë e zhvillimit të negociatave tregtare të kompanisë. Industria e ndërtimit të infrastrukturës e Ukrainës është e lidhur ngushtë me sistemin e kontrollit të buxhetit. Pas marrjen së kontratës, kompanitë kineze mësuan kushtet ligjore të Ukrainës. Një masë e tillë ul shpenzimet e paparashikuara në të ardhmen.

Shirokov thotë se kur shfaqen probleme, specialistët kinezë paraqesin rrugëzgjidhjet e tyre dhe shpesh gjendet gjuha e përbashkët.

Ukraina njihet si "hambari i drithërave i Europës" dhe prodhimi i viteve të fundit ka qenë i lartë. Zhvillimi i Portit Jugor të Odesës po i hap vendit perspektiva të reja.

Sipas Shirokov, pas përfundimit të projektit, do të rritet ndjeshëm kapaciteti i përpunimit të mallrave në port, si dhe do të rritet kapaciteti i eksportit të drithërave prej mbi 5 milionë tonë në vit.

Porti i Jugut parashikon që vëllimi i mallrave që hyjnë e dalin të arrijë në 120 milionë tonë nga 70 mijë që është tani. Rritja e kapacitetit do të sjellë njëkohësisht zhvillimin e transportit të mallrave dhe të gazit të lëngshëm natyror.

Shirokov mendon se Ukraina është nyja më e rëndësishme e lidhjes midis Europës dhe Azisë, ndërsa shpreson se vendi do të mund të shtojë bashkëpunimin brenda kornizës së nismës "Një brez, një rrugë".

Ukraina kërkon që kompanitë kineze të marrin pjesë jo vetëm në projektet e ndërtimit të infrastrukturës, por edhe si investues e administrues të projekteve. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore